Parku i Butrintit/ Presidenti Meta: Pasuri me vlera universale, nuk mund t’u kalojë OJF-ve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se Parku i Butrintit nuk mund të administrohet nga organizma shoqërorë, të tilla si OJF-të.

Në një deklaratë për mediat nga Presidenca, Meta u shpreh se sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, të cilën Shqipëria e ka nënshkruar, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive i takon shtetit.

“Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive që përbëjnë trashëgimi kulturore universale, nuk mund të kalojë kurrsesi në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të.

Deklaratë për Shtyp e Presidentit Meta për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit 50/2022 mbi Parkun Kombëtar të Butrinitit

21 qershor 2022

“Parku Kombëtar të Butrintit ka vlera të paçmuara kulturore dhe është detyrim i shtetit shqiptar ruajtja e tij, në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe të Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit.

Parku Kombëtar i Butrintit është një pasuri kulturore e paluajtshme me vlera universale, e regjistruar në listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s.

Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive që përbëjnë trashëgimitë kulturore universale nuk mund të kalojë kurrsesi në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të, por ajo ngelet përgjegjësi e shtetit që ka nënshkruar Konventën.

Ndërkohë që, në asnjë rast nuk parashikohet që këto fondacione të kenë të drejta administrimi me të gjitha tagrat të një pasurie të paluajtshme me vlerë të tillë si Parku Kombëtar i Butrintit, siç synohet de jure dhe de facto t’i jepet, përmes marrëveshjes së propozuar për miratim me ligjin nr. 50/2022.

Shteti, nëse do të aplikojë këtë formë të re administrimi përmes një fondacioni të posaçëm, do duhet të ruante të palëkundur pozitën e tij dominuese në organet vendimmarrëse, në mënyrë të pakushtëzuar dhe për çështje me rëndësi, të zotëronte dhe të drejtën e vetos në funksion të ruajtjes së interesit publik dhe përmbushjes së detyrimeve të Konventës dhe respektimit të Kushtetutës.

Marrëveshja e lidhur dhe forma e zgjedhur e bashkëpunimit për administrimin e një pasurie me vlera kulturore universale, duhet të bëhet në përputhje me përgjegjësitë shtetërore që ia ngarkojnë Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare, me vizionin e së ardhmes pa kufij kohorë për brezat që do të vijnë, e jo të fragmentarizuara në plane 10-vjeçare.

Nëse sistemi aktual i menaxhimit shtetëror duhet përmirësuar, dhe për këtë nevojitet njohuri dhe mbështetje, kjo është e mirëpranuar nga të gjithë, por në asnjë mënyrë autoriteti rregullator dhe kapaciteti buxhetor i një shteti, nuk mund të deklarohen se nuk garantojnë dot ushtrimin e pushtetit dhe përmbushjen e detyrimeve të tij.

Presidenti i Republikës nuk është kundër formave të bashkëpunimit shtet-privat, apo përmes strukturave të shoqërisë siç janë edhe fondacionet, aq më pak kur bëhet fjalë për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili ka një historik mbi 25-vjeçar bashkëpunimi dhe ka realizuar me shtetin shqiptar projekte nga më të ndryshmet, bashkëpunim ky që është ofruar dhe është realizuar pa asnjë dallim politik të shumicave qeverisëse të kohës.

Por nga ana tjetër, është e papranueshme logjika që për një pasuri të kësaj natyre si Butrinti, në zonën ku ndodhet, dhe me vlera kaq të larta e me rëndësi për historikun, origjinën dhe trashëgiminë kulturore ndër breza, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi dhe autorizon një fondacion të dedikuar, ku vetë shteti është futur në strukturat vendimmarrëse të tij, por në një formë dhe në një pozita që nuk garanton dot rolin diktues apo kontrollues sipas përgjegjësisë kushtetuese dhe publike që i takon.

Nëse qeveria shqiptare deklaron sot, mos garantimin në perspektivë të mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave kulturore dhe natyrore dhe zhvillimin e integruar për një pasuri me vlera kaq të rëndësishme kombëtare e universale, si do të mundet ta garantojë atë me pjesëmarrje në një fondacion, ku rolin dhe fuqinë vendimmarrëse e ka të kufizuar?!

Populli shqiptar ka vendosur trashëgiminë kombëtare si një nga parimet themelore, mbi bazën e  të cilit ngrihet dhe funksionon shteti. Nëpërmjet institucioneve të tij, nga ai më i larti në hierarkinë shtetërore deri tek institucioni më i ulët i administrimit të funksionit publik, shteti ka për detyrë ta respektojë dhe ta ruajë këtë parim, si gjithë parimet e tjera të parashikuara në Kushtetutë.

Një tjetër e metë e konstatuar në këtë proces është dhe sa i takon procedurës së ndjekur për dhënien e titullit ‘Partner Strategjik’, e cila rezulton se është kryer nga një organ që ligji nr. 27/2018 ‘Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë’ nuk ia ka dhënë këtë tagër ligjor.

Këshilli Kombëtar i Menaxhimit të Pasurive Kulturore, nuk ka asnjë kompetencë të ‘vlerësojë si partner strategjik’ një subjekt që synon të marrë administrimin e një pasurie kulturore me vlera universale, ashtu sikundër për nga përbërja e tij me ‘juristë, menaxhues dhe ekonomistë’ nuk ka as ekspertizën më minimale për të vlerësuar për një pasuri konkrete të trashëgimisë kulturore, subjektin që do e marrë në administrim.

Ndaj si President i Republikës, kam vlerësuar se edhe kjo çështje duhet të marrë kohën e nevojshme dhe të shqyrtohet me kujdesin maksimal nga Kuvendi i Shqipërisë, duke tërhequr dhe realizuar një  konsultim gjithëpërfshirës dhe diskutim me të gjithë.

Për një pasuri me vlera të tilla, si Parku Kombëtar i Butrintit jo vetëm duhet të ishte mbajtur një komunikim i ngushtë dhe marrë ekspertiza e zyrës së UNESCO-s, por e gjithë praktika e këtij komunikimi duhet të ishte bërë patjetër transparente.

Mungesa e transparencës nuk është evidentuar vetëm në raport me opinionin publik këtu, por është evidentuar edhe nga ish-anëtarë të Bordit të partnerit të përzgjedhur si rasti i zotit Cafo Boga, që përmes deklaratave publike kanë bërë të qartë se nuk janë njohur me dokumente që lidhen me këtë çështje.

Asgjë e keqe nuk mund t’i vijë Kuvendit të Shqipërisë nga debati, nga konsulta, nga oponenca dhe nga transparenca, sidomos në çështje karakteri i të cilave është sa delikat edhe teknik, me detaje që nuk mund të njihen nga deputetët që nuk kanë të njëjtën fushë ekspertize, por kaq i rëndësishëm sa i takon interesit kombëtar dhe trashëgimisë sonë kjo vendimarrje që duhet të reflektojë më shumë përgjegjshmëri.

Për më tepër, përgjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet parlamentare, është kërkuar nga deputetja Ina Zhupa që ka qenë dhe relatore kryerja e dëgjesave me  ekspertë dhe akademikë, por Kuvendi i ka anashkaluar këto kërkesa dhe këto dëgjesa nuk janë realizuar.

Nëse Kuvendi do të kishte treguar më shumë kujdes, duke qenë se bëhet fjalë për një pasuri ku mishërohen vlerat kombëtare të mbrojtura që në Preambulën e Kushtetutës, kishte dy mundësi zgjidhjeje: Ose të riparonte të gjitha të metat përgjatë procesit parlamentar, ose të kthente propozimin pranë Qeverisë me rekomandimet konkrete për adresim.

Një tjetër problematikë e konstatuar është fakti se marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e miratuar me ligjin e kthyer, shmang tërësisht kontrollin apo auditimin nga autoriteti më i lartë kushtetues, që është Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kjo është e papranueshme sipas Kushtetutës, pasi ajo ç’ka po jep shteti përmes kësaj kontrate tek një fondacion i posaçëm është pasuri publike me vlera universale, e cila jo vetëm për nga rëndësia e saj, por dhe aktiviteti ekonomik që do të realizojë, duhet të mbikëqyret si nga auditues ndërkombëtar sic ishte parashikuar në marrëveshje, por njëkohësisht edhe nga Kontrolli i Lartë të Shtetit.

Kjo do të garantonte procesin, do të garantonte më mirë interesin publik dhe mirëadministrimin e të ardhurave për këtë periudhë 10-vjecare që synohet të jepet pasuria në administrim.

Jo vetëm kaq, por një çështje tjetër me shumë rëndësi që Kuvendi do të duhet ti japë përgjigje është në këtë marrëveshje administrimi për Parkun Kombëtar të Butrintit, se a janë përfshirë të gjitha nënzonat dhe sipërfaqja e miratuar si Park Kombëtar i mbrojtur?

Nëse jo, dhe janë lënë jashtë disa zona në Butrint, cili do të jetë destinacioni i përdorimit të tyre, apo niveli i mbrojtjes së zonave pasuri pronë publike e paluajtshme, të lëna jashtë administrimit sipas kësaj marrëveshjeje??

Gjithashtu ligji nr. 50/2022, binte ndesh edhe me Rezolutën e Parlamentit të Bashkimit Europian të datës 19 maj 2022, e cila ndër të tjera kërkon patjetër që qeveria dhe Kuvendi për nisma me rëndësi të lartë të përmbushë konsultime gjithëpërfshirëse dhe kuptimplote me grupet e interesit dhe me shoqërinë civile.

Gjithashtu në respekt të Parlamentit të Bashkimit Europian dhe për plotësimin e rekomandimeve të dhëna në Rezolutën e datës 19 maj 2022 prej tij, si President i Republikës, nuk mund ta pranoja dekretimin e ligjit nr. 50/2022, ndërkohë që shkelja e procedurave dhe mungesa e konsultimit gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë janë më se evidente që nuk janë përmbushur.

Nisur nga rëndësia e kësaj çështje, në cilësinë e Kreut të Shtetit, dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, konstatoj se mekanizmat kushtetues të kontrollit dhe ba;ancës mes ekzekutivit dhe legjislativit në këtë rast nuk kanë funksionuar siç duhet, dhe me ligjin nr. 50/2022 rrezikohet të përkeqësohet situata e mbrojtjes ligjore që garanton sot ruajtjen, përmirësimin, promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare, pavarësisht vullnetit të mirëdeklaruar.

Në përfundim, vlerësoj se marrëveshja e lidhur prej Ministrisë përgjegjëse për Kulturën dhe e miratuar përmes ligjit nr. 50/2022, nuk garanton, përkundrazi krijon terren që të shkelen çështje të karakterit dhe rëndësisë më të lartë, si identiteti dhe trashëgimia kulturore kombëtare shqiptare, vlerat historike, mbrojtja, promovimi, lartësimi i popullit shqiptar, të cilat janë vlera kryesore që nuk mund të cenohen, e që merren në mbrojtje që në Preambulën e Kushtetutës, dhe në nenet 3, e vijues të saj, si parime themelore, vlera universale të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Për të gjitha konstatime, edhe një herë tjetër vlerësojmë se ky ligj:

–         cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës;

–         cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në Preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;

–         cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO-ja;

–         bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

–         praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase, që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;

–         procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;

–         shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;

–         për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Europian.

Si President i Republikës, vlerësoj se në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 24 të Rregullores së Kuvendit, kjo çështje, hyn pikërisht në llojin e atyre çështjeve të një rëndësie ekstremisht të veçantë, e cila kërkon kujdes të lartë nga organet shtetërore dhe për këtë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të miratojë dekretin e Presidentit, dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili përmes një procesi të gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi, të mund të prodhojë produktin më të mirë, e përmes një dakordësie të gjerë t’u ofrojë brezave që vijnë zgjidhjen më të mirë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe gjithë pasuritë të çdo lloji, pjesë të tij.”

/Argumentum.al