Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon sulmet e rezikshme ruse me dronë në territorin e Polonisë, sulme që cënojnë hapur sovranitetin teritorial të një vendi anëtar të OKB, NATO-s, BE etj.
Ky sulm ushtarak rus në një prej vendeve të rëndësishme evropiane, i cili e ka dënuar me force agresionin rus kundër Ukrainës, të një vendi që jep kontribute të rëndësishme për forcimin e paqes dhe sigurisë në Evropë e më gjerë, dëshmon faktin se politika ruse e agresionit, e destabilitetit dhe e konfliktit mund të përshkallëzohet dhe të rezikojë sigurinë dhe stabilitetin në pjesë të tjera të kontinentit tonë e me gjerë.
Ndaj këto tentativa për përshkallëzim duhet të ndalohen me çdo kusht, ashtu siç duhet detyruar Federata Ruse të ndërpresë sa më parë luftimet në Ukrainë, të tërhiqet nga të gjitha territoret e pushtuara të atij vendi dhe të mbahet përgjegjëse për dëmet e shkaktuara në njerëz dhe infrastrukturë. Vetëm kështu mund të arihet një paqe e qëndrueshme në Ukrainë dhe të ndalohet çdo tentative ruse për përsëritje skenarësh, si ai i Ukrainës, në vende të tjera.
KASH nxit politikën shqiptare dhe i bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të NATO-s e BE që të shprehin solidaritet të plotë me Poloninë, vendet balltike, por edhe vende të tjera në kufi me Ukrainën që janë dëmtuar nga inkursionet e herë pas hetshme ushtarake ruse, të forcojnë unitetin midis tyre dhe të rrisin gadishmërinë ushtarake për tiu kundërvënë çdo provokacioni të rezikshëm rus që dëmton paqen dhe stabilitetin në kontinent e më gjerë.
Ukraina, si një vend me vlera në kontinent, që po përballon me vendosmëri agresionin e pa provokuar rus dhe që po lufton në vijën e parë të frontit kundër këtij kundërvënësi të paqes e njerëzimit, duhet mbështetur pa rezerva se vendosja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë do të thotë ruajtje dhe forcim i paqes në të gjithë kontinentin tonë, por edhe në botë.
/Argumentum.al