Werner Daum një diplomat gjerman, jurist dhe autor botimesh mbi historinë e kulturës, ndërroi jetë gjatë një vizite në Shqipëri, ku 35 vjet më parë ka shërbyer si përfaqësuesi diplomatik i RFGJ-së në Tiranë.
Lajmi i shuarjes më 12 korrik 2025 i diplomatit gjerman Werner Daum u komunikua në mediat shqiptare, pasi ai ndodhej këto ditë në Shqipëri, vendi ku përpara 35 vjetësh ishte i pari diplomat gjermano-perëndimor që hapi Ambasadën e RFGJ-së në Shqipërinë komuniste më 1987. Ai asokohe gjatë qëndrimit tre vjeçar në Shqipëri ka pasur një aktivitet intensiv përtej kufijve të diplomacisë duke u angazhuar për hapjen dhe afrimin e Shqipërisë me botën perëndimore. Ai vet në një intervistë historike për DW (2010) është shprehur, se “kam qenë më shumë një ambasador i shqiptarëve tek qeveria ime, se sa anasjelltas”. Daum brenda një kohë të shkurtër falë edhe njohjes së gjuhës shqipe arriti t’i njohë shqiptarët dhe të hyjë në komunikim direkt me njerëzit, sikurse është shprehur ai vet: “Unë e kam dashur Shqipërinë që në fillim, i kam dashur shumë shqiptarët, atë natyrë të mrekullueshme me male dhe det, pyjet. Jam ndierë shumë mirë atje.”
Ironi e fatit, që Daum ndërroi jetë pikërisht në Shqipëri, vendi ku punoi me pasion për hapjen dhe afrimin midis dy vendeve, njeriu që hapi portat e Ambasadës së RFGJ-së fund qershorin dhe fillim korrikun 1990 për pranimin e mijëra shqiptarëve, që në shenjë proteste ndaj sistemit vërshuan drejt selive diplomatike perëndimore për t’i dhënë goditjen e fundit regjimit komunist në Shqipëri, ngjarje që ka hyrë në histori si 2 Korriku.

“Shumë i kënaqur që hapa portat e ambasadës për shqiptarët”
Rreth kësaj ngjarjeje Daum në për DW më 2010 ka shpjeguar atë se çfarë ndodhi ato ditë. Ambasada gjermane pranoi rreth 3200 shqiptarë që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria: “Unë dua të them se nuk ishin 3200 por 3199, por nuk ishte se shqiptarët erdhën në ambasadën gjermane. Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke, unë kisha shumë miqësi me ambasadorin grek, ai quhej Kakabasis, fliste perfekt gjermanisht, kishte ndjekur një shkollë gjermane, ai ishte miku im më i mirë ndër diplomatët. Ai nuk ishte vetëm një mik që fliste gjermanisht si unë, por ne ishim edhe komshinj, pasi ambasada greke ndodhej direkt pranë ambasadës gjermane. Natyrisht që shqiptarët erdhën fillimisht në ambasadën greke, sepse ata ishin shqiptarë që vinin nga jugu i Shqipërisë dhe që flisnin greqisht, dhe mendonin se ndoshta ambasada greke mund t´i ndihmonte ata. Të parët ishin rreth 15 deri 25 veta, të tjerë shkuan tek ambasada egjiptiane, italiane, disa shkuan tek ambasada franceze. Dhe unë u dëshpërova që deri në ato momente asnjë nuk kishte ardhur në ambasadën gjermane. Mua më vinte turp dhe mendova se nuk është e mundur që njerëzit të kërkojnë strehim tek egjiptianët, grekët apo italianët, por jo tek ne. Dhe me ndërgjegje të plotë i thashë punonjësit të sigurimit të kufirit federal se që sot e tutje ambasada do të jetë e ndriçuar në mbrëmje, që të gjitha dritat do të ndizen, dhe se porta e madhe që sheh nga rruga do të lihet e hapur që të bjerë në sy, kanati i derës nuk do të jetë i hapur fare, por i pakyçur dhe kjo duhej të ishte e dukshme. Unë nuk mund ta duroja që njerëzit të mos kërkonin strehim në ambasadën gjermane. Kjo mori dhenë dhe njerëzit e parë erdhën, pastaj erdhën të tjerë, pastaj një kamion që prishi murin rrethues të godinës. Unë këto veprime i përshëndeta, por tani dua të them që kjo nuk u përshëndet nga qeveria ime dhe kjo mu tha në telefon. Unë komunikoja me qeverinë në Bon vetëm nëpërmjët linjës telefonike satelitore, pasi nuk mund të dërgonim fakse apo të shkruanim letra. Duhet thënë se qeveritë flasin për demokraci nëpër tryeza të dielave, por në aktivitetin e tyre ato e kanë për detyrë të ruajnë stabilitetin dhe jo të bëjnë një ndërhyrje aktive. Asnjë qeveri nuk do që amabsada e vendit të tij të mbushet me azilkërkues. Dhe kështu ndodhi, por unë sot jam shumë i kënaqur që e kam bërë këtë, madje edhe pse në kundërshtim me porositë e qeverisë sime.”

Se si e përjetoi Daum Shqipërinë pas ngjarjeve të korrikut?
“Qeveria ime vendosi që ne nuk duhej ta përsërsinim një gjë të ngjashme dhe kjo ishte e drejtë. Për mua personalisht ishte e qartë që ky ishte fundi i rregjimit, se mund të zgjaste ndoshta edhe gjashtë muaj apo një vit, por isha i sigurtë se situata nuk mund të stabilizohej më. Unë isha i bindur se procesi ishte vënë në lëvizje dhe se çdo gjë tjetër do të ndodhte vetvetiu në mënyrë të natyrshme. Qeveria e Bonit tha se gjendja është qetësuar, se njerëzit janë dërguar në shtëpitë e tyre, se unë do të hiqja flamurin gjerman nga ambasada dhe dera do të qëndojë e hapur, kurse unë do të luaja zyrtarisht rolin e kujdestarit të shtëpisë. Kështu unë vazhdoja të merrja rrogën por nëse dikush vinte aty kjo nuk ishte më ambasadë por një shtëpi. Kështu qëndrova rreth një muaj derisa mora një telefonatë nga Boni, prej nga mu njoftua që duhet ta lë Shqipërinë menjëherë, kjo ishte edhe dëshira e palës shqiptare, paçka se unë isha tani vetëm kujdestar i shtëpisë. U largova me makinën time, me fotografitë e prindërve të mi dhe me bizhuteritë e mamasë sime e disa gjëra të mia private. Teksa udhëtoja një grua e moshuar iu afrua makinës dhe theu xhamin e saj me një gur. Kështu udhëtova pa xham deri në Beograd pas 16 orë udhëtimi dhe arrita në ambasadën gjermane atje. Dy ditë më vonë më thanë se unë isha bërë jeshil në fytyrë dhe se nuk kishin parë ndonjëherë një fytyrë të tillë. Gruaja ime, e cila ndodhej në Beograd fillimisht nuk më njohu. Dua të theksoj se unë isha krenar për rolin tim aktiv në një pikë kthese në historinë evropiane, jo vetëm kundër atij rregjimi kriminal në Shqipëri, por edhe kundër qëndrimit kundërshtues të qeverisë sime, që në fakt ishte i kuptueshëm.”
Karriera profesionale
Werner Daum lindi më 14 korrik 1943 në Nyrnberg, studioi në Piza, Beirut dhe në Universitetin Amerikan në Kajro duke u diplomuar në jurispundencë në Frankfurt mbi Main. Si pjesëtar i shërbimit diplomatik të Ministrisë së Jashtme të RFGJ-së stacionet e tij si diplomat kanë qenë, Jemeni, Sudani, Shqipëria, drejtor i përfaqësisë gjermane në seksionin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë. Daum krahas aktivitetit diplomatik ka lënë pas disa botime mbi historinë e kulturës për Shqipërinë “Shqipëria mes kryqit dhe gjysmëhënës” si dhe botime për Jemenin e Sudanin./DW