EDITORIAL
Fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u shënua më shumë nga zhurma, spektakli dhe retorika boshe sesa nga përmbajtja, vizioni apo përgjegjshmëria politike. Politikanët u përqendruan në koncerte, batuta mediatike dhe folklorizma që synonin emocionin e momentit, duke anashkaluar debatet mbi sfidat reale që përballet vendi. Në vend të një gare idesh dhe programesh, u panë përpjekje për të fituar vëmendjen e publikut përmes performancës, jo përmes përmbajtjes.
Më 11 maj 2025, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e saj të njëmbëdhjetë parlamentare që nga rënia e regjimit komunist të Enver Hoxhës në vitin 1991.
140 deputete do të zgjidhen në 12 zona zgjedhore shumë-anëtarëshe, duke përdorur një sistem përfaqësimi proporcional me lista të hapura. Pragu zgjedhor kombëtar është vendosur në 1% dhe mandatet do të ndahen sipas metodës D’Hondt(Metoda D’Hondt, e krijuar nga matematicieni belg Victor D’Hondt në vitin 1878, është një sistem për ndarjen e mandateve të deputetëve pas votimeve, që përdoret gjerësisht në shumë vende të Europës dhe të botës. Kjo metodë favorizon zakonisht partitë më të mëdha, duke i dhënë avantazh partisë më të madhe ndaj partive më të vogla, veçanërisht ndaj partisë së dytë më të madhe).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka regjistruar 53 parti politike dhe 3 koalicione. Për t’u kualifikuar për votim, partitë duhet të jenë të përfaqësuara në parlamentin aktual ose të paraqesin 5,000 nënshkrime mbështetëse, ndërsa koalicionet duhet të kenë vende parlamentare ose të sigurojnë 7,000 nënshkrime.
Ndryshimet demografike kanë çuar në ndryshime në ndarjen e vendeve parlamentare midis zonave zgjedhore. Në zonën zgjedhore të Tiranës, për shembull, do të zgjidhen 37 deputetë; në Fier, 16; në Durrës dhe Elbasan, nga 14 secila; në Vlorë, 12; në Shkodër, 11; në Korçë, 10; në Lezhë dhe Berat, nga 7 secila; në Dibër, 5; në Gjirokastër, 4; dhe në Kukës, do të zgjidhen vetëm tre përfaqësues.
Në këto zgjedhje parlamentare, dy blloqe të mëdha politike do të përballen përsëri: Partia Demokratike – Aleanca për një Shqipëri të Madhe (ASHM), e udhëhequr nga Sali Berisha (PD), dhe blloku i Kryeministrit në detyrë Edi Rama (PS), i formuar rreth Partisë Socialiste. Disa parti më të vogla politike do të garojnë gjithashtu në zgjedhje, duke përfshirë Koalicionin Euroatlantik, Lëvizjen Së Bashku, Partinë e Mundësive dhe Nismën “Shqipëria Bëhet”.
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u karakterizua nga një sërë elementesh të veçanta.
Ja disa nga aspektet kryesore:
–Ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Në prag të zgjedhjeve, Kuvendi miratoi ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke përfshirë:
- Përfshirjen e votës së diasporës.
- Përdorimin e një liste të pjesshme të mbyllur për kandidatët, ku një e treta e tyre duhet të jenë gra, për të promovuar përfaqësimin gjinor.
–Koalicione dhe Pjesëmarrje e Partive
Në këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) regjistroi tre koalicione zgjedhore
“Nisma Shqipëria Bëhet-Adriatik Lapaj”
- “Djathtas për Zhvillim”
- “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”,
- Ky koalicion përfshinte 26 parti, duke përfshirë Partinë Demokratike (PD), Partinë e Lirisë (PL), Partinë Republikane Shqiptare (PR) dhe të tjera .
Gjithashtu, u regjistruan gjithsej 15 parti politike si subjekte zgjedhore, përfshirë edhe disa të reja dhe të vogla .
–Sloganet e Partive dhe Mesazhet Kryesore
Partitë politike përdorën slogane të ndryshme për të komunikuar mesazhet e tyre kryesore:
- Partia Socialiste: “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”
- Partia Demokratike: “Shqipëria Madhështore”
- Euroatlantikët: “Shqipëria meriton më shumë”
- Lëvizja Bashkë: “E reja po lind”
- Partia e Mundësisë: “Për një Shqipëri ku ia del me punë”
- Iniciativa Shqipëria Bëhet: “Shqipëria vlen më shumë se partia” Këto slogane pasqyronin fokusin e secilës parti në zhvillimin ekonomik, integrimin evropian, rinovimin politik dhe mundësitë për qytetarët.
–Pjesëmarrja e Diasporës dhe Votimi nga Jashtë
Për herë të parë, parashikohet një pjesëmarrje e konsiderueshme nga diaspora. Për herë të parë, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje përmes votimit me postë.

Edi Rama ka zhvilluar një fushatë të gjerë jashtë Shqipërisë për disa muaj, duke u përqendruar në vendet ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare, si Italia, Greqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht, edhe Partia Demokratike, si dhe disa parti të tjera, kanë organizuar takimet e tyre me diasporën.
Procesi i votimit të diasporës shqiptare për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit 2025 është shoqëruar me një skepticizëm të thellë dhe shqetësime të shumta që hedhin hije mbi besueshmërinë dhe funksionalitetin e këtij procesi. Megjithëse e drejta e votës për emigrantët u mundësua ligjërisht, zbatimi praktik ka treguar se kjo ishte më shumë një veprim simbolik sesa real. Probleme të ndërlikuara ligjore, teknike dhe administrative – si regjistrimi i ngadalshëm dhe i paqartë, mungesa e infrastrukturës për votimin me postë, vonesat në dërgesa dhe mungesa e besimit në institucionet zgjedhore kanë krijuar një klimë mosbesimi te shqiptarët jashtë vendit. Një pjesë e mirë e diasporës ndjeu se procesi ishte i ndërtuar në mënyrë të tillë që në vend t’i përfshinte, i përjashtonte në heshtje. Kjo ndjenjë e përjashtimit, e kombinuar me ndërhyrje politike dhe propagandë të synuar, e shndërroi votimin e diasporës në një proces të kontestuar që, në vend të përforconte demokracinë, rrezikon të thellojë më tej hendekun mes emigrantëve dhe institucioneve shqiptare.
Megjithatë, rezultatet, mësimet dhe përfundimet nga ky proces kaq i rëndësishëm – që për herë të parë mundëson pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet parlamentare përmes votës do të mund të vlerësohen realisht vetëm pas datës 11 maj, kur të jenë bërë publike rezultatet dhe të analizo hen efektet konkrete të këtij angazhimi elektoral.
Masa të Rrepta për Monitorimin e Zgjedhjeve nga SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka angazhuar një strategji të gjerë për të monitoruar dhe hetuar krimet zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri. Kjo strategji përfshin veprime konkrete për të parandaluar dhe ndëshkuar veprimet e paligjshme që mund të cënojnë integritetin e procesit zgjedhor.

1. Monitorimi dhe hetimi në terren
SPAK ka ngritur grupe hetimore që do të operojnë në 61 bashki dhe 12 qarqe të Shqipërisë. Këto grupe do të verifikojnë indiciet dhe denoncimet për veprime të paligjshme, përfshirë blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionin ndaj votuesve. Hetimet do të përfshijnë gjithashtu përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore
2. Monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale
SPAK do të monitorojë mediat dhe platformat e rrjeteve sociale për të identifikuar indicie të mundshme për manipulim zgjedhor, shpërndarje të dezinformacioneve ose fushata të paligjshme elektorale.
3. Hetimi i financave zgjedhore
Një fokus i veçantë do të jetë gjurmimi i fondeve të përdorura për blerjen e votave. SPAK do të bashkëpunojë me Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF) dhe sektorin bankar për të identifikuar dhe hetuar transaksionet e dyshimta që mund të lidhen me aktivitete të paligjshme zgjedhore.
4. Platforma për denoncime
SPAK ka krijuar një platformë online dhe një numër emergjent për të inkurajuar qytetarët dhe institucionet të raportojnë raste të dyshimta të krimeve zgjedhore. Kjo platformë do të mundësojë raportime anonime dhe ngarkimin e provave, duke siguruar një bashkëpunim të ngushtë me publikun dhe shoqërinë civile.
Duhet theksuar se ky angazhim institucional në terren për garantimin e votës nuk është pritur pozitivisht nga Kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësim për strategjinë e SPAK, duke e cilësuar si “survejim” dhe duke kërkuar tërheqjen e saj. Ai theksoi se nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektoral dhe se çdo ndërhyrje e tillë do të ishte një shkelje e lirisë dhe të drejtave politike të qytetarëve.
Megjithatë, SPAK ka mbrojtur strategjinë e tij, duke theksuar se qëllimi është garantimi i të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të votuar në një proces të lirë dhe të ndershëm, si dhe ruajtja e integritetit të procesit zgjedhor.
Një fushatë artificiale në një realitet të vështirë

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u zhvilluan në një klimë politike që më shumë ngjan me një performancë virtuale sesa një përballje të vërtetë për drejtimin e vendit. Në vend që të paraqesin platforma programore dhe zgjidhje konkrete për problemet reale të qytetarëve, partitë politike janë zhytur në një fushatë të zbrazët dhe të stërmbushur me retorikë të personalizuar, sulme denigruese dhe përmbajtje virale që më shumë zbavisin sesa informojnë.
Pavarësisht gjithçkaje, kjo fushatë zgjedhore u karakterizua nga një cekësi e dukshme në program dhe mungesë e qartë e llogaridhënies. Vëmendja u përqendrua më shumë te targetimi emocional i masave sesa te përmbajtja politike apo zgjidhjet konkrete për sfidat e vendit. Kjo qasje u bë evidente që në fillim të fushatës, veçanërisht nga Partia Socialiste, e cila zgjodhi të prezantonte kandidatët për deputetë në një atmosferë festive, ku gratë kandidate u paraqitën me këngë dhe valle, duke e kthyer nisjen e fushatës më shumë në një spektakël sesa në një akt serioz politik.
Gjithashtu, kjo fushatë mund të cilësohet pa hezitim si artificiale, jo vetëm për shkak të mungesës së përmbajtjes, por edhe për përqendrimin e tepruar në mjetet e komunikimit dixhital, ku shpeshherë meme-t dhe përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale zëvendësuan idetë, propozimet dhe debatet mbi çështjet e rëndësishme.
Qytetari i zakonshëm kërkon gjëra të thjeshta dhe thelbësore: një vend pune dinjitoz, arsim cilësor për fëmijët, shëndetësi funksionale dhe një ndjenjë sigurie në jetën e përditshme. Këto janë të drejta themelore që shteti duhet t’i garantojë. Megjithatë, në këtë fushatë, zërat e partive – qofshin në pushtet apo në opozitë – kanë zgjedhur të mos i dëgjojnë këto kërkesa. Ata kanë zgjedhur të flasin për njëri-tjetrin, jo për qytetarin.
Disa nga mungesat kryesore që shënjojnë këtë fushatë janë:
- Mungesa e një debati programor të mirëfilltë midis forcave politike. Nuk ka një vizion të qartë për ekonominë, arsimin apo reformat institucionale;
- Dominimi i komunikimit të personalizuar, ku liderët politikë merren më shumë me akuza e ironi ndaj njëri-tjetrit sesa me ofrimin e zgjidhjeve konkrete;
- Mospublikimi i shpenzimeve financiare, çka tregon mungesën e transparencës në përdorimin e fondeve gjatë fushatës;
- Mungesa e llogaridhënies, si një standard që duhet të garantohet në çdo garë demokratike.
Zgjedhjet janë një moment llogaridhënieje, por kur ato shndërrohen në një spektakël bosh, rezultati nuk është ndryshimi por vazhdimësia e mungesës së përgjegjshmërisë.
Qytetari i zakonshëm kërkon gjëra të thjeshta dhe thelbësore: një vend pune dinjitoz, arsim cilësor për fëmijët, shëndetësi funksionale dhe siguri në jetën e përditshme. Këto janë të drejta themelore që shteti duhet t’i garantojë. Por në këtë fushatë, partitë – qofshin në pushtet apo në opozitë – nuk janë bërë zëri i këtyre kërkesave. Ata kanë zgjedhur të flasin për njëri-tjetrin, jo për qytetarin.
Për pasojë, shumë qytetarë po shprehin hapur vendimin për të bojkotuar këto zgjedhje. Ata ndihen të përjashtuar nga një proces që duhet të ishte për ta. Fryma tallëse dhe përçmuese që ka dominuar komunikimin politik i ka shtyrë shumë prej tyre të largohen jo vetëm nga votimi, por edhe nga vetë besimi se politika mund të sjellë ndryshim.

Shembujt e kësaj klime janë të shumtë:
- Kryeministri Rama ka përdorur gjatë gjithë fushatës një gjuhë të ashpër dhe përçmuese ndaj opozitës, duke shmangur qëllimisht përmendjen e emrit të liderit të saj, z. Sali Berisha, të cilin e ka etiketuar vazhdimisht me nofkën “buf”. Për më tepër, ai e ka quajtur Partinë Demokratike një “kënetë”, duke e zhvlerësuar si forcë politike dhe duke refuzuar ta trajtojë si kundërshtar legjitim.
- Kryeministri Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Atlantike, Lulzim Basha, gjithashtu paten një “përballje” duke i shndërruar përplasjet politike në një “cirk” mediatiko-virtual, duke kërkuar vëmendje në vend të përqendrimit te hallet e qytetarëve.
- Kandidatë që deningrojnë publikisht kundërshtarët e tyre, si rasti në Fier, Zegjineja e Partisë Socialiste versus Gaz Bardhi i Partisë Demokratike
Në këtë mënyrë, politika shqiptare gjatë kësaj fushate mund te themi me bindje se u shndërrua në një meme të madhe në një realitet i bazuar jo në llogaridhënie, jo në premtime të matshme, as në rezultate, por në “show”, folklorizëm dhe përbuzje të ndërsjellë. Kjo klimë e dëmshme jo vetëm që e largon qytetarin nga kutia e votimit, por edhe nga besimi te demokracia si proces.
Në fund të kësaj fushate, përgjegjësia kryesore bie mbi partitë politike, të cilat në vend që të ndërtojnë ura komunikimi me qytetarët, kanë ngritur skena të denja për spektakël, jo për demokraci. Ato kanë neglizhuar, shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve me kandidatura të papërgatitura, retorikë përçmuese dhe mungesë totale transparence. Politika nuk mund të kërkojë votën vetëm për pushtet ajo duhet ta meritojë atë përmes përmbajtjes, vizionit dhe respektit për qytetarin.
© 2025 Argumentum