Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje qeverisë izraelite të ndalojë menjëherë planin e saj për të ndarë në dy pjesë Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric e ndau thirrjen e Guterresit me publikun në një deklaratë me shkrim.
“Pozicioni ynë është i qartë: vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor dhe regjimin e lidhur me to, janë krijuar dhe vazhdojnë të shkelin të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Guterres në deklaratën e tij.
Duke theksuar se vendbanime të tilla të paligjshme do të “shtojnë më tej pushtimin dhe do të nxisnin tensionet”, Guterres thotë se një veprim i tillë do të “ezaurojë më tej qëndrueshmërinë e shtetit të Palestinës si pjesë e zgjidhjes me dy shtete”.
Kreu i OKB-së ka thënë se “Ndërtimi në zonën ‘E1’ do të ndajë veriun dhe jugun e Bregut Perëndimor dhe do të dëmtojë seriozisht mundësinë e krijimit të një shteti të qëndrueshëm të Palestinës”.
Guterres u bëri thirrje autoriteteve izraelite ta ndalojnë menjëherë avancimin e këtij procesi.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich tha se për të eliminuar idenë e një shteti palestinez do të miratojë projektin “E1”, i cili do të zgjerojë vendbanimet që u janë grabitur palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar.
Projekti parashikon ndërtimin e 3.401 shtëpive midis Kudsit Lindor të pushtuar dhe vendbanimit Ma’ale Adumim, të ngritur në tokën që u është sekuestruar palestinezëve në Bregun Perëndimor.