Marrëveshja e heqjes së ndërsjellë të vizave mes Kinës dhe Malajzisë hyri në fuqi zyrtarisht të enjten, pas zbatimit provë prej më shumë se një viti.
Që nga 17 korriku i vitit 2025, shtetasit e Kinës dhe Malajzisë që kanë pasaporta të zakonshme mund të bëjnë udhëtime të ndërsjella mes të dy vendeve pa viza deri në 30 ditë për një vizitë, me një qëndrim maksimal prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180-ditore.
Gjatë periudhës provë, e cila filloi më 1 dhjetor të vitit 2023, sipas statistikave të palës malajziane, 3.8 milionë turistë kinezë e vizituan Malajzinë në vitin 2024, duke e bërë Kinën burimin më të madh të turistëve në Malajzi jashtë vendeve të ASEAN-it (Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore).
Kina ka nënshkruar tani marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave me 158 vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Në Kinë ka pasur një rritje të hyrjeve pa viza në gjysmën e parë të vitit 2025, me 13.64 milionë vizitorë të huaj pa viza. Ky grup zinte 71.2 për qind të të gjitha mbërritjeve të udhëtarëve të huaj, duke shënuar një rritje prej 53.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi të mërkurën Administrata Kombëtare e Imigracionit./cgtn