Dashamir Shehi, kryetari i koalicionit “Djathtas për Zhvillim Kombëtar” ka dhënë dorëheqjen pas rezultatit negativ në zgjedhjet e 11 majit.
Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Shehi tha se mban përgjegjësi për humbjen në zgjedhje.
“Këto zgjedhje ishin një farsë mes PD dhe PS. Listat e mbyllura, votat e diasporës dhe mungesa e komisionerëve nxori këtë rezultat”, tha ai.
Shehi u shpreh se duhen bërë ndryshime kushtetuese, në të kundërt do të vijohet me këto rezultate.
“Do të kërkojmë ndryshime kushtetuese, rishikim të reformës territoriale dhe reformë zgjedhore, në të kundërt do të vazhdojmë me këto rezultate”, tha ai.
“Zgjedhjet i humbëm prandaj largohem, i hap rrugë të tjerëve. Nga gjithë zgjedhjet pati një element pozitiv, partitë të reja e çan rrethimin dhe bravo i qoftë. Uroj të prodhojnë një sinergji politike më të mirë. Vetëm kjo është e mira këtyre zgjedhjeve”, tha ai.
Në zgjedhjet e 11 majit, koalicioni Djathtas për Zhvillim nuk mori asnjë mandat. Ky koalicion arriti të grumbullonte vetëm 6 022 vota në të gjithë vendin.