Me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Bashkimit Europian, si edhe 10-vjetorit të Marrëveshjes së Parisit, udhëheqësit e Kinës dhe BE-së:
Ritheksojnë se në situatën aktuale ndërkombëtare të trazuar, është thelbësore që vendet në mbarë botën, veçanërisht ekonomitë e mëdha, të ruajnë vazhdimësinë dhe stabilitetin e politikave dhe të rrisin përpjekjet përballë ndryshimeve klimatike.
Besojnë se forcimi i bashkëpunimit midis Kinës dhe BE-së në përballimin e ndryshimeve klimatike, lidhet me mirëqenien e popujve të të dyja palëve, si edhe ka rëndësi të veçantë për ruajtjen e multilateralizmit dhe promovimin e qeverisjes globale të klimës.
Theksojnë se ‘Konventa Kornizë e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike’ dhe ‘Marrëveshja e Parisit’, janë udhëzimet themelore për bashkëpunimin ndërkombëtar për klimën. Të gjitha palët duhet t’i përmbahen parimit të përgjegjësive të përbashkëta, por të diferencuara. Të marrin në konsideratë kushtet e ndryshme kombëtare dhe të zbatojnë ‘Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike’ dhe ‘Marrëveshjen e Parisit’ në një mënyrë gjithëpërfshirëse, me mirëbesim dhe efikasitet.
Shprehin besimin se partneriteti i gjelbër Kinë-BE, është një pjesë e rëndësishme e partneritetit Kinë-BE. E gjelbra është ngjyra dalluese e sfondit të bashkëpunimit Kinë-BE. Të dyja palët kanë themele të forta bashkëpunimi dhe hapësirë të gjerë për të punuar së bashku në fushën e transformimit të gjelbër.
Palët bien dakord të luajnë së bashku një rol udhëheqës në promovimin e një tranzicioni të drejtë global, duke çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm dhe duke zhdukur varfërinë. Ndaj, palët zotohen që:
1. Të ruajnë pozicionin thelbësor të ‘Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike’ dhe ‘Marrëveshjes së Parisit’, si edhe të zbatojnë plotësisht dhe me saktësi qëllimet dhe parimet e tyre.
2. Të forcojnë veprimet praktike dhe të transformojnë qëllimet klimatike të njëri-tjetrit në rezultate të prekshme, përmes sistemeve sistematike të politikave dhe masave të forta vepruese.
3. Të punojnë me të gjitha palët për të mbështetur Brazilin në organizimin me sukses të Konferencës së 30-të të Palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP30) dhe të promovojnë rezultate ambicioze, të drejta, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse nga konferenca.
4. Të përshpejtojnë vendosjen globale të energjisë së rinovueshme dhe të promovojnë rrjedhën e teknologjive dhe produkteve të gjelbra me cilësi të lartë, në mënyrë që të gjitha vendet, përfshirë vendet në zhvillim, të mund t’i përdorin ato dhe t’i përdorin mirë.
5. Të forcojnë përpjekjet dhe mbështetjen ndaj ndryshimeve klimatike, për të përshpejtuar veprimet në shkallë të gjerë në të gjitha nivelet.
6. Të dorëzojnë Kontributet e Përcaktuara në Nivel kombëtar (NDC) për vitin 2035 para Konferencës së 30-të të Palëve në ‘Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike’ (COP30). NDC-të e të dyja palëve do të mbulojnë të gjithë ekonominë, duke përfshirë të gjitha gazrat serrë, si edhe do të jenë në përputhje me objektivat afatgjata të temperaturave të ‘Marrëveshjes së Parisit’.
7. Të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në fushat e transformimit të energjisë, përshtatjes ndaj klimës, kontrollit të emetimeve të metanit, tregut të karbonit, teknologjive të gjelbra dhe me karbon të ulët, si edhe punën e përbashkët për të promovuar procesin e transformimit të gjelbër dhe me karbon të ulët të njëri-tjetrit./cgtn