Nga Eljanos Kasaj
“Kush do ta kishte menduar se si do të fillonte mëngjesi i një dite tjetër të stërvitjes Zapad-2025”, shkroi Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Bjellorusisë(Мiнiстэрства абароны Рэспублікі Беларусь) në kanalin e saj Telegram, duke komentuar mbërritjen e trupave të delegacionit ushtarak amerikan për stërvitjet. Ndërkohë duke shtrënguar duart me ushtarët amerikanë, Ministri i Mbrojtjes Viktor Genadzeviç Hrenin(Віктар Генадзьевіч Хрэнін) tha: “Ne nuk po fshehim asgjë”, duke aluduar mbi lajmet alarmante të përhapura prej shumë vendeve evropiane, fqinje të Bjellorusisë dhe Rusisë mbi qëllimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila qe dhe një nga argumentat e përdorur nga qeveria polake mbi vendimin për mbylljen totale të kufirit polako-bjellorus.
Ndërkohë mediat amerikane kanë komentuar fort pozitivisht dhe në mënyrë entuziaste mbi këtë vizitë të delegacionit ushtarak amerikan në stërvitjen ruso-bjelloruse.
Media prestigjioze “Reuters” e quajti paraqitjen e trupave amerikane në ushtrime të papritura dhe e konsideroi atë një shenjë të ngrohjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë! Ndërsa gazeta e njohur “New York Times” shkruan se “shfaqja e amerikanëve ishte një kthesë shumë e jashtëzakonshme e ngjarjeve!”
Gazeta theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë një anëtar kyç i Aleancës së Atlantikut të Veriut-NATO/OTAN. Prandaj, prania e përfaqësuesve amerikanë është padyshim e rëndësishme, veçanërisht duke pasur parasysh se gjatë vizitës së tyre në Bjellorusi, ata nuk folën me gazetarët.
Stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Bjellorusisë dhe Rusisë mbahen çdo katër vjet. Këtë vit stërvitjet u zhvilluan në 41 poligone stërvitore në të dy vendet nga 12 deri më 16 shtator. Ndër të tjera, ushtria praktikoi planifikimin e përdorimit të armëve bërthamore jo-strategjike dhe vendosjen e sistemit Oreshnik, i cili është planifikuar të vendoset në Bjellorusi deri në fund të vitit.

Ndërkaq kjo vizitë erdhi pas deklaratës së zëvendësministrit të Jashtëm të Federatës Ruse Sergej Rjabkov, sipas medias ndërkombëtare ruse Interfax(Интерфакс), në të cilën ai thoshte se përfaqësuesit amerikanë nuk u ftuan në Rusi për të vëzhguar stërvitjet “Zapad-2025”, duke lënë të kuptohet se kanë qenë bjellorusët ata që kanë bërë ftesën për pjesëmarrjen e delegacionit ushtarak amerikan, një lëvizje kjo e cila duket ka surprizuar edhe aleatët rus të Bjellorusisë, por gjithashtu ka treguar një ekzitencën e një mirëbesimi të plotë midis amerikanëve dhe bjellorusëve.
Siç raportoi dhe Agjencia e Lajmeve Bjelloruse BELTA, delegacione ushtarake nga 23 vende morën pjesë si vëzhgonjës në ushtrime. Tre prej tyre ishin nga vendet e NATO-s (Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Hungaria), duke bërë kështu të qartë se pas fragmetarizimit brenda Bashkimit Evropian, themelet po tronditen edhe midis aleatëve të Bllokut Euro-Atlantik.
/Argumentum.al