Rrjetet sociale Facebook, Google dhe Twitter kanë bërë progres në rritjen e transparencës në reklamat politike që shfaqin, por dy të fundit nuk po veprojnë mjaftueshëm në këtë fushë, theksoi Komisioni Europian.
Komisioni ka nxjerrë vlerësime çdo muaj që prej dhjetorit, kur BE nisi një plan-veprimi për të luftuar dezinformimin.
Iniciativa u ndërmor në kuadër të një kodi sjellje vullnetarë të BE që gjigantët e internetit e firmosën në muajin tetor.
Zgjedhjet e BE në fund të majit, veçanërisht, shihen si të cënueshme nga sulmet e dezinformimit.
Komisioni tha se i ”mirëpriste përpjekjet e Facebook, Google dhe Twitter për të filluar etiketimin e reklamave politike si dhe lëvizjet nga Facebook dhe Twitter për të vënë në dispozicion të publikut regjistrat e tyre të reklamave”.
”Tre kompanitë, megjithatë, duhet të përmirësojnë teknologjinë e tyre në mënyrë që ekspertët e palëve të treta, si kontrolluesit e fakteve, të mund të vlerësojnë reklamat”, tha komisioni.
Ai kritikoi gjithashtu kompanitë Google dhe Twitter në mosavancimin e rritjes së transparencës në reklamat politike, për shkak të rëndësisë që kanë në zgjedhje.
Ndër të metat e tjera që Komisioni përmendi ishte dështimi i Twitter për të siguruar pasqyrimin e veprimeve të ndërmarra kundër spam-eve dhe llogarive të rreme që janë të lidhura me aktivitetin nga përdorues në Bashkimin Europian.
Facebook, ndërkohë, nuk ka dhënë detaje se si veprimet e tij kundër dezinformimit – duke përfshirë edhe çaktivizimin e “tetë rrjeteve të koordinuara të sjelljes joautentike”, prekin përdoruesit e BE.
Nëse veprimet e ndërmarra vullnetarisht nuk mjaftojnë, komisioni ka paralajmëruar se mund të vendosë rregulla detyruese.
Ai do të nxjerrë një raport gjithëpërfshirës në fund të vitit.