Procesi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit vijon, ndërsa deri sot në orën 17:30, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 131 657 zarfe me fletëvotimi.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ janë 219 464 zarfe të marra nga zgjedhësit, ndërsa në total janë 245 935 zarfe të dërguara.
Numrin më të lartë të kthimeve e mban Italia me 59 173 zarfe, ndjekur më pas nga Greqia më pas Gjermania. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 31 814 zarfe, Fier 16 371, Durrës 16 190.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediet një ditë më parë, tha se “posta DHL ka detyrimin që të mbajë në zyra zarfet që nuk ka mundur t’ua dorëzojë votuesve dhe që votuesit nuk kanë mundur që t’i tërheqin deri më datën 8 maj”.
Çdo votë që mbërrin në Shqipëri në datën 11 maj, pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.