Pak orë më parë kryeministri Rama ka postuar një video në rrjetin e tij social Facebook, e cila qarkullon tashmë në çdo portal mediatik dhe jo vetëm.
Ai shkruan se në video tregohen forcat e policisë me shkopinj gome që godasin këmbësorët spanjollë, që nuk kanë respektuar rregullat e vendosura nga autoritetet për Covid-19.
Në fakt nga disa kërkime të bëra, rezulton se kjo video është e regjistruar në Algjeri gjatë një proteste anti- qeveritare atje pak kohë më parë.
Një armik i betuar i gënjeshtrës dhe i lajmeve të rreme si Kryeministri, nuk duhet t’i lejojë vetes veprime të tilla.
Vetëm pak minuta më vonë Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndjesë për një video të postuar më parë, ku i ishte dërguar atij dhe shprehej se ishte në Spanjë.
Rama shkruan se për herë të parë ai kishte rënë pre e qytetarit dixhital, pasi video në të vërtetë ishte në Algjeri.
Statusi i Ramës:
Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!
E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit.
Tani marr vesh që qenkan pamje nga Algjeria!
Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”😩😂
Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!