Me rastin e Ditës së Fitores, 9 maj, një aktivitet simbolik i mbjelljes së pemëve u organizua nga Ambasada Ruse në ambientet e saj. Në territorin e misionit diplomatik u mbollën mështekna të bardha, pemë ulliri, pishë malore dhe dafinë. Së bashku me Ambasadorin Mikhail Afanasiev e nëpunësit e ambasadës, në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Rusi dhe organizatave të bashkatdhetarëve rusë që jetojnë në Shqipëri. Ceremonia u organizua me mbështetjen e përfaqësisë së Agjencisë Federale “Rossotrudniçestvo”.
Fatkeqësisht, për shkak të kufizimeve të vendosura në vend në lidhje me situatën e pafavorshme epidemiologjike, nuk mundën t’i bashkoheshin këtij aktiviteti shumë njerëz që dëshironin. Shpresojmë që pemët e reja të mbjella në kujtim të heronjve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore do të kënaqin mysafirët dhe stafin e ambasadës për shumë vite.
Më herët Ambasada Ruse në Tiranë ka uruar shqiptarët me rastin e Ditës së Dëshmorëve – 5 maj, që shënohet në Shqipëri çdo vit, duke përcjellë për të gjithë urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Dëshmorëve të atdheut të tyre.
“Vepra heroike, sakrificat e dëshmorëve dhe kontributi i vlefshëm i popullit shqiptar në shkatërrimin e nazifashizmit do të mbahet mend përgjithmonë nga populli rus,” thuhet në mesazhin e Ambasadës Ruse në Tiranë.
© Argumentum