Komisioni Europian synon që hapja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të arrihet në muajin mars.
Në Tiranë, ku gjendet për një vizitë zyrtare, komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha gjatë një konference shtypi me kryeministrin Edi Rama, se “raporti i mëparshëm i Komisionit për Shqipërinë mbetet ende i vlefshëm, pra një vend i gatshëm për të hapur bisedimet dhe ne po punojmë që kjo të bëhet realitet para takimit të nivelit të Lartë të Zagrebit”, i cili parashikohet të mbahet në muajin maj.
Tetorin e kaluar, udhëheqësit e vendeve anëtare nuk arritën një konsensus për një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, falë këmbënguljes së Francës, për nevojën e rishikimit më parë të të gjithë procesit të bisedimeve dhe të vetë zgjerimit.
Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, ka theksuar se po punohet për të bindur dy vendet skeptike që kundërshtuan në tetor hapjen e negociatave.
Komisioneri tha se në Paris ka pasur bisedime pozitive, ndërsa nuk dha një sinjal të njëjtë për Holandën.
Kur u pyet se çfarë të pritet të ndodhë deri në mars kur pritet të merret vendimi, komisioneri tha: “Kam qenë në Paris javën e shkuar, kam pasur takime edhe me autoritetet holandeze, këto dy shtete anëtare që kanë shprehur shqetësime në tetor të vitit të shkuar. I kemi diskutuar këto shqetësime.
Po bisedoj edhe me të dyja këto shtete që u ndikuan nga samiti i tetorit, po përpiqem të shoh ecurinë, përparimin që është arritur tani e çfarë mund të arrihet.
Besoj se me metodologjinë e re, qasjen e re, që do ribalancojë, riekuilibrojë negociatat për anëtarësim jo vetëm për shtetet që duan të jenë anëtare të BE dhe me përparimin që po arrin në Shqipëri ne mund ta ndryshojmë klimën politike.
Kam pasur mjaft diskutime pozitive ne Paris dhe me autoritetet holandeze po punojmë fort e me vendosmëri që kjo të ndodhë”.
Për kryeministrin Rama “ajo që përbën një arsye për t’u ndjerë të inkurajuar është qasja e komisionerit lidhur me nevojën, por dhe kushteve, për të adoptuar e pranuar të gjithë së bashku një metodolgji më të përshtatshme, si rezultat i së cilës, mund të mendohet e arsyeshme dhe përfshirja e Francës në vazhdimin e procesit”.
Kanë ngelur dhe pak javë për të parë nëse ka një qasje të re të vendeve skeptike ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, apo thjesht është propagandë për të mos ç’inkurajuar këto vende në bërjen e reformave./h.e
© Argumentum