Nuk është dita e pushimit për të pushuar dhe dita e punës për të punuar. 1 Maj, është dita e protestës për dinjitetin e punëtorit! Zgjohuni sindikalistë!

Autore MA. Enxhi Nasto*

“Kur dëgjoj 1 Maj mendoj eh edhe 9 ditë derisa të marr rrogën”, kjo është fraza e një të riu buxhetor në Shqipëri e thënë me psherëtim e ngashërim, ku dita e parë e këtij muaji nuk perceptohet prej tij si dita ku disa shqetësime e problematika të tregut të punës duhet të diskutohen e të ndryshohen në funksion të punëmarrësit, por data 1 i kujton atij se i duhen edhe 9 ditë të tjera për të marrë pagën. Ky është mendimi i parë i rrogëtarëve për ditën e parë të çdo muaji. Mëndja e tyre vërtitet rreth numrave dhe përllogaritjeve të listës së shpenzimeve se si do i menaxhojnë ato përball burimeve të kufizuara. Kujdes! Gjithnjë nëse do të arrijnë ta marrin në datën e përcaktuar sipas kontratës së punës, sepse për punëdhënësin në Shqipëri është fituar një normalitet tashmë që paga edhe mund të vonohet kur dita e saj e bekuar bie sipas kalendarit të muajit të dielën dhe bankat janë pushim. Larg o Zot sikur t’i hedhin 1 ditë më përpara. Dita e rrogës është dita e buzëqeshjes për një punëtor në Shqipëri. Por është buzëqeshje 24 orëshe, sepse ajo zhduket fill pasi ajo pagë likuidon vetëm disa zëra shpenzimesh të fëmijëve të tij. Ky është fati i tyre me këta pronarë që e ndjejnë veten zotër të xhepave të punëtorëve. Ka edhe nga ata që e thonë me krenari të madhe dhe me zë të lartë: “Të gëzohen që e marrin rrogën në datë fikse se të tjerët ua vonojnë!”, kur në fakt ky është një detyrim ligjor dhe moral përball atij që e justifikon plotësisht ditën e punës duke vendosur në dispozicion gjithë kapacitetin e tij fizik dhe mendor për të përmbushur objektivat e punës.

Nuk ekziston titulli sipërmarrës pa patur punonjës. Adam Smith në librin e tij më të famshëm “Pasuria e Kombeve” e nis me konceptin e ndarjes së punës në një fabrikë prodhimi të gjilpërave. Një person që punonte vetëm mund të prodhonte vetëm 20 gjilpëra. Ndodhi më vonë që duke e ndarë këtë detyrë në një numër operacionesh më të thjeshta, dhjetë punëtorë që kryenin punë të specializuara në bashkëpunim me njëri-tjetrin mund të prodhonin 48,000 gjilpëra në ditë. Pra, ritmet e prodhimit u rritën nga 20 ne 4800 gjilpëra, që do të thotë se çdo punëtor i specializuar prodhon 240 herë më shumë se sa po të punonte vetëm[1]. Pandemia theksoi edhe më shumë konceptin e gabuar të sipërmarrësve shqiptarë se unifikimi i shumë detyrave tek një individ i vetëm përkthehet si kursim. Ndërkohë rënia e cilësisë dhe mungesa e ndarjes së punës në grup është një humbje e konsiderueshme për të ardhmen e atij biznesi. Që kjo të kuptohet duhet që sipërmarrësi të ketë një formim të caktuar dhe të jetë vizionar. Pandemia solli reduktim të numrit të punonjësve duke i vendosur ata nën presionin e kohës. Presioni i kohës ul cilësinë e punës. “Kjo e fundit është një pengesë e rëndësishme për komunikim. Një problem i dukshëm është që menaxherët nuk kanë kohën e nevojshme për komunikim të rregullt me çdo vartës. Presionet e kohës mund të cojnë shpesh në probleme serioze. “Qarqet e shkurtra” janë dështime të sistemit të komunikimit si rezultatet i presioneve të kohës. Kjo do të thotë që dikush që duhet të përfshihej në kanalin formal të komunikimit është lënë jashtë tij”[2]. Ndarja e punës ndikon tek ulja e presionit të kohës dhe rritja e motivimit të punonjësit përmes komunikimit të shëndetshëm. Që sipërmarrësit shqiptarë ta kuptojnë këtë duhet të njohin kodin etik dhe parimet efektive të komunikimit.

   Metodologjia e përdorur nga kërkuesi është cilësore. Instrumenti i vendosur në zbatim është intervista e pastrukturuar, si një bisedë e lirë midis dy individëve që kanë gërshetuar shumë çështje të ndjeshme që lidhen në mënyrë direkte me kontekstin e punës në Shqipëri. Intervista e lirë dhe e pakornizuar nga pyetje të parashkruara, mundëson gjenerimin e shumë gjetjeve. Fillimi, zhvillimi dhe mbarimi i saj kanë qënë shumë të natyrshme dhe jo të sforcuara, dhe kjo ka bërë të mundur që pjesëmarrësit e ftuar të ndihen komod. Është respektuar konfidencialiteti i të dhënave të tyre nga hulumtuesi. Frika e tyre ka qënë shumë e madhe, e shoqëruar me një mungesë kurajo dhe guximi për të thënë të vërtetat e tyre. Hulumtuesit i është dashur të punojë shumë nga ana psikologjike me ta për t’i bindur se kodi etik do të respektohet me profesionalizëm prej tij. Shqetësimet dhe pakënaqësitë tona të përditshme në lidhje me punën duhen diskutuar hapur pa asnjë ndrojtje, sepse nëse një problem nuk trajtohet atëhere kjo krijon një problem edhe më të madh. Frika për të folur krijon gjëndje pasive, dhe apatia njerëzore është krimi më i madh që mund t’i bëhet një vëndi. Nuk ka zhvillim aty ku nuk ka diskutim demokratik, dhe nuk ka diskutim aty ku nuk njihet ekzistenca e një problemi.

  1. Prezantimi i perceptimeve për organizimin sindikalist në Shqipëri.

   Në fazën e parë të fillimit të intervistës, pjesëmarrësit janë ndjerë pak në vështirësi në rrëfimin e përvojave, por më pas ata janë shprehur lirshëm.

   “Në Shqipëri nuk është konceptuar si protestë me thënë të drejtën dhe duke qënë se unë kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj në Shqipëri. Në psikozën time dhe në vetëdijen time, automatikisht 1 Maj nuk lidhet me protestën, sepse kjo është e vërteta. Vëndi ku jam rritur nuk e ka konceptuar si protestë. Qoftë edhe nga e kaluara komuniste, që ka qënë gjithnjë festë, qoftë edhe për faktin se në Shqipëri nuk ekzistojnë sindikatat. Dhe ky është një problem shumë i madh. Që të ketë protesta të punëtorëve për të drejtat e tyre, duhet të ketë organizime në bazë profesioni që janë sindikatat. Në Shqipëri, sindikatat me emër ekzistojnë, por e vërteta është që nuk e kanë fuqinë që t’i imponohen qeverisë rregulla të caktuara që të përmirësojnë gjëndjen e punonjësve, dhe që të mbrojnë të drejtat e punonjësve. Nuk e kanë këtë fuqi sindikatat, aq e vërtetë është kjo saqë edhe kryeministri në një aktivitet para tre vitesh në 2019 para tërmetit, ka bërë një deklaratë. Ka qënë një aktivitet me disa investitorë italianë dhe iu tha atyre: “hajdeni dhe investoni në Shqipëri, sepse jeni të qetë, këtu nuk ka sindikata, që të futen herë pas here në grevë, që t’iu bezdisin e t’iu pengojnë. Pra, për kryeministrin e vëndit tim, mospasja e sindikatave është një cilësi pozitive që duhet të nxis investitorët e huaj që të investojnë në Shqipëri. Është qesharake që ta mendosh, për faktin që presupozon se kryeministri nuk është thjesht “kryeministri i biznesit”, por është edhe kryeministri i qytetarit dhe nuk do t’i takonte kurrësesi që edhe për çështje etike dhe morale, pa u futur tek ligjorja që të prononcohet në një mënyrë të tillë kaq të njëanshme në mbrojtje të interesit vetëm të njërës palë, dhe ndërkohë që pala tjetër, punëtorët mbeten praktikisht si jetima, sepse janë totalisht të pambrojtur. Kemi rastin e Uzinës së Ballshit, grevat e pafundme të punëtorëve që nuk u dëgjuan asnjëherë nga qeveria dhe përfundoi në mënyrën më të trishtë të mundshme. Kanë qënë shumë raste në Shqipëri që dëshmojnë se sa pak dëgjohet zëri i punëtorëve, që në fakt zemra që pulson e një vëndi duhet të jetë pikërisht aty tek punëtori. Nëse nuk ka punëtorë nuk mund të ketë as pronarë. Këtë nuk arrijnë të kuptojnë këta, nuk kanë arritur të ndërgjegjësohen” (Punëmarrësi 1).

   “Nuk e kam menduar asnjëherë që 1 Maj është një ditë feste dhe që do ta kisha pushim, sepse në fakt nuk e kam patur asnjëherë pushim. Ka qënë një ditë rutine e punës, nuk e kam konceptuar ndonjëherë si festë. Në fëmijërinë time e kujtoj si një ditë pikniku me familjen time, ndërsa kur kam punuar ka qënë një ditë e zakonshme. Patjetër që nuk ka përse të jetë domosdoshmërisht kështu. Do sugjeroja të krijoheshin disa forume ku të diskutohen problemet e punës, të cilat dashur pa dashur i bëjmë në formën e thashethemeve midis kolegësh, me një lloj droje dhe frike se mos ndoshta këto lloj thashethemesh të cilat janë pretendime të drejta, do të dalin si pakënaqësi, dhe nëse do të merreshin vesh këto nuk do të ishin fare të pëlqyeshme për pjesën drejtuese. Dhe do të më kishte pëlqyer që kjo datë të ishte një datë ku të organizoheshin forume pa drejtuesa ku punonjësit të flisnin lirshëm” (Punëmarrësi 10).

   “Nëse kemi ndonjë dyshim se në Shqipëri ka apo ska shoqata apo grupime që merren me interesat e punonjësve, kjo absolutisht dihet që s’ka. Është një lloj mpierje e gjithë këtij sektori të gjërë ku punojmë e kontribuojmë për të patur një vazhdimësi të ardhurash. Tek të gjitha shoqatat që kanë qënë për çështjet e punonjësve, kanë qënë të amortizuara, totalisht të pandjeshme fare, dhe janë mekanizma shtetërore. Nuk ka asnjë që të funksionojë në këtë drejtim” (Punëmarrësi 4).

  1. Kërkesat e rëndësishme për një protestë hipotetike për të drejtat e punëtorit në Shqipëri.

   “Organizimi nuk është pikë e fortë tek protestat tona. Protesta e armëve kimike ka qënë një rast i përveçëm, por unë nuk di raste të tjera protestash që të kenë patur një konsistencë. Që protestat të jenë të suksesshme duhet të jetë e qartë, jo të shpërndahet në kërkesa, duhet të jenë 1 ose 2 pika që të thuhen herë pas here derisa të plotësohen. Nuk mund të ketë asnjëherë rezultat në një protestë, nëse nuk ka qëndrueshmëri në kërkesat që artikulohen. Kërkesa e parë për një protestë për Ditën e Punëtorëve duhet të jetë që rregullat që njihen në administratë publike, duhet të zbatohen edhe në sektorin privat. Që do të thotë duhet patjetër, që privati të reflektojë rritje të rrogës në varësi të vjetërsisë së punonjësit. Gjë që nuk po ndodh. Kërkesa e dytë është se duhet që kontrata e punësimit midis punëmarrësit dhe punëdhënësit të negociohet nga sindikata në rradhën e parë, siç është bota jashtë. Pra, jo të më japi mua një kontratë që e ka hartuar atë sipas interesit. Sepse këta bëjnë kontratë të njëanshme. Çdo kontratë që na serviret nga punëdhënësit është e hartuar nga zyra juridike e punëdhënësit për të mbrojtur interesat e punëdhënësit. Pavarësisht se ato na thonë se është kontrata TIP, por pavarësisht kësaj ajo është kontratë e njëanshme. Bota jashtë e ka që kontrata negociohet me sindikatën, pra fuqia e sindikatës që të kërcënon me grevë që ty të paralizon punën në kompani, është shumë imponuese për të mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të drejtat e punëmarrësit. Pra, këto janë dy kërkesat bazike” (Pjesëmarrësi 2).

   “Unë them njohja e vjetërsisë së punës të jep statusin senior, dhe sektori privat nuk i leverdis që të njohi këtë status, sepse mendon se punonjësi do të rrisi pretendimet. Duke njohur statusin e vjetësisë, punonjësit jo vetëm që duhet t’i rritet paga, por janë edhe një seri atrubutesh të tjera me pushimet dmth…ajo është një paketë. Dhe duke qënë të painteresuar për të të dhënë ty si punonjës këtë status, sepse e dijnë që fill pas asaj vjen paketa e përfitimeve të meritueshme, punëdhënësit fillojnë të mbajnë gjithë kohës nën presion. Dhe valvula e presionit në Shqipëri është minimumi jetik, data e rrogës. Ta marrësh rrogën në datë në 2022 është ende një ngjarje e shënuar dhe kjo është shumë e trishtë. Nuk mundet dot që detyrimet formale dhe kontraktorë të kalohen në benefite për punëmarrësin, ndërkohë që janë detyrime formale. Zbatimi i kontratës është formalitet, nuk është benefit! Nuk mund të ndihem unë me fat që e marr rrogën në datë. Pra, këto janë elementë shumë të rëndësishme, sepse këto janë dyshemeja. Në momentin që ne po flasim nuk ka dysheme. Jemi në ajër. Sidomos pandemia na nxorri në pah të gjithë pasiguritë e punonjësve shqiptarë” (Punëmarrësi 5).

   “Punonjësi trajtohet njësoj si ai që vjen tani në një sektor baraz me atë që ka vite dhe e njeh mirë atë sektor. Ndërkohë që punonjësi i vjetër duhet motivuar. Si në çdo objekt, edhe tek qënia njerëzore ka një kosto amortizimi që ka 15 vjet, dhe punëmarrësi që ta motivoj duhet t’i japësh një status këtij personi sepse nuk mund ta shfrytëzosh si në fillim. Problemi është shumë i thellë. Duhet të mësojnë se si të diferencojnë, kush ka eksperiencë kalon në një tjetër stad, në atë të këshillimit për ato që janë poshtë në hierarkinë e tij. Kjo është mëndësi i skllavopronarëve, këtu nuk ka sipërmarrje. Ndoshta është e fortë kjo që them unë, por kam arritur në këtë deduksion, sepse personat që mbajnë veten për biznesmen nuk kanë arritur të ndajnë atë stad pasunor, që ta ndajnë veten nga objekti që zotërojnë. Që ata ta bëjnë këtë duhet të fillojnë të zgjerojnë mëndjen e tyre. Duhet të fillojnë të mendojnë se si të ndryshojnë gjëndjen e komunitetit. Pra, një person që xhiron miliarda dollarë nuk mund të vazhdojë të thotë që unë jam sipërmarrës sepse kam 3 hotele, makina të fundit etj., por nuk është ky niveli pasunor që ka një njeri. Ai duhet ta zgjeroj biznesin e tij me një vizion që të lër një gjurmë tek komuniteti. Një pjesë e tyre mendojnë, unë jam i pasur sepse zotëroj objekte. Dhe unë ato objekte nuk do i marr më vetë kur do të vdes, por ama do të them kam qënë i pasur sepse kam patur objekte. Ky është mentaliteti dhe mbi bazën e tij organizohet i gjithë tregu i punës” (Punëmarrësi 7).

  1. Vlerësimi mbi sjelljen e punëdhënësit shqiptar.

   “INSTAT ka bërë censusin e fundit në 2011 dhe po ta hapësh ta shikosh me vëmëndje thotë se deri në 2033 do të ketë rënie të ndjeshme të popullsisë, do të ketë reduktim të fuqisë punëtore dhe për rrjedhojë lind nevoja që të bëhet riorganizim të shkollave profesionale për t’i ardhur në ndihmë kërkesave të tregut të punës që do të jenë të papërmbushura. Pra, kur bie fuqia punëtore do të thotë që nuk ke luks të zgjedhësh, atëhere në këto kushte duhet të vlerësosh atë kapital intelektual që ti ke. Në përgjithësi nuk e kanë këtë mëndësi, sepse kujtojnë që po ta vlerësosh punonjësin me vjetërsi të lartë në këtë sektor, mund ta mbivlerësojë veten dhe të rrisi pretendimet. Dhe këtë e them bazuar tek eksperiencat e mia, të ngjashme me kolegë të mi të fushës me të cilët ndajmë shpesh shqetësime dhe konvergojnë në një pikë. Punëdhënësi shqiptar nuk di si të trajtojë punonjësit, pra do të thotë që nuk di të bëjë dallimet mbi bazën e vlerës profesionale. Këtu dallimet bëhen me arsyetime për çështje interesi, farefisnore, miqësish. Këto tre komponentë nuk mund të jenë kurrë tregues i rekrutimit cilësor” (Punëmarrësi 6).

   “Sipërmarrësit duhet të bëjnë një analizë kosto oportune, pra çfarë interesi dhe leverdie kanë në qoftë se blen diçka që është më e shtrenjtë kundrejt diçkaje që është e lirë. Nëse merr një profesionist që ka një nivel të lartë pritshmërie financiare, do të thotë se ai do të të garantojë cilësi maksimale në mbarëvajtjen e punës tënde” (Punëmarrësi 8).

   “Të qënit multitasking është element shumë pozitive, por mjaft më të mendohet se njeri multitasking mund të dali jashtë profilit të tij, dhe të gjykohen njerëzit dhe të mendohet madje për ta: “Përse nuk e bëri edhe këtë?”. Sepse janë kufinj të pandarë. Këto dhe pastaj është edhe diçka tjetër. Përgjithësisht mbahen kompenteca të pandarë tek aktivitetet në Shqipëri. Të merren kompetencat, të hiqen, të rivendosen, nuk është një besim konstant. Janë shumë konfuz dhe luajnë shumë. Madje përmes kësaj ushtrojnë një lloj presioni. Njerëzit nuk shkojnë në punë vetëm për para, por edhe për t’u ndjerë të realizuar, por kur pronarët bëjnë lojën e kompetencave, nuk kanë një përshkrim të saktë të punës. Kanë tendencën që të miksojnë gjërat. Bëjnë paralelizimin  e figurave, fusin konceptin e garës së pandershme midis punonjësve” (Punëmarrësi 3).

   “Në konceptin e biznesmenëve të rinj, punëdhënësit e sotëm në Shqipëri që nuk e kanë menduar asnjëherë do të ishin në këto role, që as nuk e kanë trashëguar ndonjë pasuri dhe që nuk kanë patur modele në jetën e tyre që t’i referohen dhe të kuptojnë vështirësi e të qënit në atë pozicion. Në përgjithësi, ata kanë një sjellje amatore, sidomos në raport me njerëzit. Shqipëria ka ardhur në një pikë që ai që i ka punonjësit duhet të dijë t’i shtrëngojë fort. Dihet tashmë që është një krizë dhe që kriza me shumë gjasa do të thellohet, dhe të them të drejtën gëzohem kur shikoj një lloj revolte shumë legjitime të atyre njerëzve që kanë punuar me vite të tëra, kanë kontribuar me vite të tëra, nuk iu është ditur dhe është menduar gjithmonë: “Ikën ti por ka sa të duash”. Sot nuk ka më ashtu, madje është punonjësi që thotë: “Iki unë po hajde hajde se do gjesh”. Unë jam e angazhuar me njoftime punësimi, prurjet janë shumë të pakta dhe të dobëta. Të gjitha kapacitetet më të mira janë në ikje, dhe me pak fjalë mund ta pohojmë: Është krizë për të gjetur punëtorë. Rrota po kthehet mbrapsht. Dhe sipërmarrësit e kanë kuptuar prej kohësh këtë, sepse ata e nuhasin më shumë se kushdo tregun” (Punëmarrësi 9).

   “Unë di nga punëdhënësi im i mëparshëm që e ndjeu lagështirën shumë më herët, por nuk ishte në gjëndje që të reflektonte sjelljen kundrejt këtij lloj fenomeni, ose të gjente mekanizmat për ta frenuar ikjen time. Ishte modeli i atij individi që thoshte: “Unë jam ai që të heq”, “Unë jam ai që të mbaj”, “Unë jam Zoti mbi tokë”. Një nga ikjet më të bukura të një kolegu pune, u largua për në Gjermani me kontratë pune. I abuzuar në punën ku ishte aktualisht, sepse ishte i mbingarkuar në punë dhe shumë pak i paguar. Dhe kur shkoi tek pronari për t’i komunikuar dorëheqjen, ai i tha: “Po ti vonë u kujtove”. Pra, këto lloj pronarësh merren me menaxhimin e krenarisë së tyre, dhe nuk merren me menaxhimin e situatës në kompaninë e tyre kur ka largime të shumta. A je në gjëndje që t’i ofrosh këtij punonjësi dhe t’i thuash rri dhe merr dyfishin e pagës. Sepse ti sërish do kërkosh dikë tjetër për këtë pozicion që tashmë e ke vakant dhe nuk do ta gjesh” (Punëmarrësi 4).

   “Nuk ekziston koncepti i historikut që çdo punonjës është një arkivë më vete, këta kujtojnë se arkivat janë raftet me dosje dokumentacioni dhe objekte fizike. Arkivë është truri i çdo punonjësi, sepse ai njeh historikun e një institucioni. Mua më është dashur të fshij nga kujtesa ime shumë gjëra nga 13 vite përvojë në të njëjtin pozicion pune. Dhe në këtë koncept, gjithë këto ikje punonjësish dhe kjo lloj rezistence që bëjnë sikur nuk kuptojnë, dhe ajo çfarë më bën përshtypje me punëdhënësit shqiptarë është farsa që po luajnë. Nuk duan ta japin veten, qahen në një mënyrë dhe kur vjen puna për të përdorur mekanizmat rregullues të këtij problemi, askush nuk është i gatshëm të veprojë apo të ndërmarrin një hap. Madje shesin krenarinë. Kur iu thua: “Si mund të rregullohet?”.  Eh,-thonë,- le të ikin, sikur do ua shtroj njeri me flori aty ku do të shkojnë.  Do ikin do provojnë dhe do vijnë prapë” (Punëmarrësi 6).

/Argumentum.al

*Materialin e plote e gjeni tek kumi.al


[1] Adam Smith; Pasuria e Kombeve, 1976; cit. nga Anthony Giddens; Sociologjia; Shtëpia botuese Çabej Tiranë, 2004, fq. 464.

[2] Andri Koxhaj & Florian Tomini; Manaxhimi i komunikimit; Shtëpia botuese Ufo University, Tiranë, 2006, fq. 64.