Kriza në Bjellorusi, situata e tensionuar në Mesdheun Lindor, raportet e Turqisë me Bashkimin Europian, çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, janë çështjet kryesore për të cilat ministrat e Jashtëm të BE diskutojnë sot në një takim joformal i cili zhvillohet në Berlin. Gjermania mban presidencën e Bashkimit Evropian.
Takimi dyditor mirëpritet nga ministri i Jashtëm Gjerman, Heiko Mass; zv/presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borell, komisoneri për Zgjerim, Oliver Varheli dhe kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister.
Pak para nisjes së takimit, ministri i Jashtëm gjerman, në një deklaratë për mediat, u ndal tek situata në Bjellorusi.
“Me rritjen e përditshme të dhunës ndaj demonstruesve paqësorë, – thuhet në deklaratë, – udhëheqja në Minsk po izolohet gjithnjë e më shumë nga bashkësia ndërkombëtare.
Lukashenko nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç të njohë realitetin në rrugët e vendit të tij. Në ditët e ardhshme në Berlin, Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë përgjigjet e mëtejshme të BE-së për situatën në Bjellorusi.
Ne nuk do të dështojmë për të reaguar ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ose shkeljeve të parimeve themelore demokratike” theksohet në njoftimin e ministrit gjerman.
Të premten, ministrat e Jashtëm pritet të zhvillojnë edhe një sesion kushtuar raporteve të BE me Turqinë duke përfunduar me ndikimin e COVID-19 dhe reagimin strategjik të BE.
Në takim po ashtu pritet të diskutohet edhe me ministrin e Jashtëm të Izraelit sa i përket situatës së Lindjen e Mesme dhe raportet e Brukselit me Jerusalemin.