Në bekimin e tij të fundit të Pashkës, Papa Françesku dënoi “etjen e madhe për vdekje, për vrasje” dhe përbuzjen “e nxitur ndonjëherë ndaj të cënueshmëve, të margjinalizuarve dhe emigrantëve”. Ashtu si Piu XI në vitet e fundit të jetës së tij 1938-1939, edhe zëri i Françeskut ishte një zë i vetmuar për paqe në një botë të përpirë nga konflikti me fitues e humbës dhe nga tribalizmi.
Nga Harold James dhe Montagu James*
Një papë ndërron jetë në një moment kritik të historisë globale dhe, për një moment, bota mendon për diçka tjetër përveç gjeopolitikës.
Është dimri i viteve 1938-1939. Lufta në Evropë po afrohet dhe forcat japoneze kanë sulmuar tashmë Urën Marco Polo jashtë Pekinit. Papa Piu XI dëshiron të vazhdojë politikën e “paqes” të paraardhësit të tij, Benediktit XV, i cili ishte përpjekur vazhdimisht t’i jepte fund Luftës së Parë Botërore dhe të shëronte përçarjen mijëvjeçare me Kishën Ortodokse Ruse. Por ndoshta më e rëndësishmja, ai dëshiron që kisha të dënojë ligjet racore të Benito Musolinit dhe antisemitizmin nazist. Ai, madje, ka hartuar një enciklikë për këtë qëllim: Humani Generis Unitas (“Mbi Unitetin e Njerëzimit”). Por Piu XI ndërron jetë në shkurt të vitit 1939 dhe teksti nuk publikohet kurrë.
A po përsëritet historia? Papa Françesku ndërroi jetë të hënën e Pashkës, pas një Pashke kushtuar mesazhit të paqes. Në bekimin e tij të fundit të Pashkës, Urbi et Orbi (“Për Qytetin dhe Botën”), ai dënoi “etjen e madhe për vdekje, për vrasje” dhe përbuzjen “e nxitur ndonjëherë ndaj të prekshmëve, të margjinalizuarve dhe emigrantëve”.
Një ditë më parë, Françesku kishte anuluar një takim të planifikuar me zv/presidentin amerikan J.D. Vance, por la sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, të qortonte delegacionin amerikan. Siç tha Vatikani, “Pati një shkëmbim mendimesh mbi situatën ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me vendet e prekura nga lufta, tensionet politike dhe situatat e vështira humanitare, me vëmendje të veçantë ndaj emigrantëve, refugjatëve dhe të burgosurve”. Kur Papa në prag të vdekjes u takua shkurtimisht me Vance të nesërmen, ai duket se e ka përcjellë të njëjtin mesazh.
Më parë këtë vit, një letër papnore drejtuar peshkopëve të Amerikës e kishte kritikuar në mënyrë implicite, por me vendosmëri, J. D. Vance për keqinterpretimin e detyrimit të krishterë të dashurisë për fqinjët. Vance, i cili u konvertua në katolicizëm në vitin 2019, ishte përpjekur të argumentonte për një hierarki në të cilën shqetësimi për anëtarët e familjes vjen përpara të huajve dhe refugjatëve. Por, siç shpjegoi Françesku, “Jezu Krishti, duke i dashur të gjithë me një dashuri universale, na edukon në njohjen e përhershme të dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, pa përjashtim”.
Më pas, Françesku vuri në dukje nacionalizmin etnik si një shtrembërim të këtij mesazhi të krishterë: “shqetësimi për identitetin personal, komunitar ose kombëtar, përveç këtyre konsideratave, fut lehtësisht një kriter ideologjik që shtrembëron jetën shoqërore dhe imponon vullnetin e më të fortit si kriter të së vërtetës”.
A mund të ndikojnë fjalët e fundit të një udhëheqësi të krishterë në zhvillimet në një botë të prekur nga kriza? Në funeralin e Françeskut të shtunën, dekani 91-vjeçar i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, u kujtoi udhëheqësve botërorë se si Papa i ndjerë “ndante vërtet ankthet, vuajtjet dhe shpresat e kësaj epoke globalizimi” dhe për angazhimin e plotë të Papës ndaj emigrantëve, refugjatëve dhe të margjinalizuarve.
Para se të fillonte mesha e funeralit, presidenti amerikan Donald Trump u ul me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për një “diskutim shumë produktiv” brenda Bazilikës së Shën Pjetrit – një kontrast i fortë me përballjen e tyre shpërthyese në Zyrën Ovale në shkurt. Trump arriti në përfundimin se “ndoshta ai (Vladimir Putin) nuk dëshiron ta ndalojë luftën, ai thjesht po tallet me mua “, përpara se të vërejë, me të drejtë, se “Shumë njerëz po vdesin!!!”
Por çfarë e bën një kalim të suksesshëm nga lufta drejt paqes? Rrallëherë kjo arrihet përmes kundërshtimit parlamentar, ndonëse herë pas here një kolaps i tregut mund të shërbejë si katalizator. Po një forcë e madhe shpirtërore? A mund të ndikojë një ndërhyrje nga një autoritet moral në krijimin e një klime të re për negociata – qoftë drejt një marrëveshjeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, apo për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Gazë? A do të mund ta nxiste kjo vëmendjen e Perëndimit ndaj Sudanit, ku shpërbërja e USAID-it nga administrata Trump ka të ngjarë të përkeqësojë një zi të madhe buke?
Ekzistojnë lidhje midis këtyre konflikteve, të shprehura në kuptimin gjithnjë e në rritje se asnjë nuk mund të zgjidhet vetë. Nevojitet një frymë e re për të kapërcyer pikëpamjen konfliktuale se çdo konflikt mund të zgjidhet vetëm me forcë. Në botën mendore të Trump, marrëveshjet gjeopolitike janë thjesht versione më të mëdha të transaksioneve të pasurive të paluajtshme, me vetëm fitues dhe humbës. Ose fiton Rusia ose fiton Ukraina. Ose fiton Kina ose fiton Shtetet e Bashkuara.
Por është e mundur që kjo botë të ridimensionohet si një realitet ku të dy palët mund të fitojnë, sepse kuptojnë se në thelb janë në të njëjtën anë. Është jeta njerëzore përballë vdekjes. Siç e shprehu Françesku në mesazhin e tij të Pashkës, një përdorim bashkëpunues i burimeve përbën “armët” e paqes: armë që ndërtojnë të ardhmen, në vend që të mbjellin farat e vdekjes!
Në vitin 1939, përpjekja e Piu XI për të ndërtuar një vrull pas një mesazhi të ngjashëm përfundimisht u shua. Institucionet ndërkombëtare si Lidhja e Kombeve u paralizuan dhe konklava e kardinalëve zgjodhi si pasardhës të tij një kandidat që ata mendonin se do të mbështeste vazhdimësinë: Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Eugenio Pacelli. Megjithatë, Papa i ri, i cili mori emrin Piu XII, e shtypi enciklikën antinaziste të paraardhësit të tij dhe ndoqi një qëndrim përgjithësisht më të kujdesshëm që kompromentoi reputacionin e Selisë së Shenjtë si një autoritet moral për paqen. Ishte pikërisht gjatë papatit të tij që erdhi edhe qortimi i famshëm nga Josif Stalini, i thënë gjatë konferencës së Potsdamit në vitin 1945: “Sa divizione ka Papa?”
Ashtu siç Françesku, i cili ka mbrojtur të pambrojturit, ka dënuar nacionalizmin etnik dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore të konflikteve në Ukrainë dhe Gazë, edhe Piu XI i kaloi ditët e fundit të jetës së tij duke përpunuar një mesazh antiracist që mund t’i drejtohej gjithë njerëzimit. Të dy papët patën një zë të brishtë, por moralisht të pakontestueshëm në një botë të përçarë. A do të mundet një mesazh i fundit papnor dhe një funeral i shndërruar në një samit global t’i japë vrull kauzës së paqes? Patjetër që mbetet për t’u shpresuar.