Të paktën 86 për qind e kompanive shqiptare nuk kanë asnjë plan emergjence të miratuar prej tyre mbi bazën e së cilës të mund të merren masa që zvogëlojnë ndikimin e një fatkeqësie. Anketa e Këshillit të Investimeve me biznesin për efektin e koronavirusit tregon se më i shkujdesur nga të gjithë sektorët duke mos menduar një plan emergjence është sektori i ndërtimit.
“Kompanitë në Shqipëri nuk kanë plan emergjence (86% e kompanive nuk kanë plan të aprovuar emergjence). Sjellja është e njëjtë pavarësisht nga madhësia apo sektori ekonomik. Kompanitë që operojnë në Shërbime dhe industri janë më të përgatitur për t’u përballur me raste emergjence, megjithëse në nivele shumë të ulëta (17% e kompanive të shërbimit dhe 16% e ndërmarrjeve industriale deklarojnë se kanë një plan emergjence të miratuar). Kompanitë e ndërtimit dhe tregtisë janë më pak të përgatitur” thuhet në dokument.
Por çfarë është në vetvete një plan emergjence? Një plan emergjence përfshin një vlerësim paraprak të çdo biznesi të rreziqeve që mund t’i kanosen siç mund të jetë një fatkeqësi natyrore si tërmet, zjarr, shfaqje të sëmundjeve (Ebola, koronavirus e të ngjashme) apo incidente me ndikim të lartë si një akt terrorist. Çdo biznes duhet të ketë një plan emergjence ku parashikon hapat që hidhen menjëherë pas ngjarjes dhe që kanë të bëjnë me elementët nga më i thjeshti tek më i komplikuari si evakuimi i stafit, zhvendosja e operacioneve, mbrojta e infrastrukturës.
Investimet në teknologji dhe shërbime online
Pavarësisht se një pjesë e mirë e bizneseve zhvendosën shërbimet e tyre online në kohën e karantinës duket se jo të gjithë janë të bindur për të investuar në drejtim të teknologjisë. Sipas anketës së Këshillit të Investimeve rezulton se 38 për qind do të bëjnë investime të kësaj natyre kurse 35 për qind janë përgjigjur “nuk e di”. Rreth 27 për qind të tjerë kanë thënë se nuk do të investojnë në këtë drejtim.
“Vetëm 36% e kompanive me qarkullim mbi 14 milion ALL, dhe 40% e kompanive me qarkullim deri në 14 milion ALL do të ndryshojnë planet e tyre të investimeve drejt shërbimeve online, veçanërisht kompanitë që operojnë në sektorin e shërbimeve. Investimet do të përqendrohen kryesisht në teknologji të reja (përgjigjet për pyetjen ” Nëse po, investimet do të fokusohen drejt:” thuhet në sqarimin e Sekretariatit të KI për anketën.