Të mërkurën paradite u mbajt ceremonia madhështore në përkujtim të 80-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Antifashiste Botërore. Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, Xi Jinping, mbajti një fjalim të rëndësishëm dhe kaloi në revistë trupat. Në ceremoni morën pjesë 61 udhëheqës të huaj, përfaqësues të nivelit të lartë të vendeve përkatëse, drejtues të organizatave ndërkombëtare, ish-politikanë etj.
Opinioni publik ndërkombëtar vlerësoi se ceremonia përkujtimore “shfaqi pamjen e re të Kinës si një forcë kyçe në procesin e multipolarizimit botëror” dhe se “bota ka parë që Kina është një forcë e vendosur për zhvillim paqësor”.
80 vjet më parë, populli kinez arriti fitoren e madhe të luftës kundër agresionit japonez. Gjatë luftimesh të përgjakshme 14-vjeçare, mbi 35 milionë ushtarë dhe civilë humbën jetën ose u plagosën, ndërsa humbjet ekonomike i tejkaluan 600 miliardë dollarët. Me sakrificat e veta të mëdha, Lufta e Rezistencës e Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dha një kontribut monumental për fitoren e Luftës Antifashiste Botërore.
Bota ka nevojë për paqe, jo për luftë. Kina është fuqia kryesore në botë me të dhënat më të mira në drejtim të paqes dhe sigurisë. Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, Kina nuk ka nisur kurrë një luftë dhe nuk ka pushtuar asnjë centimetër territor të vendeve të tjera. Kina është i vetmi vend i madh që e ka shënuar rrugën e zhvillimit paqësor në kushtetutë dhe është vendi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ka dërguar numrin më të madh të paqeruajtësve.
Bota ka nevojë për dialog, jo për përballje. Si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina mbron me vendosmëri drejtësinë ndërkombëtare dhe kundërshton unilateralizmin e hegjemoninë. Kina mendon se sistemi ndërkombëtar me OKB-në në thelb mishëron rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore, ka siguruar paqen e përgjithshme të botës pas luftës dhe ka promovuar zhvillimin e përparimin global. Ky sistem duhet të ruhet me vendosmëri. Në të njëjtën kohë, Kina merr pjesë aktivisht në reformën dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale. Vitet e fundit, presidenti Xi Jinping ka propozuar njëra pas tjetrës nismat e zhvillimit, sigurisë, qytetërimit dhe qeverisjes globale, duke kontribuuar me mençurinë kineze në përballimin e ndryshimeve botërore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është shprehur shumë herë që Kina është shtylla e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe multilateralizmit.
Bota ka nevojë për përfitime të përbashkëta. Si ekonomia e dytë për nga madhësia në botë, Kina ngul këmbë në zgjerimin e hapjes me botën e jashtme, në promovimin e liberalizimit dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, për përfitime dhe zhvillim të përbashkët me botën. Aktualisht, mbi 150 vende marrin pjesë në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, çdo 1 % rritje e ekonomisë kineze nxit një rritje mesatare prej 0.3 % në prodhimin e ekonomive të tjera.
Aktualisht, Kina po çon përpara rilindjen kombëtare nëpërmjet modernizimit kinez. Kjo është jo vetëm rruga e popullit kinez për kërkimin e një jete më të bukur, por edhe rruga e duhur për paqen dhe zhvillimin botëror./cgtn