Tregtia e jashtme në Rajonin Autonom Xinjiang Ujgur të Kinës veriperëndimore u rrit me 22.9 për qind në një total prej 227.67 miliardë juanësh (rreth 31.73 miliardë dollarë amerikanë) në pesë muajt e parë të vitit, sipas të dhënave nga autoritetet doganore.
Dogana e Urumqit bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe, rritja e tregtisë së rajonit tejkaloi mesataren kombëtare me mbi 20 pikë përqindje dhe vëllimi i saj tregtar tejkaloi totalin gjashtëmujor të vitit të kaluar, shkruan “Xinhua”.
Vetëm në maj, tregtia e jashtme e Xinjiang arriti në 61.81 miliardë juanë, një rritje vjetore prej 30.8 për qind.
Ndërsa nisam “Një brez, një rrugë” (BRI) përparon, Xinjiang është zotuar të shndërrohet në një korridor të rëndësishëm që lidh Azinë dhe Europën dhe të shërbejë si një portë hyrëse për përpjekjet e Kinës për hapje me Perëndimin.
Gjatë kësaj periudhe, Xinjiang zhvilloi tregti me 222 vende dhe rajone. Tregtia me vendet e BRI-së u rrit me 13.8 për qind në baza vjetore, duke përbërë 84.8 për qind të tregtisë së jashtme totale të rajonit.
Kazakistani dhe Kirgistani ishin dy partnerët kryesorë tregtarë të Xinjiang-ut në periudhën janar-maj. Tregtia me pesë vendet e Azisë Qendrore – Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani – përbënte 49.5 për qind të tregtisë totale të rajonit dhe përfaqësonte 39.4 për qind të tregtisë së përgjithshme të Kinës me këto vende.
Sipas raportit të punës së qeverisë së rajonit, Xinjiang ka një objektiv vjetor të rritjes së produktit të brendshëm bruto (PBB) prej rreth 6 për qind, pasi PBB-ja e saj kaloi 2 trilionë juanë vitin e kaluar.
Në vitin 2025, Xinjiang synon të përparojë më tej zhvillimin me cilësi të lartë, të thellojë reformën dhe të zgjerojë hapjen në nivel të lartë, thuhet në raport./cgtn