Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të mërkurën me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm pakistanez Mohammad Ishaq Dar në Tianjin të Kinës Veriore. Të dy palët ritheksuan mbështetjen e ndërsjellë për çështjet lidhur me interesat thelbësorë të njëri-tjetrit.
Kina është e gatshme të punojë me Pakistanin për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e të dy vendeve dhe për të çuar përpara ndërtimin e një bashkësie Kinë-Pakistan me një të ardhme të përbashkët, tha Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Sipas tij, Kina do të forcojë dialogun strategjik me Pakistanin, do të ndërtojë bashkërisht Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan me cilësi të lartë, do të thellojë bashkëpunimin në fusha të tilla si bujqësia, industria e minierat dhe do të planifikojë kremtime për 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve vitin e ardhshëm.
foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Kina e përkrah Pakistanin në veprimet kundër terrorizmit, u shpreh Wang, duke shtuar që qeveria kineze ka qenë gjithmonë e shqetësuar rreth sigurisë së shtetasve kinezë në Pakistan dhe duke shprehur besimin se pala pakistaneze do të vijojë të garantojë sigurinë e personelit, projekteve dhe institucioneve kineze në Pakistan.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm pakistanez Mohammad Ishaq Dar theksoi nga ana e tij që Pakistani ndjek parimin e “një Kine” dhe e mbështet Kinën në çështjet lidhur me interesat thelbësorë të saj.
Pakistani i përkrah plotësisht përgatitjet e Kinës për Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Tianjin dhe mirëpret thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet të dy palëve, tha ai, duke premtuar bërjen e përpjekjeve për të garantuar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze në Pakistan./cgtn