Ekskluzivisht për Argumentum
Nga Dr. Jorgji KOTE
Kriza më e fundit kushtetuese dhe qeveritare në Kosovë dëshmon veç të tjerash kontrastin e dukshëm të saj me Europën ky synon të aderojë. Pa hyrë në analiza shteruese, mjafton të bësh një krahasim të zhvillimeve politike në 6 muajt e fundit midis Brukselit belg dhe Prishtinës zyrtare; jo thjesht se Kosova gjatë kësaj periudhe ka patur tre kryeministra, kurse Belgjika vetëm dy të tilla, ama në 6 vite! Por, kryesisht për faktin se dhe pse në situata të ngjashme krizash politike, zgjidhjet e tyre kanë qenë krejt të kundërta, të dobishme për Belgjikën, të dëmshme për Kosovën. Konkretisht :
Në Dhjetor 2018, partneri kryesor i koalicionit qeveritar belg, N-VA e Flandrës iku nga qeveria si protestë ndaj qëndrimit të ish Kryeministrit Charles Michel në Samitin e OKB-së në Marrakesh ku u shpreh pro Paktit Global të Emigracionit. Veçse, ndryshe nga LDK-ja, ata të N-VA u treguan » burra » duke vijuar mbështetjen në Parlament për qeverinë belge tanimë në pakicë; deri në krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të reja më 25 Maj 2019. Por, megjithë demarshet e vazhdueshme, deri në dhjetor 2019 nuk u bë dot e mundur krijimi i një koalicioni të ri qeveritar ; kjo dhe për shkak të peisazhit tejet të ndërlikuar partiak belg, ku të tre rajonet kanë partitë e tyre që alternohen herë në pushtet e herë në opozitë në pushtetin vendor dhe federal. Kjo e bën tejet të vështirë krijimin e një koalicioni qeveritar në nivel federal; kulmi arriti më 2014, kur ai u krijua pas një krize qeveritare të paprecedentë 552 ditore!
Ndërkohë, në Dhjetor 2019, Kryeministri Charles Michel që vazhdonte të drejtonte qeverinë pakice në detyrë duhej të paraqitej në postin e lartë si President i Këshillit Europian. Ndaj, ai u zëvendësua nga ish-ministrja e Financave me profil modest politik, Sophie Wilmès; me idenë që të qëndronte fare pak muaj në atë post, deri në krijimin e qeverisë së re, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme ; këto të fundit, ndonëse të ligjshme, nuk pëlqeheshin nga palët politike, sepse nuk do të sillnin asgjë të re. Ndërkohë, në shkurt 2020 edhe Belgjikën e goditi pandemia e koronavirusit. Për pasojë, u ndërprenë dhe demarshet për krijimin e qeverisë së re. Belgjika, nga vendet më të goditura u fut në karantinë dhe gjithçka u bllokua. Shqetësimi i madh ishte se si mund ta menazhonte këtë krizë aktuale qeveria në detyrë apo kujdestare, siç njihet në zhargonin politik ( acting, caretaker) pa mandat të plotë? Kur nuk kishte asnjë alternativë tjetër dhe zbatimi i Kushtetutës belge « në gërma » ishte i pamundur. Ndërkohë, që vijimi me « gër vëre » dhe cic mice » politike vetëm se do të shtonte agoninë ndaj virusit që po « bënte kërdinë » në Belgjikë.
Pikërisht këtu u shfaq sërish i mirënjohuri « kompromis alla belge » që siç pohojnë ekspertët është « vepër arti dhe pjesë e mobilimit shtëpiak « Në vijim të kësaj tradite, në kushtet e krizës më të rëndë pas Luftës së II Botërore, liderët politikë belgë i dhanë me konsensus mandat të plotë qeverisë deri në krijimin e një koalicioni të ri funksional dhe vetëm në pamundësi të saj, zgjedhjeve të parakohshme. Mirëpo dhe kjo ishte e pamjaftueshme, mbasi menazhimi i krizës së koronës kërkonte masa radikale deri në vendosjen e kufizimeve të papara që tejkalonin ndjeshëm mandatin e çdo qeverie. Çduhej bërë? Sërish, forcat politike, përfshi dhe opozitën më të madhe socialiste, me rezervat e rastit, direkt apo indirekt, i dhanë koalicionit qeveritar kompetenca speciale me një mandat deri në 6 muaj Rezultati? Megjithë gjendjen e rëndë dhe rezervat e natyrshme, kriza po menazhohet përgjithësisht me efektivitet nga qeveria me mbështetjen e politikës dhe ekspertëve; ndonëse vendi më i goditur për frymë, më 4 Maj, Belgjika filloi të dalë me tre faza nga karantina drejt rimëkëmbjes social – ekonomike. Por sërish nuk fliet ende për zgjedhje të reja, por për demarshe për një qeveri me bazë të gjerë dhe mandat të plotë dhe vetëm në pamundësi të tyre zgjedhje të parakohshme. Tani, nga këndvështrimi partiak, po të ecë mirë situata, MR, partia reformatore liberale të cilës Wilmès i përket do të dalë tejet e fituar dhe anasjelltas; por dhe të tjerat nuk do të mbeten pa gjë, sepse janë bashkëkontribuese; pra të gjithë do të jenë fitues ose humbës, kur të kapërcehet kriza e koronës, si armiku dhe objektiviti i përbashkët politik. Krejt e kundërta ka ndodhur në Prishtinën zyrtare; për ironi të fatit, pikërisht më 25 Mars, kur Parlamenti belg i jepte besimin qeverisë në detyrë, kur në Prishtinë vetëm një muaj më parë ishte krijuar me shumë mundime koalicioni i ri qeveritar, me shumë shpresa dhe pritshmëri të reja dhe cilësore, pas votës shembullore të 6 Tetorit 2019 ; kur u deshën 120 ditë për krijimin e tij për vetëm 52 ditë qeverisje, kur me maska në mes të koronakrizës, sipas parimit « pushka bam e Muçua tutje » 2/3 e deputetëve rrëzuan pa përgjegjësi qeverinë Kurti.
Nëse në Bruksel, të gjithë aktorët politikë kanë meritat e tyre për kompromisin, në Prishtinë gjithkush ka fajin dhe përgjegjësinë e vet në këtë krizë të re që nuk dihet se si do të përfundojë. Përse të mos e themi jopa keqardhje se për vetë pozicionin e tij, fajtori i parë është vetë Kryeministri Kurti, i cili, i papërgatitur për të marrë « frenat e pushtetit vazhdoi të sillet më tepër si Kryeopozitar, me vizione e pa aksione; pa mendim por me mediatizim, pa dëgjuar e denjuar por më shumë duke pozuar e demonizuar ; ca më tepër se nuk ishte ai fituesi i vetëm, por « rrotë më rrotë » me LDK; ndaj për çdo vendim duhej që parë të « falej » dhe te Mustafa. Shkurt hesapi, Kurti vijoi pa politikë, pa diplomaci, duke i « rënë murit më kokë» Pavarësisht këtyre « gjynaheve » që vinin dhe nga entusiazmi i fillimit, nuk ka pse të mos besohet se Kurti, që nuk e lanë të bënte as « 100 ditëshin e parë të artë » mund të bënte me kalimin e kohës « kalibrimet dhe kolaudimet » e rastit. Pa faj nuk është as Presidenti Thaçi që mund ta kishte ndalur atë maskaradë demokratike, por jo praktike për Kosovën; natyrisht përgjegjësinë më të madhe e ka LDK, partnerja kryesore e qeverisë, por dhe aktorët/faktorët e tjerë politikë ; është e pafalshme për to, që megjithë përvojën e gjatë me plot « zullume » nuk treguan kurfarë durim, tolerancë dhe luajalitet ndaj « Vetëvendosjes » si partia e parë e 6 Tetorit. Për më tepër, në kushtet e koronës, ata duhej t’i thirnin mendjes dhe të paktën të shtynin mosbesimin deri në përfundimin e krizës. Ndërkohë, fare mirë, sidomos LDK mund t’i vinte « kufirin te thana » Kurtit, të forconte dialogun, konsultimet dhe trysninë e rastit. As Grenell nuk është pa gjë në këtë mes; sepse u soll më tepër si diktues dhe ndëshkues se sa si ndërmjetësues, si i komanduar dhe jo si i dërguar. Kryesorja, në « yrryshin » e tij, nuk pati paraysh thënien e urtë se « kush nxiton, vonon » Kurse BE-ja duke kaluar nga gabimi në gabim më shumë « bëri sehir » dhe « kur i doli gjumi » kjo dramë kishte përfunduar.Nëse Belgjika ka gati 6 vjet me të njëjtën qeveri në largim, Kosova kishte avantazhin e madh se vetëm 6 muaj më parë zgjodhi një koalicion të ri qeveritar me mandat të plotë; mirëpo, ndryshe nga Belgjika që i dha Sophie Wilmès kompetenca fuqiplotë, Prishtina jo veëm nuk bëri të njëjtën gjë me Qeverinë « Kurti » por e rrëzoi atë si pa gjë të keq me një maskaradë votash në mes të kolerës.
Gjithsesi, ç’ishte për t’u bërë u bë! Tanimë, Kurti, megjithë dëshirën e mirë nuk ka më besimin e duhur politik për të menazhuar koronavirusin e më tej; madje as nuk bëri përçapje për të këtë gjë, dhe i mbeti goja te zgjedhjet! Në fakt, fill pas humbjes së besimit, në vend të « vickëlave dhe kukamçeftit kushtetues » ai duhej të shkonte, siç veprohet në të tilla raste te Presidenti Thaçi, t’i paraqiste dorëheqjen e më tej t’i paraqiste kandidatin e tij të rradhës, ose dhe nga LDK, si pjesë e koalicionit, sipas Kushtetutës ; sepse le ta përsërisim : « Vetëvendosja’ nuk është fituese me shumicë absolute, por vetëm partia e parë e 6 Tetorit e në koalicion me LDK-në, pa të cilën nuk do të ekzistonte. Sa për zgjedhjet e parakohshme, krahasuar me një qeveri me bazë të gjerë, ato nuk do të sillnin ndonjë zgjidhje të krizës, por ndoshta shtyrje dhe acarim të mëtejshëm të saj. Në këto kushte, ashtu si në Bruksel, me konsensusin e të gjitha palëve, me përjashtim të Vetëvendosjes, pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese pritet votëbesimi i mundshëm i koalicionit të ri qeveritar « Hoti » i kryesuar nga LDK. Ndonëse PDK e ndonjë forcë tjetër nuk do të jenë në qeveri, është pozitiv fakti se ato kanë premtuar mbështetjeen me votat e tyre.
Për fat të keq, këto gafa dhe gabime trashanike e largojnë më tej perspektivën e afërt Euro – Atlantike të Kosovës dhe zgjidhjen e sfidave të saj të brendshme e të jashtme, sidomos dialogun dhe Marrëveshjen me Serbinë. Këto gabime vërtet që përkohësisht mund të favorizojnë ose dëmtojnë forca apo liderë të caktuar politikë në Kosovë; por, parë në një plan më afat – gjatë ato « çojnë ujë në mullirin » e propagandës dhe lobimit serb. Kosova kohët e fundit po i jep aq shumë « municion » falas diplomacisë serbe, saqë kjo e fundit, vështirë të ketë nevojë të për të sanjuar akte/fakte kundër saj. Mjafton të përcjellë në botë mesazhin se « ja, na thoni ju, çfarë mund të bëjë Serbia, shihni se çpo ndodh në Kosovë, vetëm « bad news », as ata vetë nuk e dinë si do shkojnë punët atje » Ndërkohë, « rreshtimi » i ndërmjetësuesve, tanimë jo vetëm nga BE, por nga SHBA-ja, me shumë të ngjarë nga Rusia dhe vende të tjera të kujton thënien e urtë « shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk» Sidomos kur ky « fëmijë » paraqet probleme « qysh në bark të nënës ». Ja pse, nëse do që të dalë nga kjo krizë e të jetë faqebardhë, politika kosovare duhet të paktën të «kopjojë» pa vonesë nga konsensusi dhe kompromisi belg.
/argumentum.al/
© Argumentum