Augustin Palokaj-Jutarnji List[i]
Megjithëse Bashkimi Europian është gjithnjë e më i shqetësuar për gjendjen në Serbi, si dhe për tensionet të cilët po rriten në konflikte, Brukseli ende vazhdon të mos ketë një qëndrim për tërë situatën, por vazhdon të bëjë thirrje për uljen e tensioneve, dënimin e dhunës dhe thekson se “i ndjek me vëmendje” ngjarjet. Por në Union ka gjithnjë e më shumë nga ata të cilët duan që Komisioni Europian të jetë më i qartë dhe më i ashpër ndaj rregjimit të Vuçiçit, por KE-ja refuzon t’a bëjë një gjë të tillë dhe i përmbahet linjës së vjetër dhe të përgjithësuar e cila dënon dhunën, por nuk bën aq qartë me dije se kujt i drejtohet në këtë rast dhe cilin konsideron përgjegjës për një gjendje të tillë.
Shkak për një qëndrim të tillë të butë të BE-së, i cili vazhdon qëkur kanë nisur protestat në Serbia, është mbrojtja që ka Aleksandër Vuçiçi nga ana e liderëve me ndikim në BE, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Megjithatë, BE-ja është zhvendosur paksa në qëndrimin e saj dhe kërkon nga pushteti serb mbrojtjen e atyre që protesojnë dhe mbrojtjen e gazetarëve. Zëdhënësi i Komisionit Europian për çështjet e zgjerimit Guillaume Mercier, dje i bëri thirrje BE-së “të vëzhgojë me vëmendje situatën në Serbi”.
-Dënojmë fort çfarëdo akti dhune, përfshirë edhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Bëjmë thirrje për dhënien fund të çfarëdolloj përshkallëzimi të tensioneve. Qëndrimi jonë është i qartë: e drejta për demonstrata paqesore dhe lirinë e grumbullimit duhet respektuar, ndërsa pushteti duhet të mbrojë pjesmarrësit e tubimeve nga çfarëdolloj dhune – tha zëdhënësi i KE-së.
“BE-ja kujton edhe rëndësinë e lirisë së mediave dhe lirinë e shpprehjes. Mediat e pavarura duhet të jenë në gjendje të kryejnë rolin e tyre për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së personaliteteve publike dhe institucioneve. Ne vazhdojmë t’a ndjekim nga afër situatën, përfshirë edhe në kontekstin e bisedimeve për antarsimin e Serbisë në BE. Të drejtat dhe vlerat themelore janë thelbi i projektit tonë të përbashkët dhe duhen respektuar” – thuhet në përgjigjen e BE-së për pyetjen në lidhje me përshkallëzimin e situatës në Serbi.
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/raste-bijes-u-europskoj-uniji-ali-u-ek-i-dalje-sute-jasno-je-i-zasto-stite-aleksandra-vucica-15613104?cx_linkref=jl_home_vijesti_prva_pasica
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA