Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, shfrytëzoi ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit për t’i bërë thirrje shteteve të organizatës që t’i lejojnë gazetarët të punojnë pa frikë, të pavarur dhe t’i ndihmojnë mediat që janë prekur financiarisht nga pandemia e Covid-19.
“Lërini gazetarët të bëjnë punën e tyre, sigurojuni aksesin në informacion dhe mbështetini ato media të cilat janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë,” – citohet të ketë thënë Desir në komunikatën për shtyp të OSBE-së.
Desir argumentoi se gjendja e pandemisë e ka shtuar më tepër nevojën për të pasur media të lirë, pasi qytetarët e kanë të domosdoshme informacionin.
Ai u shpreh se media e lirë është i vetmi burim i besueshëm ku merret informacioni dhe po ashtu, media luan rol kyç në luftën kundër përhapjes së informacioneve të rreme, të cilat Desir i konsideroi po aq të dëmshme sa dhe vetë virusi.
“E kuptoj plotësisht dëshirën e autoriteteve për të luftuar informacionet e pavërteta, si ato për mjekimet e rreme. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet duke kufizuar lirinë e medias. Thashethemet ndalohen më mirë duke siguruar qasje në burime të shumta dhe të pavarura informimi dhe jo përmes censurës. Kemi nevojë për më shumë transparencë, për më shumë përgjegjshmëri, për më shumë gazetarë të lirë për të raportuar, jo për më shumë kufizime,” – u shpreh Desir.
Përfaqësuesi i OSBE-së për mediat, Desir shprehet se liria e medias është shtyllë e demokracisë sonë dhe se rrjedha e lirë e informimit është nevojë jetike për të gjithë qytetarët.
Kjo qasje u përcoll edhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila përmes një postimi në Facebook shprehu mbështetjen ndaj gazetarëve.
“Ne i mbështetim gazetarët në përpjekjet e tyre për kontrata pune të mirëfillta, për më shumë qasje në informacion, për liri shprehjeje dhe për më shumë profesionalizëm. Me këtë rast, përsëritim edhe rekomandimet e OSBE-së që gazetarët të lejohen në veprimtari publike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore; që pronësia e medias të mos jetë e përqendruar; dhe që shpifja të hiqet plotësisht nga Kodi Penal. Ne nxitim vetërregullimin e medias si një alternativë më e mirë krahasuar me rregullimin nga ana e qeverisë,” – shkruhej në postimin e OSBE-së.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u krijua në vitin 1975 si forum dialogu për zgjidhje politike me në fokus zhvillimin e demokracisë.
Në të bëjnë pjesë 57 shtete, mes së cilëve edhe Shqipëria, kjo e fundit prej janarit të këtij viti drejton presidencën e saj.