Marjana DODA
Takimi i Ministrave të Grupit të (G7) 2023 për Klimën, Energjinë dhe Mjedisin i cili u mbajt në Japoni nga data 16-18 Prill nën Presidencën Japoneze të G7 në vend që të adresoje sfidat e përbashkëta globale duket se e ka devijuar kursin e saj drejt gjeopolitikës, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e këtij grupimi.
Por para se ta argumentoj këtë kapërcim të G7 nga një grup për çështjet ekonomike drejt një mjeti gjeopolitik që promovon konfrontimin e bllokut, për një gjykim sa më objektiv, është e nevojshme t’i kthehemi historikut të G7, funksionimit deri ditët e sotme dhe problematikave të tij.
G7 në 1979/CFP
G7 u krijua fillimisht si G5 vitin 1974, me nismën e ish Kancelarit gjerman Helmut Schmidt, Presidentit francez Giscar d’Estaign dhe ish Sekretarit amerikan të Shtetit Henri Kisinger. Ai u bë G7 në vitin 1976, kur u shtuan dhe Japonia me Kanadanë. Në vitin 1998 u bë G8 me Rusinë e cila u pezullua në vitin 2015.
G7 u krijua si një klub ekonomik, platformë diskutimesh të lira, pa vendime por me opinione dhe deklarata që nuk janë zyrtare; gjithsesi, ato kanë me ndikim të madh, sepse aty përcaktohen vendimet e mëvonshme nisur dhe nga pesha e tij e madhe në ekonominë botërore. Vendet e G7 japin 45 për qind të GDP-së botërore dhe ato zotërojnë 2/3 e pasurive të Globit. Në kuadrin e tij zhvillohen takime të ministrave të jashtëm dhe ministrave të tjerë, kryesisht ekonomikë dhe një herë në vit mblidhen Samitet në vendet kryesuese, këtë vit është Japonia.
Mirëpo, në fakt, siç e konstatojnë shumë politologë dhe ekspertë të huaj, forumet e tij të lartpërmendura këto vitet e fundit kanë shkuar pertej caqeve të ekonomisë dhe tregtisë, duke kaluar në trajtimin e temave të mirëfillta politike. Deri në një farë mase kjo është e kuptueshme dhe e lejueshme, kur flitet për terrorizmin ndërkombëtar, mbrotjen e mjedisit, COVID – 19 dhe tema të tjera ku ka pothuajse konsensus të plotë në të gjitha planet dhe me interes planetar.
Problemi është se liderët e G7 futen më thellë se sa duhet në këto tema të mirëfillta politike, dy dhe shumëpalëshe, dhe ç’ është më e keqja, i kanë politizuar tej mase forumet e tyre, duke i kthyer madje në tribuna sulmesh ndaj vendeve të tjera që nuk pajtohen me to. Problemi është se krijohet ideja sikur G7 ka pronësinë mbi të vërtetën absolute, duke u imponuar në të gjitha nivelet dhe me të gjitha mjetet.
Nisur nga sa sipër, Samitet e G7 janë shoqëruar vazhdimisht me kundërshtime dhe protesta paqësore dhe hera herës të dhunshme, me gjithë masat e shumta policore. Ato nuk janë ndalur dhe kur samitet janë zhvilluar në Alpet bavareze gjermane apo të Zvicrës. Kulmi i protestave tejet të dhunshme arriti në Samitin e vitit 2017 në Hamburg të Gjermanisë, ku u vu seriozisht në pikpyetje edhe siguria e liderëve të botës. Hetimi i qindra orgaizatorëve të tyre përfundoi vetëm përpara disa muajve.
Veç kësaj, ka kundërshtime të mëdha ndaj G7 dhe për shkak të mungesës së karakterit të tyre përfaqësues demokratik. Aspekt tjetër që ka të bëjë me skepticimin ndaj G7 është fakti se me përjashtim të Japonisë, 6 vendet e tjera janë antare të NATO-s, BE-së, OSBE-së, KiE-së, etj, ndërsa SHBA-të, Franca dhe Britania janë dhe antarë të përhershëm të KS të OKB-së.
Kësisoj, me të drejtë lind pyetja: kur ato vetë janë në aq shumë forume, përse duhet dhe G7?
G20 në vitin 2016
Plus, është dhe grupimi tjetër G20 ku bëjnë pjesë 19 vende të tjera nga më të zhvilluarat në botë, ndërmjet tyre Kina, Rusia, Turqia, etj dhe BE-ja.
Ca më tepër, G20 ka disa avantazhe kundrejt G7. Së pari, karakterin më masiv, së dyti me peshën e saj më të madhe politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike; vendet e G20 kanë 2/3 e popullsisë botërore, ato japin 80 për qind të GDP-së dhe 75 për qind të tregtisë botërore.
Ja pse, raporti midis G20 dhe G7 përbën një temë tjetër të nxehtë në diplomacinë botërore. Efektivisht, nëse vendimet jo zyrtare të G-20 nuk gëzojnë konsensusin dhe te G20, ato mund të konsiderohen pa vlerë. Dhe kështu ka ndodhur vitet e fundit, kur samitet e G20 kanë përfunduar pa asnjë deklaratë, sepse nuk bihet dakord, sidomos kur vjen puna për sanksione ndaj Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera. Atëhere mbetet vetëm që G7 të imponohet falë forcës së saj politike dhe ushtarake, çka nuk shkon nga pikpamja e të drejtës ndërkombëtare.
Problemi kryesor madhor me G7 është se e ka ndryshuar tërësisht axhendën e tij, duke e tejpolitizuar atë. Faktikisht ai është kthyer në një tribunë politike të shteteve demokratike, ku ato shpalosin alternativat e tyre, duke denoncuar vendet e tjera. Sikur të mos u mjaftonin forumet e tjera shumëpalëshe dhe takimet e tyre dypalëshe!
Këtu vërehet një qëndrim jo fort i drejtë dhe luajal ndaj Kinës, e cila është fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë, antare e përhershme në KS të OKB-së dhe ka pretendimet e saj edhe lidhur me alternativën e saj të demokracisë konsultative popullore.
Kësisoj, në takimin e fundit në Japoni, diplomatët kryesorë nga Grupi i Shtatë demokracive kryesore industriale theksuan nevojën për t’u bashkuar më shumë se kurrë, teksa kritikuan Rusinë dhe Kinën.
Ne, Ministrat e Jashtëm të G7 të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar (MB) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.), dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, nënvizojmë ndjenjën tonë të fortë të unitetit pasi bota gjendet përballë kërcënime të rënda ndaj sistemit ndërkombëtar, duke përfshirë luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.
Raundi i ministrave të Jashtëm të 7 demokracive me ekonomi të fortë i ka kërkuar Kinës të respektojë rregullat ndërkombëtare. “Ne i kujtojmë Kinës nevojën për të ruajtur qëllimet dhe parimet bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të heqë dorë nga kërcënimet, detyrimi, frikësimi apo përdorimi i dhunës”, thuhet në deklaratën përfundimtare të takimit të ministrave të Jashtëm të G7-s në, Japoni.
“Fuqia e solidaritetit në mesin e ministrave të Jashtëm të G7-s është në një nivel që nuk është parë më parë”, tha ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoshimasa Hayashi, gjatë një konference për media.
Shfaqja e solidaritetit vjen pasi gjatë këtij muaji presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se Franca është “një aleat, por jo një vasal i Shteteve të Bashkuara”. Parisi nuk ndan armiqësinë e Uashingtonit ndaj Kinës dhe se ai nuk e sheh krizën e Tajvanit si një kërcënim për Evropën, theksoi ai.
Sigurisht kjo nevoje urgjente për të theksuar apo demonstruar të ashtuquajturin “unitet” dhe ndërhyrja flagrante në sovranitetin e Kinës është një sinjalizues se brenda grupit te G7 ka nje çarje pas thirrjes së Macron që BE të mos bëhet “pasues” i Uashingtonit për çështjen e Tajvanit.
“Nuk ka asnjë ndryshim në pozicionet bazë të anëtarëve të G7 për Tajvanin, përfshirë politikat e deklaruara të Kinës”, thuhet në komunikatën e tyre, e cila gjithashtu “ripohoi” rëndësinë e “paqes dhe stabilitetit” përgjatë ngushticës së Tajvanit si një “element i domosdoshëm në sigurinë dhe prosperitetin në bashkësinë ndërkombëtare”
Kina dënoi deklaratat e bëra në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të G7 në Japoni.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin tha në një konferencë për shtyp në Pekin se ministrat e Jashtëm të G7 kishin ndërhyrë në mënyrë të pahijshme në punët e brendshme të vendit, duke shpifur dhe njollosur me keqdashje Kinën.
“Deklaratat ishin të mbushura me arrogancë, paragjykime dhe qëllime të liga për të shtypur Kinën”, tha ai.
Më lejoni të them gjithashtu se të dyja anët e ngushticës së Tajvanit i përkasin të njëjtës Kinë. Tajvani është pjesë e territorit të Kinës. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kinës nuk janë ndarë kurrë. Kjo është status quo-ja e vërtetë në ngushticën e Tajvanit. Për ata që thonë se ndjekin politikën e një Kine dhe megjithatë e cilësojnë kundërshtimin e Kinës ndaj “pavarësisë së Tajvanit” si “ndryshim i status quo-së”, ata në fakt po inkurajojnë provokimin separatist, duke penguar ribashkimin e Kinës dhe duke bërë një ndarje paqësore. Ky është një largim total nga parimi një Kinë
“Është e rrezikshme të kërkosh të ashtuquajturin solidaritet të disave me çmimin e një bote të ndarë. Bota nuk ka nevojë për një “G1” që dikton vendet e tjera, as bota nuk ka nevojë për një “koalicion vlerash të përbashkëta”. Ajo që i duhet botës është respekti i ndërsjellë, pavarësisht dallimeve në ideologji, vlera dhe niveli i zhvillimit, solidariteti dhe përpjekjet e përbashkëta në përputhje me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një komunitet global me një të ardhme të përbashkët”, theksoi ndër të tjera zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Dhe në Takimin e G- 7 u shpalosën qartë pikpamjet e fuqive më të mëdha perendimore, por veçse kjo nuk duhet bërë në kurriz dhe kundër interesave të vendeve të tjera të mëdha, sidomos të Kinës e as duke ndërhyrë në punët e saj të brendshme dhe parimet e politikës së jashtme.
Le të marrim qëndrimin politik kinez lidhur me konfliktin Rusi – Ukrainë, ku ajo në shkurt të këtij viti me planin e saj me 12 pika, tregoi qartazi një përpjekje diplomatike për paqe. Diçka normale për një vend të madh si Kina.
Gjëja e parë që duhej të bënte SHBA-të dhe Perëndimi në përgjithësi ishte të vlerësonte qoftë dhe për mirësjellje këtë demarsh kinez dhe të hynte në tratativa për të parë mundësinë e realizimit të saj. Mirëpo, fjalia e parë që tha Presidenti amerikan Joe Biden për këtë dokument ishte se “ përderisa atë e pëlqeu Putini, ai nuk ka si të jetë i mirë për ne”.
Pra, kjo iniciative për paqe u paragjykua. Ca më tepër kur Kina nënvizon se dokumenti i saj me 12 pika nuk është propozim, por thjesht qëndrim i saj politik, ku pavarësisht rezervave, ka elementë që disa liderë perendimorë, si Presidenti Macron i kanë vlerësuar.
Ndërkohë, në aspektin demokratik, Perëndimi vazhdon të mbajë standarde të dyfishta ndaj Kinës. Nga njera anë ai shqetësohet dhe i kërkon asaj të ndërhyrjë te Rusia për mospërdorimin e armëve bërthamore, problem madhor sot dhe le ta themi se Kina e ka bërë publikisht këtë gjë; ajo është shpehur publikisht kundër përdorimit të armëve bërthamore, madje dhe kundër cënimit të integritetit territorial të vendeve të tjera.
Mirëpo, sikur të mos mjaftonte lufta në Ukrainë, SHBA-të kanë disa muaj që le ta themi bëjnë veprime të nxituara, për të mos thënë të gabuara provokuese ndaj Kinës në Ngushticën e Tajvanit. Dihet tashmë reagimi pas vizitës së ish Spikeres së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan dhe së fundi vizitës së Presidentes së tij në Uashington, të cilat kanë ndezuar sërish shkëndijat e një konfrontimi të rri më shumë rreziqe dhe pasoja.
Lind pyetja e drejtë nëse ishte koha dhe momenti për të hapur këtë front të ri kërcënues në Ngushticën e Tajvanit, kur të gjithë, bashkë me Kinën, pavarësisht nga rezervat lidhur me qëndrimet e tyre janë përqëndruar në shuarjen e konfliktit ruso-ukrainas? Për fat të keq, kjo është krejt e kundërta e asaj çka SHBA-të bënë 50 vjet më parë me Kinën nëpëmjet ”diplomacisë së ping pongut” e cila bashkë me vizitën historike të Presidentit Nikson çelën një epokë të re në marrëdhëniet amerikano-kineze.
E njëjta gjë mund të thuhet për ndërhyrjet Perëndimit në punët e brendshme të Kinës. Me të drejtë BE-ja dhe SHBA-ka promovojnë shtetin e të drejtës dhe modelin e tyre demokatik prej 30 vitesh në vendet lindore, në Kinë e Rusi.
SHBA-të dhe BE-ja kërkojnë zbatimin e tij kudo dhe në Kinë. Mirëpo, ata harrojnë se megjithë vlerat e saj të provuara, demokracia nuk është mall eksporti. Aq më tepër që si BE dhe SHBA-të, krahas arritjeve të pamohueshme të mëparshme në këtë fushë, sidomos 20 vitet e fundit kanë hasur në vështirësi dhe dështime të mëdha jashtë vendeve të tyre. Përmendim këtu fiaskon e turpshme të SHBA-ve në Afganistan, ku shteti i ndërtuar prej tyre për 20 vjet, me mbi 20 miliard Euro të shpenzuara, 15.000 ushtarë të vrarë dhe 4 presidentë nuk rezistoi dot as tre orë dhe në pushtet erdhën sërish Talebanët! Dhe tani në Uashington ja hedhin fajin njeri tjetrit!
Po Pranvera Arabe, Siria, Libia, Iraku, ku SHBA-të ndërhynë për të hequr qafe diktatorët që shkelnin të drejat e njeriut dhe për demokraci?? Ku janë rezultatet sot? Në vend të një diktature, tani atje sundojnë me zjarr dhe me hekur shumë diktatorë që po bëjnë kërdinë në ato vende. E pra Kina atje nuk ka patur asnjë gisht.
Ndaj, ata nuk kanë të drejtë që t’i imponohen Kinës me modelin perendimor. Kjo e fundit ka demokracinë e saj alternative kosultative. Imagjinoni tani Kinën që t’u imponohet vendeve të tjera me këtë lloj demokracie, me pretendimin se ajo është më e mira. Në këtë rast, nga pikpamja e realpolitikës është mirë që të bashkëekzistojnë të dyja këto modele demokratike dhe në vend të kthehen në ”mollë sherri” të shërbejnë për zgjidhjen më efektive të tematikave shpërthyese planetare.
Natyrisht mund të bëhen vërejtje e kritika dhe ndaj Kinës, dhe anasjelltas, po kjo jo me ultimatume dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të saj.
Nuk po hyjmë pastaj në problemet e mëdha të demokracisë në SHBA dhe Europë, se ato janë tashmë të njohura dhe pa asnjë lidhje me Kinën, ndonëse dhe për deficitet demokratike atje sërish mundohen të fajësojnë Kinën.
Ca më pak, kur siç po shihet, shteti i të drejtës i BE-së dhe SHBA-së po gërryhet brenda vetë tyre me shumë fakte të njohura. Mjafton të përmendim sulmin mbi Capitol Hill më 6 Janar 2021, akuzat ndaj ish Presidentit Trump dhe ” demokracine liberale” që advokohet në disa vende antare të BE-së, për të mos shkuar te BREXIT famëkeq, përshkallëzimi i ekstremizmit, etj.
Natyrisht Kina ka sfidat e veta në këto dhe të tjera fusha, ajo i njeh dhe po punon për t’i riparuar ato dhe për një bashkëpunim më të madh në planin shumëpalësh. Të mos harrojmë se Kina nuk ka denoncuar dhe nuk është larguar nga asnjë forum shumëpalësh, SHBA-ja nën Presidentin Trump u largua nga 10 të tilla, duke përfshirë OBSH-në, dhe Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, etj.
Pastaj, të mos harrojmë historinë e Kinës, trashëgiminë e saj politike dhe historike, spcifikat dhe madhësinë e saj dalluese nga vendet perendimore
Në këto kushte, ndoshta do të ishte më e udhës për Perëndimin që të tregonte më shumë mirëkuptim dhe tolerancë, durim dhe shfrytëzim të kanaleve dhe mjeteve diplomatike me Kinën. Por jo me ultimatume dhe duke injoruar faktin se Kina është vend super i madh dhe me synimet e saj gjeopolitike.
Ose shikoni pështjellimin e krijuar pas vizitës së Presidentit Macron në Kinë përpara disa ditësh. Pas kthimit nga Pekini ai u shpreh se BE-ja duhet të krijojë identitetin e vet, e pavarur nga SHBA-ja dhe e barazlarguar nga Kina. Një tezë e dobishme, mbi të cilën vlen të diskutohet dhe të debatohet; por, ajo hasi në një stuhi të madhe diplomatike dhe mediatike në Perëndim.
Makron vizitoi Kinën/Xinhua
Madje vete axhenda e takimit ministrial të G7 sikunder theksova më sipër ishte e përqëndruar të minimzonte deklaratat e Macron.
Në aspektin ekonomik, në transaksionet tregtare, po, SHBA-të dhe BE-ja janë në të drejtën e tyre të kërkojnë nga Kina tansparencë, konkurrencë, veprime të ndershme dhe reciprocitet. Ashtu sikurse dhe ato vetë duhet të japin shembullin. Mirëpo shihni SHBA-, Biden miratoi Ligjin e Reduktimit të Inflacionit, i cili është kundër interesave të firmave europiane, duke krijuar krisje ndërmjet tyre. Tani, në këto kushte t’i kërkosh Kinës të bëjë atë që BE dhe SHBA nuk po e bëjnë dot dhe ta qortosh atë, kjo tingëllon luks i paarritshëm.
Shqetësimi tjetër është se duke trajtuar disa probleme gjeopolitike me ndjeshmëri të madhe publike, SHBA e të tjerë pothuajse mohojnë dhe qortojnë gjithçka bën Kina në arenën ndërkombëtare; madje dhe disa arritje/kontribute të saj pozitive të vlerësuara nga organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.
Konkretisht, ndërsa sekretarja amerikane e Financave, zonja Yellen dhe ditët e fundit e kritikoi Kinën, shefja e Bankës Botërore, Gjeorgjieva vlerësoi disa hapa të saj lidhur me ristrukturimin e borxheve në disa vende në zhvillim. Dhe kjo në një kohë kur në negociatat për adresimin e problemit shqetësues të borxheve nga vendet në zhvillim e ku Kina ka rol kryesor janë në proces dhe Kina ka treguar seriozitet, vullnet politik dhe ekonomik!
Flitet shumë për vartësinë e madhe të Perëndimit nga Kina në tregti, ekonomi, etj. Tani po kërkohen masa dragoniane për çlirimin prej kësaj vartësia, duke qortuar sërish Kinën. Mirëpo, bashkëpunimi me të deri tani ishte vendim i lirë demokratik i vendeve perendimore dhe jo imponim nga Kina në kuadrin e globalizimit dhe leverdisë ekonomike. Ndaj, të mos i kërkojmë kësaj të fundit distancim, përpara se Perëndimi të vendosë rregull në shtëpinë e vet.
Presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva vizitoi Kinën /Xinhua
SHBA dhe vende të tjera perendimore shprehin një habi se si ka mundësi që vendet e Amerikës Latine, si Brazili, Argjentina nuk u janë bashkuar atyre në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në përgjithësi gjeopolitikës së NATO-s. Fakti është se ato kanë shumë rezerva për politikat e SHBA-ve dhe të NATO-s niosur nga gabimet e kaluara që Perëndimi ka bërë e që i përmenëm dhe më lart. Veç skepticizmit ndaj Perëndimit, Brazili, Argjentina, India, etj janë pragmatikë dhe e vlerësojnë partneritetin me Kinën dhe me Rusinë.
Sigurisht ato e kanë dënuar agresionin rus, por ndërkohë janë për paqe atje, dhe nuk u ka pëlqyer provokimi nga Perëndimi me zgjerimin e NATO-s në Lindje si dhe shumë veprime të tjera të dështuara perendimore në vendet arabe, Afganistan dhe gjetkë.
Po ashtu, po u kërkohet vendeve të Ballkanit dhe Europës Juglindore në përgjithësi të largohen nga Mekanizmi Kinë-EQL e cila është mirëpritur nga ato vende. Mirëpo, se ku qëndron e keqja e asaj nisme ekonomike e tregtare, këtë askush nuk e thotë!
Ndërsa sa i përket të ashqtuquajtures ”Diplomacia e borxheve e Kinës” e cila konsiderohet e rrezikshme nga ana e Perëndimit, duhet thene se deoemos, nëse ti nuk je në gjendje të zbatosh kontratat, do të kesh pasojat e rastit, siç ndodh kudo dhe në Perëndim. E pamë se si falimentuan dy nga bankat më të mëdha në SHBA dhe në Zvicër javët e fundit. Këto rreziqe nuk kanë ardhur nga Kina sikunder akuzohet për gjithçka.
Le të shpresojmë se retorika e ndarjes ideologjike të blloqeve të stilit të Luftës së Ftohtë që u promovuan në takimin e ministrave të Jashtëm të G7 të mos përsëritet edhe në Samitin e G7 të planifikuar që të mbahet në maj të ketij viti.
Sot më shumë se kurrë, ndërsa ndodhemi përballë sfidave gjeopolitike të njëpasnjëshme kemi nevojë për shumë solidaritet dhe bashkëpunim./CRI