Në një ceremoni solemne në Vila Gorica në Podgoricë, Marinko Culafic u nderua me çmimin prestigjioz për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përkatësisë ndaj Malit të Zi. Çmimi iu dha në një ngjarje që theksoi angazhimin e pakicës malazeze në Shqipëri për të mbajtur gjallë traditat dhe kujtesën kolektive të popullit malazez, duke e lidhur ngushtë atë me atdhenë e tij.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, Culafic shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Ministrisë së Diasporës të Malit të Zi dhe ministrit të nderuar, z. Azemoviq, për këtë nderim. Ai gjithashtu falënderoi shoqatat malazeze në Shqipëri – “Komunitetin Malazez në Shqipëri” dhe shoqatën “Montenegro” për propozimin e kandidaturës së tij. Marinko Culafic theksoi se ky çmim është një nder jo vetëm për të, por edhe për të gjithë pakicën malazeze në Shqipëri dhe për familjen e tij, që ka kaluar peripeci dhe sakrifica të shumta për të mbajtur gjallë lidhjen me Malin e Zi.

Historia e familjes së Marinko Culafic është një dëshmi e vuajtjes dhe sakrificës. Ai kujtoi periudhën e luftës dhe vuajtjet që ka përjetuar familja e tij, përfshirë vdekjen e hallës së tij Polka, partizane 17-vjeçare, dhe shkatërrimin e shtëpisë së tyre nga fashistët. Pas luftës, gjyshi i tij, Milovan Ćulafić, komandant lufte dhe lider i rëndësishëm në Partinë Komuniste, u burgos në Goli Otok për qëndrimin e tij kundër regjimit të Titos. Pas këtyre ngjarjeve, familia e tij u detyrua të largohej nga Mali i Zi dhe të kërkonte strehim në Shqipëri.
“Historia e familjes sime është e dhimbshme, por ajo është gjithashtu një histori krenarie,” tha Culafic gjatë fjalës së tij. Ai theksoi se sot, pakica malazeze në Shqipëri ka mundësinë të ndihmojë në forcimin e lidhjeve me atdhenë e saj, përmes bashkëpunimit me institucionet dhe shoqatat malazeze. Ai gjithashtu shprehu besimin se një partneritet më i fortë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi do të sjellë përfitime të ndërsjella, veçanërisht për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Në përfundim të fjalës së tij, Culafic bëri një apel të veçantë për shtetin malazez, duke kërkuar që të ofrojë më shumë mbështetje për malazezët që jetojnë në Shqipëri, në mënyrë që të ruajnë identitetin e tyre, gjuhën dhe traditat.
Ky çmim i jepet Marinko Culafic për përkushtimin e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar malazez, dhe është një kujtim i rëndësishëm i lidhjes të pandashme mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Malit të Zi, që vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të respektojnë njëri-tjetrin përmes veprimeve dhe iniciativave të ndryshme.

Fjala e plotë përshëndetëse nga Marinko Culafic me rastin e marrjes së çmimit për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përkatësisë ndaj Malit të Zi
Të nderuar përfaqësues të qeverisë!
Të nderuar të pranishëm, miq të dashur!
Kjo është një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për mua, për familjen time dhe për pakicën malazeze që jeton në Republikën e Shqipërisë. Duke pasur nderin të flas në emër të të gjithë fituesve të këtij viti, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj Ministrisë së Diasporës, e në veçanti ministrit të nderuar z. Azemoviq, për ndarjen e këtij çmimi me vlerë të madhe.
Gjithashtu, falënderimet e mia të përzemërta i drejtoj shoqatave malazeze në Shqipëri – “Komunitetit Malazez në Shqipëri” me seli në Elbasan, si dhe shoqatës “Montenegro” në Shkodër, për propozimin e emrit tim për këtë kandidaturë të nderuar. Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë miqtë që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi të vështirë, por të drejtë!
Historia e familjes sime është e dhimbshme – ajo është historia e një familjeje që i dha gjithçka atdheut, Malit të Zi, por që në këmbim mori vetëm vuajtje dhe mërgimin në vend të huaj. Gjatë luftës, ra dëshmore halla ime Polka, partizane 17-vjeçare, ndërsa shtëpia jonë në Gornje Luge u dogj dy herë nga fashistët. Pas luftës, në vitin 1948, gjyshi im Milovan Ćulafić – Tatko, komandant lufte dhe një nga figurat kyçe të Partisë Komuniste, më vonë Sekretar i Parë i qarkut të Andrijevicës, u burgos në Goli Otok si një prej kundërshtarëve kryesorë politikë të Titos në Mal të Zi. Në ato vite, familja jonë përjetoi persekutime të rënda, të paimagjinueshme, nga pushteti i atëhershëm.
Sigurisht, mbijetesa në Mal të Zi, për të cilin kishim sakrifikuar gjithçka, nuk ishte më e mundur. Pas kthimit nga Goli Otoku, gjyshi im mori fëmijët e tij dhe natën, nëpër male, u arratis për në Shqipëri – ashtu si shumë të tjerë që patën fatin e njëjtë në atë kohë.
Miq të dashur!
Sot jetojmë në një kohë tjetër. Fatmirësisht, nuk jemi më të detyruar të emigrojmë në mënyrë të dhimbshme nga Mali i Zi për të mbijetuar. Ne që erdhëm nga Mali i Zi në Shqipëri, kryesisht gjatë shekullit të fundit, po forcojmë lidhjet me atdheun tonë përmes veprimtarisë së shoqatave të diasporës. Sot, bashkëpunimi ynë është gjithnjë e më i ngushtë dhe më i frytshëm. Në Shqipëri, për Malin e Zi flitet gjithnjë e me më shumë respekt, duke u vlerësuar politika e saj, e cila, ashtu si edhe ajo shqiptare, synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ekzistojnë shumë tema të përbashkëta për bashkëpunim në projekte të ndryshme në të dy vendet tona. Në këtë drejtim, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe i ngushtë është më i domosdoshëm se kurrë. Shoqatat tona kujdesen gjithashtu që t’i kujtojnë pakicës tonë ditët më të rëndësishme dhe ngjarjet historike të Malit të Zi, duke ruajtur kështu identitetin dhe kujtesën kolektive.
PRANDAJ DHE KY ÇMIM NDERI PËR RUAJTJEN E IDENTITETIT MALAZEZ NUK MË PËRKET VETËM MUA, AI I TAKON TË GJITHË PAKICËS MALAZEZE NË SHQIPËRI, POR EDHE FAMILJES TIME DHE HISTORISË SË SAJ TË DHIMSHME, POR KRENARE!
Në fund, më lejoni edhe një mesazh: si përfaqësues i Pakicës kombëtare malazeze në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Shqipërisë, i bëj thirrje shtetit të Malit të Zi që t’u kushtojë më shumë vëmendje dhe mbështetje malazezëve në Shqipëri, për ruajtjen e identitetit tonë, gjuhës, traditës dhe zakoneve tona.
Në emër të të gjithë fituesve të këtij viti, edhe njëherë ju falënderoj sinqerisht për vëmendjen tuaj!
Podgoricë, 25.07.2025
© 2025 Argumentum