Presidenti serb Aleksandar Vuçiq prej muajsh është përpjekur me ngulm të kontaktojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Pas dështimit total në muajin maj në Florida, nga ku ai u kthye papritur në Serbi në rrethana ende misterioze për shkak të “dhimbjeve në gjoks”, fushata diplomatike që mund të quhet edhe “dua të takoj Trumpin” ka vazhduar.
Udhëheqësit e qeverisë serbe kanë folur vazhdimisht për një lloj dialogu strategjik me Amerikën dhe kthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në “nivelin e tyre të mëparshëm”. Kështu, në fillim të gushtit, u zhvillua një takim midis Ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të cilin pala amerikane praktikisht nuk e komentoi, por megjithatë Gjuriq e vlerësoi takimin si “historik”.
Dëshirave të Presidentit serb iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, i cili gjithashtu dëshiron të takohet me Trumpin dhe i cili e përshkroi shkarkimin e tij si “një përpjekje për ta penguar atë të flasë me Trumpin”.
Kjo kulmoi në kohën kur Asambleja e RS po thërriste një “referendum për Dodikun”, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, nisi një propozim për t’i dhënë Trumpit Çmimin Nobel për Paqen.
Dodik beson se “po minohet” nga të ashtuquajturit “Bidenistë” dhe se gjithçka do të ishte ndryshe nëse do ta kishte informuar Trumpin për të gjitha detajet e ngjarjeve në rajon.
Bazuar në disa veprime të mëparshme, është e mundur të supozohet se Vuçiq dhe Dodik do të përpiqeshin të paraqiteshin në Amerikë si “evropianë konservatorë të MAGA-s” të cilët, ashtu si Trumpi, po ngacmohen nga forcat globaliste të krahut të majtë.
Trumpi – mbrojtësi i autokracisë
Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, i thotë DW-së se Aleksandar Vuçiq është kaq i etur për të takuar Trumpin “sepse e sheh atë mbi të gjitha si mbrojtësin e autokracisë”. Ndërsa Bashkimi Evropian, “pavarësisht nga qasja ndonjëherë llogaritëse e Gjermanisë dhe Francës”, ende këmbëngul në disa vlera të demokracisë liberale.
“Pas presidentëve rusë dhe kinezë, edhe Vuçiq e sheh Trumpin si një aleat ideologjik dhe kjo është arsyeja pse Vuçiq po distancohet nga Evropa. Por këtu ka një pengesë, sepse Trump është pragmatik dhe i orientuar drejt biznesit dhe nuk është i interesuar për afërsinë ideologjike. Ndërsa në këtë fushë biznesi, Serbia praktikisht nuk ka asgjë për të ofruar”, thekson Jakshiq.
Milorad Dodik përdor të njëjtin model si Vuçiq, vazhdon bashkëbiseduesi ynë, duke shtuar, “se ata e shohin Trumpin si një lloj shpëtimtari, por unë kam paralajmëruar më parë se do të ketë zhgënjim pas sloganeve ‘Trump, serb’. Kur shikon faktin se Serbia është ndëshkuar me një tarifë mjaft të lartë prej 35 përqind, që është pasojë e afërsisë së Serbisë me Kinën, shohim se ka shumë pak hapësirë për manovrim për të ndryshuar diçka në mënyrë domethënëse”, thekson Boshko Jakshiq.
Sa mund të ndihmojë Trumpi?
Asgjë nuk mund të rregullohet ose ndryshohet vetëm nga takimi i Vuçiqit dhe Dodikut me Trumpin, thotë historiani dhe ish-ambasadori në Uashington Milan St. Protiq. Sipas tij, Amerika ka gjëra shumë më të rëndësishme për të bërë në botë sesa të takohet me Vuçiqin e Dodikun.
Edhe po të ndodhte në takim i tillë, Milan St. Protiq nuk e ka të qartë se çfarë duan ata nga Trumpi dhe shton se kjo është parë edhe në takimin e Vuçiqit me Trumpin në mandatin e parë.
“Vuçiqi as nuk guxoi të kërkonte një karrige të mirë, por u ul në një stol dhe dukej i humbur në hapësirë. Mendoj se ata vetëm sa do të na turpëronin më tej, sepse me punën e tyre deri më tani kanë treguar se nuk janë të denjë për pozicionin që mbajnë”, beson Protiq.
Izraeli si një portë anësore
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka pasur një kthesë gjithnjë e më të madhe drejt Izraelit, në përpjekjet për të fituar një mbështetje më të fortë amerikane. Aleksandar Vuçiq pothuajse u mburr se Serbia ishte i vetmi vend evropian që furnizonte me armë Izraelin, dhe zbuloi se ka një kontratë të rëndësishme ushtarake për blerjen e armëve nga Izraeli me vlerë 1.64 miliardë dollarë.
Në fillim të korrikut, Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiq, gjithashtu shkoi në një vizitë tre-ditore në Izrael, duke deklaruar se ky ishte fillimi i një bashkëpunimi më intensiv politik dhe ekonomik midis dy vendeve.
Supozimi i autoriteteve në Beograd është ndoshta ky: Trump mbështet pa kompromis Izraelin, dhe kështu ne do të fitojmë favorin amerikan në mënyrë të tërthortë. Të dy bashkëbiseduesit tërheqin vëmendjen te edhe në takimin e parë midis Vuçiq dhe Trump, i cili supozohej t’i kushtohej Kosovës, në fund rezultoi se tema kryesore ishte Izraeli.
Boshko Jakshiq beson se kjo është një përpjekje e Vuçiqit që të arrijë te Trumpi përmes një dere të pasme, por kjo mund t’i kushtojë seriozisht Serbisë. “Mburrja e Vučić-it se Serbia është i vetmi vend që i shet armë Izraelit, në një kohë kur shumë thonë se në Gazë po ndodh një ‘gjenocid’, kërcënon ta bëjë Serbinë bashkëpunëtore në të. Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar për t’u afruar me Trumpin. Unë mund ta imagjinoj se Izraeli dhe Uashingtoni nuk janë fare të intereusar për Vuçiqin”, thotë Jakshiq për DW.
Pse Vuçiqi po injoron Evropën?
Evropa po kritikon akoma pak, por me zë gjithnjë e më të lartë represionin në Serbi. Prandaj autoritetet serbe po i drejtohen gjithnjë e më shumë Amerikës. Anëtarët e regjimit nuk hezitojnë më t’u përgjigjen ashpër zyrtarëve evropianë, gjë që mund të jetë një shenjë se ata nuk e konsiderojnë më Evropën një aktor serioz politik. Ata shpresojnë se do të mbeten në pushtet me ndihmën e Trumpit dhe Amerikës.
Milan St. Protiq thotë se kjo është një llogari e gabuar. “Evropa është mjedisi ynë dhe një faktor vendimtar për ne. Trump do ta përfundojë mandatin e tij, politika amerikane do të kthehet shpejt në normalitet, ndërsa Evropa do të mbetet aty ku është. Si Vuçiq ashtu edhe Dodik janë kundërshtarë të demokracisë dhe për këtë arsye po kërkojnë bashkëbisedues aty ku mendojnë se ka një bazë për një marrëveshje, pavarësisht nga institucionet demokratike”, paralajmëron ish-ambasadori serb në Amerikë.
Një injorim kaq gjithnjë e më i dukshëm i Evropës, të cilin Vuçiç po e tregon, “është i rrezikshëm dhe strategjikisht shumë i gabuar”, thotë Jakshiq. “Jo vetëm për shkak të gjeografisë, por në rregullimin aktual të marrëdhënieve botërore, nuk ekziston vetëm një detyrim politik dhe ekonomik, por edhe moral për të qenë në anën e Evropës në vend të Amerikës, Rusisë apo Kinës. Vuçiq ka vetëm një llogaritje këtu – si të mbetet në pushtet dhe që askusht të mos e dënojë represionin në Serbi. Pra, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme për të cilën Serbia tashmë po paguan, dhe ndoshta do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë”, përfundon Jakshiq./DW