Nga dita e sotme mund të shkosh në burg për “vrasje me atentat me virus”! Ndoshta duket si shaka, por në fakt nuk është tamam kështu.
Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi në seancën e sotme Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe tashmë do dënohesh nëse përhap virusin ose sëmundjen që mund të kesh në kushte pandemie.
Përfaqësues të Partisë Socialiste kanë deklaruar se përmes amendimeve të sotshme është marrë parasysh edhe paketa e propozimeve të Presidentit një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, duke i dhënë ndryshimeve një frymë konsensusi.
Por çfarë sjellin këto dispozita?
Ato parashikojnë sanksione administrative dhe penale për ata persona që nuk zbatojnë kërkesat apo urdhëresat e institucioneve përkatëse për sa i përket masave që lidhen me epidemitë.
Dispozitat e miratuara në Kuvend janë si më poshtë:
-Shkelja e masave të dhëna gjatë fatkeqësisë natyrore, kur më parë është dhënë masë administrative, dënohet me gjobë ose burg deri në 6 muaj.
-Shkelja e rregullave të dhëna gjatë fatkeqësisë natyrore gjatë aktiviteti tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me burg deri në dy vite.
-Shkelja e rregullave të karantinimit apo izolimit, kur personit i është njoftuar individualisht ky detyrim nga autoritetet përkatëse shëndetësore, dënohet nga dy deri në tre vjet.
-Përhapja me dashje e sëmundjes, nga personi që është diagnostifikuar me sëmundjen apo që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burg nga dy deri në pesë vjet.
-Përhapja nga pakujdesi e sëmundjes, nga personi që është diagnostifikuar me sëmundjen apo që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me gjobë ose burg deri në dy vjet.
-Shkeljave e masave për parandalimin e sëmundjeve, që sjell pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve, dënohet me burg nga tre deri në tetë vjet.
Ndryshimet hasën në kundërshtime
Deputetët e opozitës e cilësuan antikushtetuese, kundër rregullores dhe procedurës parlamentare përfshirjen në rendin e ditës propozimin për shndërrimin në vepër penale të shkeljes së karantinës të dënueshme deri me 15 vite burg.
Deputeti Myslim Murrizi tha se koha e vendosur për rreth 120 minuta për shqyrtimin e 23 akteve që janë në rendin e ditës është e pamjaftueshme. Ai tha se është shkelur edhe procedura, pasi rendi i ditës nuk është publikuar 48 orë më parë.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se rendi i ditës është bërë publik 24 orë më parë. Ai pranoi se rregullorja nuk është respektuar sa i përket kohës për të diskutuar çështjet, por tha se kjo diktohej nga situata e pazakontë në të cilën ndodhet vendi.
Deputeti Ralf Gjoni e përqendroi fjalën e tij tek ndryshimet e propozuara për të cilat tha se po keqpërdorej për interesat të tjera deputetja socialiste, Edlira Bode. “Keqpërdorimi që po i bëhet një deputeteje për të ndryshuar Kodin Penal për të trajtuar qytetarët shqiptarë si kriminelë…Amendamenti i zonjës Bode për të amenduar Kodin Penal është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe procedurat parlamentare. Është i papranueshëm në këto kushte dhe mënyrën sesi është prezantuar vjedhurazi në Komisionin e Ligjeve. Të tregohet dinjiteti minimal dhe ta tërheqë amendimin e Kodit Penal. Të respektohet rregullorja, procedura dhe Kushtetuta”, tha ai.
Rudina Hajdari tha se mijëra qytetarë e biznese të vogla janë në një vështirësi të madhe financiare. Deputetja deklaroi se bankat vazhdojnë të kërkojnë kreditë prej klientëve të tyre si në një situatë normale, pavarësisht deklaratave të Kryeministrit Edi Rama. Edhe ajo doli kundër ndryshimeve në Kodin Penal.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetja e PS-së Klotilda Bushka
Debati për ndryshimet
Por për të ardhur deri këtu u desh një rrugë e gjatë dhe me shumë debate. Pak ditë më parë Komisioni Parlamentar i Ligjeve i dominuar nga deputetët e Partisë Socialiste debatoi në një grup chati me video një numër propozimesh të prezantuara fillimisht nga Kryeministri Edi Rama, e më pas të materializuara nga propozime të deputetes Edlira Bode, përmes të cilave, shkelja e rregullave të distancimit social të vendosura nga qeveria duke shkaktuar përhapjen e sëmundjeve infektive, dënohet me gjobë, ose me burg dhe, nëse ka shkaktuar viktima, pra vdekje nga sëmundja infektive, dënohet me deri 15 vjet burg.
Propozimi parashikonte krijimin e disa veprave të reja penale në Shqipëri, të cilat do të zbatohen vetëm në rastet e pandemive apo fatkeqësive natyrore dhe do të dënojë shkelësit me gjobë ose me burg deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Propozimi fillestar i hedhur nga kryeministri Edi Rama, u dënua nga organizatat e shoqërisë civile si një propozim i pavend, që bie ndesh me frymën e humanizmit që mbart Kodi Penal dhe cenon dinjitetin njerëzor.
Propozimi shkaktoi gjithashtu shqetësim për shkeljen e parimeve të ligjvënies përmes një procesi të rregullt konsultativ.
Propozimi erdhi në një kohë kur Shqipëria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa nga pikëpamja praktike, duke qenë se ndryshime të tilla ligjore normalisht do të hyjnë në fuqi pas disa muajve, d.m.th. pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme aktuale dhe që për rrjedhojë, nga pikëpamja praktike, mund të presin deri sa vendi të kthehet në normalitet. Por deputetët socialistë u shprehën veçanërisht të etur që jo vetëm t’i miratonin propozimet, por t’i miratonin ato shpejt.
Pas një debati mbi vendndodhjen e propozimeve në Kodin Penal, u përcaktua që këto vepra penale të shtohen pas nenit ekzistues 293 pas germës d, në kreun VIII, “Krime kundër autoritetit të shtetit”.
Propozimi parashikonte mes të tjerash që, në rast se një person i infektuar me një sëmundje infektive, shkel urdhrat e qeverisë për mbyllje në shtëpi apo vetëkarantimin, apo karantinim, dhe nëse kjo shkelje shkakton pasoja në vdekjen e personave të tjerë, atëherë personi dënohet me deri 15 vjet heqje lirie.
Me pak fjalë, nëse një bartës i koronavirusit del në rrugë në kundërshtim me urdhrin e qeverisë, pavarësisht nëse është apo jo në dijeni se është mbartës i virusit duhet të dënohet, por vetëm pasi të vërtetohet se akti i tij në shkelje të urdhrit ka shkaktuar infektime të tjera. Dhe në rast se këto infektime të tjera kanë shkaktuar vdekje, atëherë dënimi rritet.
I vetmi zë brenda mazhorancës që i kundërshtoi këto ndryshime ishte ish Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, i cili gjatë diskutimit mbi ndërhyrjet në Kodin Penal hoqi një paralele me të drejtat themelore të njeriut duke bërë thirrje për të pasur kujdes.
“Ndërhyrja në Kod duhet të shënojë një ngjarje të rëndësishme. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ndërhyrjen në Kodet, pasi preken të drejtat themelore të njeriut. Veçanërisht kur bëhet fjalë për ndryshimin e Kodit Penal dhe preken marrëdhënie shumë delikate të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut shpesh herë me pasoja të pakorrigjueshme për jetët e njerëzve.
Propozimet e sjella duhet të bazohen në konsultim të gjerë dhe jo në propozime emocionale të inicuesve”
Dënimi i Shqipërisë për shkeljen e karantinës, ndër më të ashprit në botë
Kryeministri Edi Rama duke mbrojtur ndryshimet e Kodit Penal ne Parlament
Argumentum.al shqyrtoi disa nga legjislacionet penale në botë për dënimet në rastet e shkeljes së karantinës. Kryesisht ato variojnë nga gjobë deri në shtatë vjet burg.
Italia bën përjashtim, nga vendet e tjera sepse parashikon dënim deri në 21 vite vetëm për personat, që e dinë që janë të infektuar dhe e thyejnë karantinimin.
Kodi penal kinez parashikon se çdokush që thyen masat e marra për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe rrezikon të infektojë qytetarë të tjerë dënohet jo më shumë se tre vjet burg. Nëse shkakton pasoja të rënda përfshirë vdekjen e personave të tjerë dënohet nga tre deri në shtatë vjet burg.
Dënimin me një vit burg e kanë dhe disa shtete në SHBA,ndërkohë shtetet e tjera parashikojnë gjoba deri në 10 mijë dollarë, për ata që shkelin karantinën.
30 organizata të shoqërisë civile dhe AP kundër nismës
Të premten, 30 organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut i bënë thirrje Kuvendit të mos miratojë propozimin e qeverisë për ndryshimin e kodit penal, ku ka kërkuar dënime të ashpra për ata që thyejnë masat e kufizimit të lëvizjeve nën epidemi.
Tridhjetë organizata të shoqërisë civile, mes të cilave edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, e konsiderojnë propozimin si johuman, në raporte disporporcionale dhe që mund të krijojë bazë për vendime arbitrare.
Në një deklaratë të përbashkët, të shpërndarë për mediat organizatat vënë në dukje faktin se ndryshimet po kërkohen pa u mbështetur në ndonjë studimi të thelluar mbi nevojën e më shumë masave të ashpra.
Avokati i Popullit, Erinda Ballanca
Po ashtu edhe Avokati i Popullit, Erinda Ballanca deklaroi se ndryshimet e Kodit Penal janë të paligjshme, pasi u miratuan në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurën parlamentare.
Në një intervistë për Abc News, zonja Ballanca u shpreh:
“Ndryshimet janë kryer në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurën parlamentare. Të tilla veprime nuk janë legjitime dhe nuk janë në nderin e personave që janë në Komisionin e Ligjeve.”
Zonja Ballanca pohoi ndryshimet në Kodin Penal sjellin pasiguri tek qytetarët, pasi në këtë kohë qytetarët e kanë të pamundur të njihen me normën. Ajo shtoi se shumë prej vendimeve të qeverisë nuk janë botuar në Fletoren zyrtare, duke lënë qytetarët në pasiguri nëse veprimi që po kryejnë është ose jo i ligjshëm.
Meta e kalon me gjasme amendime, Basha mbyll sytë
Në kohën që Parlamenti po diskutonte ndryshimet në Kodin Penal, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së epidemive dhe pandemive, nga Presidenca doli një deklaratë ku i kërkohet Kuvendit që të tërhiqet nga votimi i këtyre ndryshimeve.
Presidenti Ilir Meta thotë se reagimi është nxitur pas njohjes me përmbajtjen e dokumentit dhe me komentet e Avokaatit të Popullit, institucioneve të tjera shtetërore dhe organizatave e shoqatave të shoqërisë civile.(link)
Meta kërkon që ndryshimet të kenë qartësi, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike në mënyrë që qytetarët të mos mendojnë se mund të jenë subjekt i një procedimi penal në mënyrë të padrejtë. Presidenti thotë se propozimi në fjalë e ka krijuar këtë shqetësim.
Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha
Për habi të të gjithëve ishte reagimi i opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha. Dy ditë më parë Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka refuzuar të mbajë qëndrim në lidhje me paketën e ndryshimeve të Kodit Penal, të cilat përmbajnë dënime për shkelësit e karantinës që janë cilësuar gjerësisht johumane dhe antikushtetuese.
Ai u pyet direkt nga gazetarja Sonila Meço se çfarë mendimi ka për këtë paketë, por ju shmang përgjigjes.
Basha pretendoi se nuk është i sigurt se çfarë do miratohet në seancë, duke u justifikuar se Rama ndërron shpesh mendje, edhe pse përmbajtja e propozimeve është e ditur dhe është debatuar gjerësisht në publik. “Njerëzit të dinë me transparencë se çfarë ndodh, kjo vlen si për paketën financiare, testimet edhe për ndryshimet që do ti bëhen legjislacionit”, tha Basha.
Përsa më lartë, duket se Kodi Penal është miratuar me konsensusin e klasës politike dhe me kundërshtinë e të gjithë të tjerëve. Shqipëria tashmë ka në Kodin e vetë Penal një dënim për ata që shkelin rregullat e qeverisë. Me shpresën se kjo pandemi nuk do të përsëritet më, që ky ligj të mbetet i pazbatueshëm dhe si një damkë e atyre që kanë ngritur kartonin jeshil në Kuvend./h.e
/argumentum. al/
Argumentum