Me rastin e 77 vjetorit të rënies së “Heroit të Popullit” Ramiz Aranitasi
Nga Bedri RAMIZI
Shpesh herë na ndodh që të identifikojmë pika referimi që shpalosin vlerat më të mira të identitetit tonë dhe të brezave të shkuar. Ndër to spikat me plot shkëlqim periudha e Luftës Nacionalçlirimtare.
Sa herë u kthehemi atyre viteve, një ndjenjë e thellë mirënjohjeje dhe vlerësimi mbërthen qenien tonë. Tinguj të beftë të një epoke të ndritur nisin të luhen paprerë. Në çast dëgjojmë vetiu kumbimin e këngëve partizane, i atyre këngëve që frymëzuan sa e sa zemra shqiptarësh për t`i dalë Atdheut për zot. E kështu nisim të përjetojmë vrullin rinor të kohës, bëhemi pjesë e ëndrrës së gjithë atij brezi të tërë të rinjsh e të rejash që triumfin e lirisë dhe çlirimin e Atdheut e shikonin si idealin e jetës së tyre.
Këtyre të rinjve patriotë, këtij brezi luftëtarësh të vendosur dhe idealistësh i përket edhe Ramiz Aranitasi, “Hero i Popullit”, i riu i papërkulur dhe mëndjemprehtë i Mallakastrës. 77 vite më parë më 23 qershor 1943, ai ra në betejën e madhe për lirinë e Shqipërisë.
Ramiz Aranitasi zë një vend të nderuar mes tërë figurave të ndritura të Luftës sonë Nacionalçlirimtare, të njerëzve të fjalës së zjarrtë e frymëzuese, të luftëtarëve të vendosur për liri, të atyre njerëzve që epoka i lindi e i bëri zëdhënësit e vet për të folur në emër të saj, për të folur në emër të lirisë. Mosha e tij e re, vrulli rinor, mendimi i kthjellët politik, aftësia për të vlerësuar kohën që jetonte, e bënë Ramiz Aranitasin komisarin e urtë dhe fjalëzjarrtë, një drejtues të talentuar politik. Ai kishte aftësi të rrëmbente zemrat e popullit të thjeshtë në luftën kundër okupatorit fashist, sepse ishte njeri i fjalës plot pasion, i frymëzuar nga ideali patriotik e atdhetar. Ai ishte shëmbull i vendosmerisë dhe i tolerancës, ishte njeri i zemrave të fituara. Kudo ku fliste Ramizi fitonte zemra. Ai dinte të jepte kurajo, të ngjallte shpresën kur ishe i dëshpëruar, të jepte dorën kur ishe i rrezuar, të jepte zemrën kur bashkoheshe me të për idealin e lirisë. Liria dhe Atdheu për të ishin gjithçka.
Jeta e shkurtër e Ramiz Aranitasit sintetizon tërë dinamikën e epokës që ai jetoi. Ato ishin vite të zjarrta dhe të vështira të Luftës së Dytë Botërore. Kambanat e rrezikut fashist binin pa rreshtur në mbarë botën. Liria e popujve ishte vënë në rrezik. Për njerëzit nuk kishte shumë alternativa për të zgjedhur. Ose duhej të luftoje fashizmin, ose duhej t`i nënshtoheshe atij. Ramizi kuptoi rëndësinë e kohës që jetonte dhe ndoqi rrugën e luftës pa kompromis kundër fashizmit së bashku me qindra e mijëra të rinj patriotë të tjerë, sepse ata kishin një ëndërr për të përmbushur, çlirimin e Atdheut. Ndaj slogani i kohës “Vdekje Fashizmit- Liri Popullit” u bë simboli frymëzues i këtij brezi për të mbushur radhët e partizanëve në luftën për liri.
Këtyre luftëtarëve të mënçur u jemi mirënjohes edhe për një fakt tjetër tejet të rëndësishem. Vendimi për të luftuar fashizmin ishte një akt historik me vlera kombëtare. Ai e përcaktoi Shqipërinë pa asnjë mëdyshje në anën e koalicionit të fitimtarëve të luftës, çka ishte jetike per vetë ekzistencen e një shteti shqiptar. Ndaj në këtë 77 vjetor të rënies së Ramiz Aranitasit ne kemi një arsye më shumë për të nderuar këtë brez patriotësh dhe vetë Ramiz Aranitasin, që ishte, padyshim, një ndër zëdhënësit më të talentur të kohës.
Ramiz Aranitasi lindi në Aranitas të Mallakastrës, në shkurt 1920, në një familje patriotike dhe në nje krahinë me ndjenja të theksuara liridashëse. Familja e tij e madhe dhe me tradita të shquara atdhetare ndikoi shumë për formimin e tij patriotik dhe atdhetar. Babai i tij Qazim Hajro, si dhe xhaxhai Bajram Hajro, kishin qënë pjestarë të Luftës së Vlorës në 1920, kurse me pas, kushëriri i tij i parë, Isa Kasëmi mori pjesë aktive si partizan në Luftën Nacionalçlirimtare.
Që kur ishte fëmijë, Ramizi ra në sy për pasionin që kishte për dijen. Ndaj familja sakrifikoi gjithçka për arsimimin e tij të mëtejshëm. Mjedisi i gjërë familjar, ku shpesh diskutohej për çështje të rëndësishme të kohës, lanë gjurmë të thella në memorien e tij. Tek ai lindi dhe u përforcua ndjenja e theksuar e atdhedashurisë dhe e lirisë. Mendja e tij u iluminua me mësimet e rilindasve tanë për të parë një Shqipëri të lire, të pavarur dhe të përparuar. Me kalimin e viteve dhe duke parë dëshirën dhe pasion e tij për dije, familja bëri çdo sakrificë, për t`i siguruar Ramizit të drejtën për të studjuar në Shkollën Teknike të Tiranës, e njohur si një ndër institucionet e dijes nga më të mirat e kohës në vend.
Pikërisht këtu, në vitin 1937, nis edhe rrugëtimi i gjatë i Ramizit në shërbim të atdheut. Në shkollë ai kuptoi shumë gjëra. Ideologjia fashiste kishte filluar të zëvëndësonte dalëngadalë rilindasit tanë duke përgatitur terrenin për pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në shkollë e në rrethe të gjëra shokësh ai fliste hapur kundër ideologjisë e propagandës fashiste, çka bëri që autoritetet ta fusnin në rrethin e studentëve të rrezikshëm, fakt ky që do të sillte për të pasoja më vonë në përfundimin e plotë të shkollës.
Pushtimi fashist i vendit në prill 1939 e gjeti Ramizin në krye të lëvizjës antifashiste të studentëve të shkollës, duke demonstruar e kërkuar armë dhe duke i bërë thirrje popullit për rezistencë të armatosur. Në këto kushte, Shkolla Teknike e Tiranës u mbyll. Në vitin 1940 Ramizi u transferua në Shkollën Bujqësore të Kavajës. Edhe këtu ai e zhvilloi më tej aktivitetin e tij antifashist. Sikurse dëshmojnë dokumentet e kohës, Ramizi dilte hapur kundër fashizmit duke organizuar e drejtuar protesta të të rinjve. Kjo bëri që në maj 1940 ai të pezullohej nga shkolla. Por në shtator të po atij viti, ai arriti t`i transferojë studimet në Shkollën Teknike të Korçës. Ky qytet u bë vendi nga ku Ramizi do rritej edhe me tej si njeri i dijes dhe i aksionit. I frymëzuar edhe nga idetë iluministe që qarkullonin në atë qytet, në nëntor 1941, së bashku me grupe të rinjsh përparimtarë, ai mori pjesë në demonstratën e parë më të madhe antifashiste që u organizua në Korçë, ku mbeti i plagosur dhe u burgos nga autoritetet fashiste. Mirëpo ishin Asllan Osja dhe Rrapo Kuka ata që bënë të pamundurën për te nxjerre Ramizin ilegalisht nga burgu në shkurt të vitit 1942. Në maj të po atij viti ishin po ata që e shoqëruan Ramiz Aranitasin në Qarkun e Beratit.
Skrapari do bëhej vendi ku Ramizi do të shquhej për kontibutin e tij në luftë si komisar i Çetës së Skraparit. Ai u bë drejtues i talentuar për ngritjen e Këshillave të para Nacionalçlirimtare, një udhëheqës politik me vizion të qartë për të ardhmen. Figura dhe emri i tij u bënë shumë të dashura për njerëzit e thjeshtë të popullit, të cilët besonin se lufta kundër okupatorit fashist ishte e vetmja mënyrë për të fituar lirinë. Çeta e tij partizane u bë e dëgjuar në mbarë vendin për aksionet e saj lufatrake çlirimtare. Të mirënjohura janë aksionet e saj në Melovë në gusht 1942 ku forcat partizane të çetës i detyruan milicët fashistë me në krye Xhaf Balin, që kishin shkuar për të terrorizuar popullin e zones, të dorëzoheshin. Aksione të tjera përgjatë vitit 1942 u kryen kundër postkomandës së milicisë fashiste në Frashër të Përmetit, në Barmash të Leskovikut, në komunat e Korçës, në Terpan e Shpirag të Beratit. Kurse sulmi ndaj garnizonit fashist në Çorovodë çoi më pas në intensifikimin e luftës çlirimtare dhe në çlirimin e plotë të këtij qyteti. Në 28 nëntor 1942 Çeta parizane e Skraparit e drejtur nga Ramiz Aranitasi së bashku me çetën e Kolonjës të drejtuar nga Petrit Dume goditën dhe shpartalluan garnizonin fashist të Përmetit çka vuri në alarm dhe panik administrtën fashiste deri në Ministrinë e Brendshme
Viti 1943 e gjeti Çetën e Skraparit në Mallakastër e në fshatra të tjerë të Beratit në përpjekjet për koordinimin e veprimeve luftarake të forcave partizane, konsolidimin e Këshillave Nacionalçlirimtare dhe përgatitjen e terrenit për të kaluar në një fazë të re të Luftës Nacionalçlirimtare.
Jehona e këtyre aksioneve çlirimtare nuk kaloi pa u vënë re nga Misioni Anglez në Shqipëri. Ishte kjo arsyeja pse Nexhip Vilçani i kërkoi misionit anglez të kontaktonte Ymer Dishnicën, i cili, për të bindur Misionin Anglez se në Shqipëri vërtet luftohej kundër fashizmit, u rekomandoi që ata të hynin në kontakte me Çeten Partizane të Ramiz Aranitasit. Këtë bindje misioni e krijoi kur pa konkretisht në terren veprimet luftarake të çetës. Ky fakt bëri që më pas Misioni Anglez të ndihmonte konkretisht me material luftarake forcat tona partizane, fillimisht në Malin e Leshnjes ku ishte prezent vetë Ramiz Aranitasi, e më pas në tërë vendin ku luftonin forcat partizane.
Nga ana tjetër, Ramiz Aranitasi kishte krijuar shqetësim të madh tek pushtuesit fashistë. Ata kishin kohë që inskenonin plane për eleminimin e tij fizik. Dhe atë që ata nuk mundën ta bënin përballë, arritën ta realizojnë, sikurse dëshmojnë dokumentet arkivore, përmes agjentit të tyre të infiltruar prej disa kohësh, në agimin e 23 qershorit 1943, pikërisht atëhere kur Ramiz Aranitasi ishte nisur në mision për të marrë përsipër detyrën e komisarit të një batalioni të ri parizan.
Mirëpo ideali i Ramiz Aranitasit nuk u mposht. Ai ia doli të lartësohej si një provë e rrugës së drejtë që ai ndoqi në të mirë të atdheut dhe të dëshmojë se njerëzit e lirisë kujtohen e rrojnë përjetë. Ata janë të njëjtë në çdo kohë dhe se liria, është vlera universale e të gjitha kohërave. Këto vlera të çmuara e të patjetërsueshme fitoi me jetën e tij Ramiz Aranitasi në kujtesën tonë të përbashkët.
Kanë kaluar plot 77 vite nga rënia e tij, por sa më shumë kalojë ato, aq më pranë e ndjejmë Ramiz Aranitasin, aq më shumë merr vlerë kontributi e tij. Ndonësë jetoi fare pak, madhështia e shërbimit të tij ndaj popullit dhe atdheut e bënë atë të përjetshëm. Ndaj gjithkush nga ne ndihet krenar me të, me jetën dhe me veprën e tij të vendosur në themelet e lirisë sonë të përbashkët. Kujtimi për të është një homazh edhe për dëshmorët e tjerë të Mallakastrës dhe të gjithë Shqipërisë të rënë në luftën për liri dhe për çlirimin e Atdheut.
Tiranë, Qershor 2020
© Argumentum.