Mjetet për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave të projektuara me shpejtësi mbi 25 km/h të ndara sipas katër kategorive do t’i nënshtrohen kontrollit teknik në rrugë.
Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë të Infrastrukturës dhe Ministrisë të Brendshme që përcakton se përzgjedhja e mjetit për kontroll në rrugë nga inspektorët do të jetë e rastësishme ose do të kontrollohen mjetet që operojnë në ndërmarrje të identifikuara me risk të lartë. Udhëzimi përcakton se kontrollit teknik në rrugë do t’i nënshtrohen të paktën 5% e numrit të përgjithshëm të mjeteve të regjistruara.
Pas çdo kontroll teknik fillestar të kryer në rrugë nga inspektori do të hartohet një raport që më pas do të shqyrtohet nga Task Force dhe në rast shkeljesh do të aplikohen masa administrative. Sipas udhëzimit, zbatimi i sistemit të vlerësimit të riskut do të fillojë pas 1 viti nga hyrja në fuqi e udhëzimit.
Fusha e zbatimit
Ky udhëzim do të zbatohet për mjetet rrugore me motor, me një shpejtësi të projektuar më shumë se 25 km/orë, të kategorive të mëposhtme:
- a) mjete të projektuara dhe të ndërtuara, kryesisht për transportin e njerëzve dhe të bagazheve të tyre, me më shumë se nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit – kategoritë e mjeteve M2 dhe M3;
- b) mjete të projektuara dhe të ndërtuara kryesisht për transportin e mallrave dhe që kanë një peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë – kategoritë e mjeteve N2 dhe N3;
- c) rimorkiot e projektuara dhe të ndërtuara për transportin e mallrave ose të njerëzve, si dhe për akomodimin e njerëzve, me një masë maksimale më të madhe se 3.5 tonë –kategoritë e mjeteve O3 dhe O4;
- d) traktorë me rrota të kategorisë T5, përdorimi i të cilëve bëhet kryesisht në rrugë publike, për qëllime të transportit rrugor të mallrave, me një shpejtësi maksimale të projektuar më shumë se 40 km/orë.
Përzgjedhja e mjeteve për kontroll teknik fillestar në rrugë
Kur identifikohen mjete që do t’i nënshtrohen një kontrolli teknik fillestar në rrugë, inspektorët mund të përzgjedhin si prioritet, mjetet e operuara nga ndërmarrjet me profil të lartë rreziku. Mjetet, gjithashtu mund të përzgjidhen rastësisht për kontroll ose kur ekziston dyshimi se mjeti paraqet rrezik për sigurinë rrugore ose për mjedisin.
Përmbajtja dhe metoda e kontrolleve teknike në rrugë
- Autoriteti kompetent garanton që mjetet e përzgjedhura në përputhje me nenin 9, i nënshtrohen një inspektimi teknik fillestar në rrugë.
Në çdo kontroll teknik fillestar në rrugë të një mjeti, inspektori:
- a) do të kontrollojë certifikatën më të fundit të kontrollit teknik dhe raportin e kontrollit teknik në rrugë, kjo e fundit kur është në dispozicion, të mbajtura në bord ose dëshmi elektronike të tyre në përputhje me nenin 7, pika 1;
- b) do të kryejë një vlerësim vizual të gjendjes teknike të mjetit;
- c) mund të kryejë një vlerësim vizual të sigurimit të ngarkesës së mjetit, në përputhje me nenin 13;
- d) mund të kryejë kontrolle teknike me çfarëdo metode që konsiderohet e përshtatshme. Kontrollet e tilla teknike mund të kryhen në mënyrë që të arsyetohet një vendim për t’i kryer mjetit një kontroll më të detajuar në rrugë ose që të kërkohet që defektet të korrigjohen pa vonesë në përputhje me nenin 14, pika 1.
Inspektori verifikon nëse ndonjë mangësi e treguar në raportin e mëparshëm të kontrollit teknik në rrugë është korrigjuar.
- Në bazë të rezultatit të kontrollit teknik fillestar, inspektori vendos nëse mjeti ose rimorkioja e tij duhet t’i nënshtrohen një kontrolli teknik më të detajuar.
- Një kontroll teknik më i detajuar në rrugë do të mbulojë ato elemente të renditura në aneksin II, që konsiderohen të nevojshme dhe të bazuara, duke marrë parasysh në veçanti sigurinë e frenave, gomave, rrotave, shasisë dhe ndikimit të zhurmave në mjedis dhe metodat e rekomanduara të zbatueshme për kontrollin e këtyre elementeve.
- Kur certifikata e kontrollit teknik ose raporti i kontrollit teknik në rrugë tregon se kontrolli i njërit prej elementeve të listuara në aneksin II është kryer gjatë tre muajve të mëparshëm, inspektori nuk e kontrollon atë element, përveç rastit kur një kontroll i tillë justifikohet për shkak të një defekti të dukshëm.