Përmes një konference për shtyp qeveria hapi të premten garën për ndërtimin e një tuneli në Qafën e Llogarasë, i cili do të lidhë rrugën nga Orikumi në Palasë duke shkurtuar ndjeshëm lëvizjen.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa prezantoi detaje nga projekti tha se tuneli mund të ndikojë pozitivisht në ekonomi duke nxitur deri në 550-600 milionë euro të ardhura dhe punësimin “deri të 11,600 personave”.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi zonën të rëndësisë strategjike, teksa shtoi se ajo do të ndërtohet me paratë e buxhetit të shtetit dhe jo nga privati.
“Sot jemi gati të materializojmë këtë projekt, që do të krijojë një aks tjetër, drejt zonës. Rruga më e mirë është që ky projekt të çohet deri në fund nga vetë qeveria dhe të financohet nga buxheti i shtetit,” – tha kryeministri, i cili në fillim të muajit bëri të njëjtin premtim edhe për sa i përket ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.
Projekti i tunelit në Qafën e Llogarasë parashikon rreth 6 kilometër tunel me dy sense lëvizjeje nga Ura e Shën Elizës në Urën e Palasës.
Aktualisht Llogaraja përshkohet për rreth 1 orë, ndërsa me projektin e tunelit, qeveria premton ta bëjë të kalueshëm për 7 deri në 10 minuta nëse automjetet do të lëvizin në të me një shpejtësi 50-80 kilometra për orë.