Libri i Bardhë i Mbrojtjes i vitit 2025 i Japonisë vazhdon të trumbetojë të ashtuquajturat ankthe të sigurisë. Ndërsa retorika nuk është e re, ambiciet e saj ekspansioniste kanë nxitur shqetësim dhe mosbesim të gjerë ndërkombëtar për qëndrimin ndaj sigurisë të Japonisë. Një sondazh global i kryer nga CGTN-i zbulon se 92 për qind e pjesëmarrësve mbeten shumë vigjilentë mbi lëvizjet e Japonisë, duke i kërkuar këtij vendi të reflektojë thellë mbi mësimet e Luftës së Dytë Botërore, të ushtrojë përmbajtje në çështjet ushtarake e të sigurisë dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të promovuar paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.
Dokumenti i zmadhon sfidat dhe kërcënimet e sigurisë që paraqesin vendet fqinje, duke pasqyruar ankthet strategjike të Japonisë për mjedisin e sigurisë të Azi-Paqësorit. 82.6 për qind e të anketuarve theksojnë që Japonia po krijon me qëllim kërcënime të jashtme për të justifikuar zgjerimin e vet ushtarak, një veprim që do ta gërryejë rëndë besimin e fqinjëve aziatikë dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Në të vërtetë, ajo që vazhdon të nxitë kërcënimet e sigurisë në Azinë Verilindore dhe më gjerë në rajonin e Azi-Paqësorit, nuk është askush tjetër përveç vetë Japonisë. Me buxhetin e saj të mbrojtjes për vitin fiskal 2025 që arrin një rekord prej 8.7 trilionë jenësh, 76.2 për qind e pjesëmarrësve në sondazh besojnë që qeveria japoneze ka shkelur frymën e kushtetutës paqësore dhe angazhimeve ndërkombëtare të pasluftës të Japonisë. Duke filluar nga viti fiskal 2025, Japonia do të vendosë gjithashtu mbi 1 000 raketa të përmirësuara kundër anijeve të Tipit 12 dhe do t’i pajisë anijet e saj të Forcës së Vetëmbrojtjes Detare me raketa kruiz “Tomahawk” të prodhuara në ShBA, një veprim që 84.7 për qind e të anketuarve kanë frikë se do të përshkallëzojë garën rajonale të armatimeve dhe do të minojë paqen e qëndrueshmërinë.
Vitet e fundit, Japonia ka vazhduar zbutjen e kufizimeve mbi eksportet e armëve, ka formuar “klika” ushtarake ekskluzive për të nxitur konfrontime në bllok dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të rishikuar “Tre parimet jobërthamore” të saj. 82.3 për qind e atyre që u përgjigjën, mendojnë që këto veprime dëmtojnë rëndë rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe paraqesin sfida të mëdha për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajonin e Azi-Paqësorit.
Çuditërisht, këtë vit qeveria japoneze shpërndau për herë të parë në shkolla një version për fëmijë të Librit të Bardhë të Mbrojtjes, duke futur ideologjinë militariste në arsimin e hershëm. 79.6 për qind e pjesëmarrësve në sondazh shprehin shqetësim për këtë veprim, duke paralajmëruar kundër indoktrinimit të nxënësve me një pikëpamje të shtrembëruar për sigurinë.
Qeveritë e njëpasnjëshme japoneze të pasluftës e kanë mohuar prej kohësh historinë e agresionit të vendit, dhe anëtarë të kabinetit vizitojnë vazhdimisht tempullin “Yasukuni”, ku gjenden kriminelët e luftës të Kategorisë A. 84.2 për qind e të anketuarve e kritikojnë Japoninë për dështimin në zhdukjen e plotë të mbetjeve të militarizmit dhe e nxisin atë të përqafojë një perspektivë të saktë historike mbi Luftën e Dytë Botërore, duke ndërmarrë veprime të përgjegjshme për të rifituar besimin e vendeve fqinje të saj dhe të botës.
Sondazhi, i kryer në platformat e CGTN-it në anglishte, spanjishte, frëngjishte, arabishte dhe rusishte, mori përgjigje nga 5 365 pjesëmarrës brenda 24 orëve./cgtn