Nga Jelena Miliç*
Vuçiç ka autoritetin, mbështetjen popullore dhe vendosmërinë për të arritur një marrëveshje shumëpërfshirëse dhe shumëdimensionale midis Serbisë dhe Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet për opozitën politike të Serbisë.
Ndërsa disa ekspertë po përpiqen mjaft për të minuar/ perspektivën e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale midis Serbisë dhe Kosovës, një (marrëveshje) me vlefshmëri demokratike për të dy kryeqytetet, një zhvillim i jashtëzakonshëm po shpaloset në Ballkan; Serbia e vitit 2020, e cila nën udhëheqjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç të stimuluar nga politikat e zgjuara të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit, dëshiron të rivendosë një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Kjo ishte e dukshme gjatë vizitës së Vuçiçit në Uashington në fillim të marsit. Në fjalën e tij në Konferencën e Politikave AIPAC, ai mbështeti përpjekjet për paqe të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Në një intervistë të gjatë për Politikën e Jashtme, (Foreign Policy) ai tha se Serbia i ishte “thellësisht mirënjohëse” SHBA-së. Përpjekjet e Serbisë për tu afruar me Shtetet e Bashkuara është një prirje që mund të vihet re lehtësisht nga kushdo që dëshiron, thjesht duke ndjekur programet politike të mëngjesit në kanalet televizive serbe apo duke i hedhur një sy faqeve të para të gazetave të përditshme serbe më popullore pro-pushtet, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen ndaj angazhimit (reciprok) midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Edhe shenjat e tjera janë të shumta. Vuçiç mbështeti një kompromis jetik ndërmjet të gjithë aktorëve në Bosnje dhe Hercegovinë për formimin e qeverisë së re dhe miratimin e planit reformativ për forcat e armatosura në bashkëpunim me NATO-n. Ai dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë angazhuar në një afrim historik midis dy kombeve. Serbia po zbaton fazën e dytë të Planit Individual të Veprimit për Partneritet me NATO-n dhe po forcon angazhimin e saj me anëtarët e krahut lindor të NATO-s. Në fillim të këtij muaji, Navy Seals i SHBA zhvilloi ushtrime të përbashkëta dhe stërviti homologët e saj serbë, në afërsi të Beogradit. Në Serbi mbahen rregullisht parada paqësore krenarie nga homoseksualët (Gay Pride Parade) të udhëhequra nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe Vuçiç i referohet shpesh nevojës që Serbia t’i kuptojë dhe të mos përsërisë gabimet e së shkuarës. Këto mund të përmenden vetëm si disa nga zhvillimet e shumta pozitive në Serbi.
Në të njëjtën kohë, Serbia po i merr parasush paralajmërimet e SHBA-së në lidhje me blerjen e armëve ruse, dhe Vuçiç është angazhuar të ndryshojë furnizuesit e armëve të vendit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një nga aleatët më të afërt të Amerikës, Izraelin. Megjithë presionin në rritje të Rusisë dhe operacionet hibride në Serbi, Beogradi refuzoi t’i jepte status diplomatik të ashtuquajturës Qendra Humanitare Serbo-Ruse në qytetin jugor serb, Nish.
E pse po përpiqet Serbia të marrë drejtimin për nga Shtetet e Bashkuara? Një prej arsyeve është padyshim të bindë Uashingtonin të ndihmojë dhe të ndërmjetësojë një zgjidhje të ekuilibruar, politikisht të arritshme dhe të qëndrueshme për mosmarrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës. Për më tepër, Serbia e vitit 2020 dëshiron dhe meriton të trajtohet si e tillë, në vend që të konsiderohet përjetësisht si Serbia e vitit 1999, çfarë, për fat të keq, vazhdon të jetë rasti në Kosovë dhe në disa vende të Perëndimit, sidomos në mesin e atyre që kanë punuar në Ballkan që nga vitet 1990 dhe të cilët duket se kanë ngecur në këtë dekadë kur bëhet fjalë për rekomandimet mbi politikat.
Nën pretekstin e multikulturalizmit, këta individë janë kundër çdo marrëveshje shumëdimensionale, gjithëpërfshirëse ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e cila potencialisht përfshin rregullime të vijës administrative (kufirit), duke dështuar ose refuzuar të pranojnë se një marrëveshje e tillë do ta ankoronte Serbinë në Perëndim. Kundërshtimi i tyre për rregullime të pajtuara reciprokisht në kufirin administrativ bazohet në argumentin se kjo lloj zgjidhjeje do të bënte që pakica serbe në Kosovë të përbëhej vetëm nga ata që jetojnë në jug të lumit Ibar, çfarë do i detyronte ata të largohen nga Kosova. Por pakica serbe e Kosovës, më së shumti, qëndroi me vendosmëri aty edhe pas dhunës në shkallë të gjerë që e shënjestroi në vitin 2004, e cila rezultoi në vdekje serbësh dhe shkatërrimin e dhjetëra kishave ortodokse serbe. Nëse këto ngjarje nuk kanë shkaktuar eksod masiv, atëherë përse do ta shkaktojë një marrëveshje paqësore e pranuar reciprokisht dhe që me shumë mundësi jep garancinë e sigurisë dhe ofron lidhje institucionale midis serbëve në veri të Kosovës dhe enklavave serbe në jug?
Pas një marrëveshjeje të tillë, si Serbia edhe Kosova do të mbeten multietnike. Vetëm në Serbi ka më shumë se njëzet këshilla kombëtar të pakicave që merren me çështje gjuhësore dhe kulturore dhe që organizojnë zgjedhje të rregullta në institucionet e tyre. Pjesa e vogël e territorit të Kosovës – rreth 10 përqind – që mund të jetë një prej elementeve të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse i intereson gjithashtu të dyja palëve, për shkak të burimeve që ekzistojnë atje, përfshirë minierën e Trepçës dhe sistemin e furnizimit me ujë të Gazivodes. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në 2008 u klasifikua si një “rast unik” në mesin e atyre që e mbështetën këtë veprim. Nëse mosmarrëveshja Kosovë-Serbi ka qenë një rast unik, atëherë ajo mbetet edhe sot një çështje unike, që kërkon një zgjidhje unike, e cila mund dhe duhet të përfshijë menaxhimin e përbashkët të burimeve në një mënyrë që i detyron Serbinë dhe Kosovën të bashkëpunojnë teksa bëjnë progres.
Për më tepër, një nga tre komunat e vogla në veri të Kosovës që mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje, Leposavic, është vendndodhja e një prej bazave të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Në rast të një marrëveshjeje në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila autorizoi misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë në 1999 dhe mbetet në fuqi edhe sot, një pjesë e trupave të KFOR-it do të mbeteshin të vendosura në një territor të kontrolluar nga Beogradi. Prania e tyre do të shërbente për të ulur ndikimin negativ të Rusisë dhe aktorëve të tjerë jo-demokratikë në Serbi, ndërsa do i jepte Serbisë mundësinë të qëndronte ushtarakisht asnjanëse, nëse kjo do ishte zgjedhja e saj.
Sipas të dërguarit special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer, çdo marrëveshje duhet të jetë “e shitshme” (e pranueshme ) për popullin, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Megjithatë, në Serbi, sondazhet tregojnë se jo më shumë se një e treta e popullsisë mbështet një marrëveshje me kompromis shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse. Për Vuçiçin, kjo është një vështirësi shumë e madhe për t’u kaluar, sidomos teksa ka përballë operacionet hibride agresive të Rusisë në Serbi, për të cilat rrallë flitet. Një prej arsyeve të kësaj është se Vuçiç nuk mundet të përkufizojë dhe identifikojë haptazi aktivitetet e Rusisë me emrin e vet. Kjo do të bënte që Kremlini t’i aktivizonte edhe më fort mbështetësit e tij dhe makinerinë propagandistike të Serbisë kundër Vuçiçit, duke e përshkallëzuar më tej narracionin se Vuçiç është një tradhtar sepse kërkon kompromis për Kosovën.
Ndonjëherë, një nga këta mbështetës është Kisha Ortodokse Serbe, e cila kinse nuk kontrollohet nga Vuçiçi autokrat dhe i gjithëpushteshëm. Si në rastin e pamundësisë së tij për të sfiduar publikisht Rusinë, Vuçiç, për shkak të autoritetit dhe ndikimit në vend të Kishës Ortodokse Serbe, nuk mund të flasë hapur mbi se si kisha vë pengesa dhe kufizon mundësitë e tij për të arritur një marrëveshje mbi Kosovën. Por kisha padyshim që e bën këtë. Kisha Ortodokse Serbe po ndjek interesat e veta në Kosovë dhe nganjëherë së bashku me ato të Rusisë, në vend të interesave të një shumice multietnike të Serbisë, e cila kërkon të anëtarësohet në BE.
Mjerisht, përveç kishës, elitat politike në Kosovë dhe ata individë në Perëndim të cilët po përpiqen të delegjitimizojnë të dërguarin e posaçëm të presidentit (amerikan) për bisedimet e paqes midis Serbisë dhe Kosovës, Ambasadorin Richard Grenell, dhe përpjekjet e tanishme të Shteteve të Bashkuara për të gjetur një kompromis të përhershëm gjithashtu po ndihmojnë Rusinë në ndjekjen e objektivave të saja shkatërrues, domethënë, për të mbajtur status quo-në. Kjo është ajo që Kremlini dëshiron më shumë se gjithçka tjetër. Statusi quo, i cili i jep Rusisë shumë më tepër kontroll dhe ndikim sesa, përndryshe do të kishte; i mundëson Moskës të vazhdojë të shantazhojë Vuçiçin mbi Kosovën, duke e penguar atë të kritikojë Moskën dhe të heqë të vetmen pengesë reale që ekziston midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Vuçiç ka autoritetin, mbështetjen popullore dhe vendosmërinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale midis Serbisë dhe Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet për opozitën politike të Serbisë. Shumica e figurave të saj kanë lidhje shumë më të ngushta me Rusinë dhe Kishën Ortodokse Serbe në krahasim me Vuçiçin, dhe Moska do të preferonte t’i shihte ato në pushtet, pjesërisht sepse ata janë kategorikisht kundër çdo marrëveshjeje të mundshme midis Serbisë dhe Kosovës. Për Kremlinin, ato janë një garanci shumë më e madhe për (mbajtjen e) status quo-së krahasimisht me Vuçiç, i cili mbështet marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë veçse verbalisht, por në të njëjtën kohë po përpiqet të zgjidhë Kosovën, çfarë do ta privonte Rusinë nga ndikimi dhe kontrolli i saj mbi Serbinë.
Falë aftësive të tyre të jashtëzakonshme, Grenell dhe kolegët e tij duket se i kuptojnë të gjitha këto. Është e qartë se ata nuk duan ta humbasin këtë mundësi të momentit për të zgjidhur menjëherë një nga mosmarrëveshjet më të vështira në botë, të ringjallin aleancën e Amerikës me Serbinë dhe të pastrojnë Ballkanin nga prania shkatërrimtare e Rusisë.
*Autorja është drejtore e Qendrës së Studimeve Euro-Atlantike në Beograd, Serbi.
Burimi: The National Interest/ Përktheu: Argumentum