Genc Mlloja
Të shkruash për Iniciativën ‘Një Brez, Një Rrugë’, veçanërisht në një rast të tillë sikurse është 10-vjetori i fillimit të rrugëtimit të këtij mega-projekti zhvillimi mbarëbotëror, nuk mjaftojnë mijëra e mijëra faqe, dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se janë të panumërta librat, studimet, shkrimet, reflektimet mbi të djeshmen, të tashmen dhe të ardhmen e kësaj rruge e njohur që në kohët e lashta si Rruga e Mëndafshit (Silk Road) të botuara nga studjues të mirënjohur, analistë e gazetarë, por edhe politikanë të të gjitha kontinenteve, çka flet për rëndësinë e madhe që tregohet për këtë ‘Rrugë’ historikisht ura lidhëse e Kinës me të gjithë kontinentet.
Kur u nis si projekt i shpallur nga Presidenti Xi Jinping më 2013 shumëkush, kryesisht në Perëndim, jo vetëm e panë me skepticizëm, por ai u ndesh me një mobilizim të shfrenuar të propagandës së shumë prej këtyre vendeve për ta quajtur atë utopi, që shprehte, sipas tyre, ambicien e Kinës për ekspansion, por e ‘parealizueshme’. Këtij kori iu bashkuan nga zori edhe ata qarqe studiuesish, që e ndjenin se ky mega-projekt është shpallur për tu realizuar sepse e dinin që Rruga e Mëndafshit ka qenë gjithnjë ëndërr e popullit kinez për të rikthyer të kaluarën e saj në kohërat e reja – në shekullin e 21-të- si rruga e komunikimit midis Lindjes dhe Perëndimit të largët, e shkëmbimeve në të gjitha fushat midis popujve, e kësisoj udhëheqja e Pekinit e ndjente veç të tjerash si detyrim ndaj popullit të saj por edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar për të realizuar këtë projekt.
Që kur u shpall më 2013 si projekt më ka impresionuar mbi të gjitha fakti se Rruga e Mëndafshit kishte ekzistuar gjatë të gjitha kohërave e veshur me misticizmin e saj të mahnitshëm, që nga nisja e saj më 138 BC pas një ekspedite të Zhang Qian, që konsiderohet të jetë themeli i Rrugës së Mëndafshit të parë. Pas kthimit të tij në Kinë ku ishte në sundim dinastia Han, arritja e tij më e rëndësishme ishte të demonstronte mundësinë për një udhëtim të gjatë të sigurt në ‘botën e largët’ nëpër një rrugë të lashtë tregtare, që lidhte botën perëndimore me Lindjen e Mesme dhe Azinë. Ajo u kthye më vonë në një arterie kryesore për tregtinë midis Perandorisë Romake dhe Kinës dhe më pas midis mbretërive mesjetare evropiane dhe Kinës.
Rruga e Mëndafshit, që shtrihej afërsisht 6,437 kilometra nëpër disa nga peizazhet më të magjishme por të rrezikshme në botë, duke përfshirë shkretëtirën e Gobit dhe malet Pamir, shërbeu jo vetëm si rrugë për eksportimin e mallrave të tilla si mëndafshi, erëza, metale të çmuara, minerale artizanale, arkitekturë dhe piktura, por gjithashtu transmetonte shkëmbimet kulturore midis popujve nëpërmjet shfaqjeve teatrale, vallëzimeve dhe artit muzikor. Rruga e ‘Madhe’ e Mëndafshit, sikurse e kanë quajtur disa historianë të mirënjohur, luajti një rol të madh edhe në përhapjen e feve ndër shekuj.
Shpejtësia e transportit detar, mundësia për të transportuar më shumë mallra, kostoja relativisht më e lirë e këtij lloj transporti nëpër oqeane e detyra çuan gradualisht në rënien e interesit për Rrugën e Mëndafshit në fund të shekullit të 15-të, e cila edhe me kalimin e kohës nuk u fshi kurrë nga mëndja e popullit kinez, por edhe e popujve të atyre vendeve ku kishte kaluar. Përkundrazi ngjau rikthimi i saj si i shumë projekteve dhe iniciativave të mëdha globale kineze në skenën botërore, i fuqishëm madje, si një ndër platformat gjigande infrastrukturore më të mëdha në botë nga toka, deti dhe ajri.

Pikërisht më 7 shtator 2013, Presidenti Xi Jinping dha lajmin e bujshëm në një fjalim të titulluar “Promovoni miqësinë midis njerëzve dhe krijoni një të ardhme më të mirë” mbajtur në Universitetin Nazarbayev të Kazakistanit, ku bëri një elaborim gjithëpërfshirës të politikës së Kinës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim miqësor me vendet e Azisë Qendrore, duke propozuar bashkimin e forcave për ndërtimin e një brezi ekonomik të Rrugës së Mëndafshit me një mënyrë bashkëpunimi inovativ dhe për ta bërë atë një kauzë madhështore, që të përfitonin njerëzit në vendet e rajonit përgjatë rrugës. Xi nënvizoi në prezantimin e tij në atë kohë se gjatë mbi 20 viteve, Rruga e lashtë e Mëndafshit po zhvillohej plot vitalitet të ri me zhvillimin e shpejtë të marrëdhënieve të Kinës me vendet aziatike dhe europiane. Sipas tij, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore të bashkëpunimit me vendet e Azisë Qendrore është një prioritet i politikës së jashtme të Kinës.
CFP
Me atë rast Xi Jinping solli në kujtesë se historia mbi 2000-vjeçare e shkëmbimeve midis popujve kishte dëshmuar se vendet me dallime në racë, besim dhe prejardhje kulturore mund të ndërtonin dhe forconin paqen dhe zhvillimin për sa kohë që ata ngulin këmbë në unitet dhe besim të ndërsjellë, barazi dhe përfitim e tolerancë reciproke dhe mësimin nga njëri-tjetri, si dhe bashkëpunimin me rezultate përfitimi reciprok (win-win).
Dhe sa realist ishte kryetari i shtetit të fuqisë së dytë më të madhe botërore- Republikës Popullore të Kinës, kur shpalli këtë megaprojekti infrastrukturor të paparë ndonjëherë në botë më shumë se kurrë e shikon dhe e ndjen i gjithë komuniteti ndërkombëtar në këtë 10 vjetor (2013-2023) sepse mbi të gjitha Rruga e Mëndafshit, e cila ka evoluar në një stad të ri e mbiquajtur ‘Një brez, një rrugë’ (BRI), ka bashkuar deri në gusht 2023 më shumë se 155 vende në tre kontinente – Azi, Afrikë dhe Europë- dhe suksesi i këtij projekti shprehet me nënshkrimin e 215 dokumenteve të bashkëpunimit. Për sa u përket projekteve të kontraktuara nga jashtë, ndërmarrjet kineze kanë nënshkruar kontrata të reja me vlerë 47.64 miliardë dollarë me vendet përgjatë BRI.
Për të festuar sikurse e meriton këtë arritje por edhe për të hapur horizonte të reja të saj do të mbahet në Pekin në muajin tetor forumi i 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi ‘Një brez, një rrugë’, që është kthyer një ndër platformat më të mëdha të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe produkti publik më i parapëlqyer nga popujt e vendeve të ndryshme.
Vetë motoja e zgjedhur në përkujtimin e dekadës së parë të iniciativës ‘Një brez, një rrugë’- “Rrugëtimi drejt një Komuniteti me një të Ardhme të Përbashkët për Njerëzimin”- pasqyron synimin e saj për të nxitur zhvillimin bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës global duke i ofruar njerëzimit përmirësimin e nevojshëm në lidhjet e transportit për të rritur komunikimin, shkëmbimet kulturore dhe potencialin transformues për të ardhmen më të mirë për brezat që do të vijnë.
Dhe në fakt është moment për tu festuar duke parë që gjatë 10 viteve të fundit rrethi i miqve të BRI ka vazhduar të zgjerohet dhe Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi në kuadër të kësaj platforme me më shumë se 155 vende dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare, dhe është e hapur për të gjithë njerëzimin paqedashës mbi bazën e bashkëpunimit me cilësi të lartë, mbështetur nga fryma e konsultimit të gjerë, kontributi i përbashkët dhe përfitimet e përbashkëta duke patur në qendër njeriun. Është impresionues fakti se gjatë dekadës së fundit janë krijuar më shumë se 3,000 projekte bashkëpunimi dhe vlera e investimeve llogaritet në afro 1 trilion dollarë, që janë përqendruar në projekte të infrastrukturës së transportit si nxitje për zhvillim më të shpejtë të partnerëve të BRI-së. Sipas Bankës Botërore infrastruktura e transportit BRI, pritet të rrisë të ardhurat reale globale me 0.7 në 2.9 për qind, duke nxjerrë 7.6 milionë njerëz nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë njerëz nga varfëria e moderuar deri në vitin 2030, kur edhe është kufiri i përmbushjes së 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të përfshira në të ashtuquajturën Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm e miratuar nga vendet anëtare të OKB-së më 2015. Në këtë kuadër në fund të vitit 2020, Kina e fitoi luftën e saj kundër varfërisë siç ishte planifikuar, duke i dhënë fund varfërisë në këtë vend me një popullsi prej 1.4 miliard njerëzish për 98.99 milionë banorët ruralë, që jetonin nën kufirin e varfërisë dhe duke përmbushur një ndër objektivat e SDG dhjetë vjet përpara afatit.
Me një fjalë projektet e lidhura ngushtë me jetën e përditshme të njerëzve dhe që synojnë përmirësimin e mirëqenies së tyre në fushat e uljes së varfërisë, teknologjisë bujqësore dhe arsimit profesional kanë rritur në mënyrë efektive standardet e jetesës së njerëzve në vendet partnere të BRI.
Një vend të veçantë në strukturën infrastrukturore midis rajoneve dhe kontinenteve ka zënë kontinenti europian që historikisht ka treguar interes të jashtëzakonshëm për Kinën e largët dhe me zhvillimin e këtij mega-projekti është bërë më e afërt për popujt europianë, që po shikojnë rikthimin e Rrugës së Mëndafshit jo më me mistikën e saj të një vendi e populli të largët, por me realitetin e mrekullisë së zhvillimit të paparë të një populli veçanërisht pas vitit 1978 pjesë e të cilës është edhe BRI.
Disa realitete konkrete: Hekurudha Ekspres Kinë-Evropë ka arritur në 211 qytete në 25 vende evropiane dhe Korridori i Ri Ndërkombëtar i Tregtisë Tokësore-Detare ka lidhur rajonet qendrore dhe perëndimore të Kinës me më shumë se 300 porte në mbi 100 vende. Ndërkohë, partnerët e BRI-së kanë punuar në mënyrë aktive për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fusha të zhvillimit global. Rruga ‘Digjitale e Mëndafshit’, si pjesë e BRI, po bëhet një urë digjitale që lehtëson një lloj të ri globalizimi.
Gjatë tre viteve të fundit, trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë fituar reputacionin “një vazhdimësi e jetës” kur transporti detar dhe ajror u bë pothuajse i pamundur nga pandemia. Më shumë se 109,000 ton produkte antipandemike janë dërguar në Europë me këto trena deri më sot, së bashku me pjesë pajisjesh të ndryshme përfshi mjekësore, produkte elektronike dhe lëndë të para, duke garantuar në mënyrë efektive stabilitetin e zinxhirëve industrialë në Europën e paralizuar në atë kohë të krizës më të rëndë shëndetësore që nga Lufta e Dytë Botërore. Mirësinë e këtyre ndihmave humanitare anti-Covid e ndjeu edhe populli në Shqipëri, ku disa kontingjente të tyre të transportuara me trenat Kinë-Europë arritën në Tiranë kur kriza shëndetësore kishte arritur kulmin më 2020.
Porti i Pireut në Greqi/CFP
Nga ana tjetër, investimet nga Kina i kanë dhënë jetë të re një porti grek që vite më parë pati pengesa zhvillimit, duke e bërë atë një projekt kryesor në kuadër të iniciativës kineze BRI. “Një port i dikurshëm i madh me probleme të mëdha konkurrueshmërie është bërë një nga portet më konkurruese në Evropë. Një investim shumë i rëndësishëm kinez po përparon shumë mirë. Projekti ka qenë i suksesshëm”, tha në një konferencë shtypi në Athinë më 29 gusht guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras i cituar nga Xinhua.
Sipas kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis, investimi i COSCO Shipping në portin e Pireut është një shembull i bashkëpunimit të frytshëm ndërkombëtar dhe është një situatë e favorshme për të gjithë aktorët e përfshirë.
“Në 10 vitet e fundit, BRI ishte një ndryshim i lojës në arenën globale, duke sjellë më shumë multilateralizëm se më parë në botë dhe gjithashtu duke krijuar kushte më të mira për vendet që janë në drejtimin e kësaj nisme”, Boris Tadiç, ish-president i Serbisë, tha për CGTN.
Madhështia e mega projektit kinez që nuk mbeti ‘utopi’ sigurisht vazhdon të jetë objekt sulmesh e trillimesh të disa qarqeve politike perëndimore të orkestruara nga Uashingtoni sikurse ndodh rëndom me çdo iniciativë kineze. Dhe këtë radhë e kanë etiketuar BRI si një “mjet gjeopolitik” i Kinës. Nuk ka asgjë për tu habitur në këtë mes kundrejt realitetit gjeopolitik sepse sa më shumë që Kina zhvillohet kur Perëndimi shkon drejt rënies ekonomike të paktën deri më 2024 sipas parashikimeve zyrtare dhe në të njëjtën kohë autoriteti i saj në botë rritet në pjesën dërmuese të vendeve në zhvillim, SHBA dhe disa nga aleatët më besnikë të tyre nxisin frymën anti-kineze me lloj – lloj fabrikimesh ndër të cilët përmendet edhe “kurthi i borxhit”.
Projektet e propozuara nga Kina në kuadër të Iniciativës së saj ‘Një brez, një rrugë’ kanë sjellë përfitime të prekshme për vendet dhe popujt e Evropës dhe kanë ndihmuar për të hedhur poshtë trillimet mbi “shkëputjen dhe heqjen e rrezikut”, tha një ekspert suedez në në një intervistë me Xinhua më 16 korrik 2023.
Ura e Peljesaçit në Kroaci/CFP
“Nga porti i Pireut në Greqi në autostradën Bar-Boljare në Mal të Zi, nga Ura e Peljesaçit në Kroaci në linjën hekurudhore hungarezo-serbe, BRI, e cila shënon 10 vjetorin e saj këtë vit, ofron shembuj të shumtë të ndarjes së përfitimeve në mënyrë miqësore”, tha Hussein Askary, nënkryetar i Institutit Një brez, një rrugë në Suedi (BRIX).
“Këto projekte po kontribuojnë shumë në Evropë në ndërtimi me cilësi të lartë, me kosto të ulët dhe kohë të reduktuar,” ai tha, duke shtuar se kompanitë kineze janë “superiore për sa i përket cilësisë” dhe se shembujt e pjesëmarrjes të suksesshëm dhe me cilësi të lartë kineze në ndërtimin e infrastrukturës europiane janë të shumtë.
“Ka një ndryshim cilësor midis kredive kineze dhe atyre perëndimore. Kreditë kineze duhet të konsiderohen një ‘lehtësim borxhi’ jo një ‘kurth borxhi'”, theksoi eksperti suedez sipas të cilit realiteti është i tillë se ekonomitë e Perëndimit dhe të Kinës dhe zinxhirët e furnizimit global janë aq të ndërlidhura me njëra-tjetrën sa që do të ishte vetëvrasje për çdo ekonomi që të shkëputet. “Plane të tilla do të dështojnë plotësisht sepse janë të pamundura për t’u zbatuar”, theksoi nënkryetari i Institutit suedez BRIX, Askary.
CFP
Dhjetë-vjetori i Iniciativës ‘Një brez, një rrugë’ përkon me një kohë tensionesh gjeopolitike në rritje në botë, të cilat paraqesin një kërcënim real sepse erërat e Luftës së Ftohtë mund të kthehen në ‘përvëluese’ për njerëzimin dhe shembulli i përmasave që po merr lufta në Ukrainë është alarm paralajmërues për popujt paqedashës. Por ashtu sikurse sfidoi me sukses çdo pengesë e sabotim gjatë dekadës së parë të fillimit me energji të plotë mega projekti BRI nuk ka ndalim dhe hap kapitullin e dytë në epokën e re në gjurmët e Rrugës legjendare të Mëndafshit me objektiva të reja për përfitim të ndërsjellë midis vendeve, miqësi dhe afrim kulturor midis popujve dhe shkëmbime të ndërsjella midis qytetërimeve në shekullin e 21.
Në këtë rast nuk mund të mos kujtoj një turne (17-22 prill 2014) në Kinë të një grupi studiuesish, analistësh e gazetarësh prej 46 vetash, ku bëja pjesë edhe unë nga 16 vende të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL), që përfshinte një vizitë në Provincën Gansu në verilindje të Kinës. “Gansu ka qënë pika fillestare e ‘Rrugës së Mëndafshit’ meqenëse kjo provincë, popullsia e të cilës përbëhet nga shumë grupe etnike, është e njohur për prodhimin e mëndafshit që në kohët e vjetra”, u tha vizitorëve në fjalën e mirëseardhjes Liang Heping, një zyrtar i lartë lokal duke uruar për mundësi bashkëpunimi për vendet e EQL. I pyetur nga Albanian Daily News, e cila botoi një reportazh mbi këtë vizitë më 28 prill 2014, se kur mund të përfundonte ky projekt Heping deklaroi se objektivi është që rezultati të arrihet brenda 10 viteve të ardhshme. E tani 9 vjet pas atij parashikimi, që në atë kohë u duk shumë optimist për disa vizitorë europianë, popullsia e Gansu, veçanërisht banorët që merren me prodhimin e mëndafshit, duhet të ndjehen krenarë se objektivi i shpresuar prej tyre është tejkaluar sepse ‘Rruga’ është bërë platforma më popullore ndërkombëtare me arritje të jashtëzakonshme dhe perspektiva të reja në dekadën e saj të dytë. /CRI