Samiti i Zagrebit, që u mbajt të mërkurën, dakordësoi vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për 20 pika rreth krizës së Covid-19 dhe së ardhmes së unionit.
Në një deklaratë të shpërndarë nga Këshilli i Bashkimit Evropian vihet në dukje fakti se BE-ja ka mobilizuar një paketë financiare prej 3.3 miliardë eurosh për rajonin – €750 milionë nidhmë makro-financiare për sistemin shëndetësor dhe rimëkëmbjen sociale, €1.7 miliardë ndihma nga Banka Evropiane e Investimeve dhe €850 milionë grante.
Udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të BE-së, dhe drejtues të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi, morën pjesë në takim.
Kroacia, organizatore e samitit dhe anëtarësuar në BE që prej vitit 2013, aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së për gjysmën e parë të vitit 2020.
Pikat e rëna dakord gjatë Samitit të Zagrebit, të cilat u quajtën “Deklarata e Zagrebit” janë:
- BE mbështet pa mëdyshje perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
- Kriza e Covid-19 kërkon unitet dhe solidaritet.
- BE mobilizoi €3.3 miliardë në ndihmë të Ballkanit Perëndimor.
- BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do përballojnë së bashku sfidat e përbashkëta.
- Kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim shkojnë shumë më larg nga çfarë i është dhënë rajonit
- BE-ja është e vendosur të rrisë më tej angazhimin ndërsa mirëpret zotimin e shteteve të rajonit për mbrojtjen e vlerave dhe parimeve evropiane.
- BE mirëpret angazhim për epërsinë e demokracisë dhe sundimit të ligjit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mirëqeverisje dhe respektim të drejtave të njeriut dhe pakicave.
- Bashkëpunim për t’u përballur me dezinformimin dhe rritjen e qëndresës dhe sigurisë kibernetike.
- BE-ja mbështet bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë duke nxitur pajtimin dhe marrëveshjet dypalëshe për çështjet e mbetura pezull.
- BE-ja kërkon bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal.
- Pas përmbajtjes së pandemisë kërkohet bashkëpunim i ngushtë për përballimin e krizës socio-ekonomike me plan të fuqishëm ekonomik dhe investimesh. Vëmendje i duhet dhënë zhvillimit shoqvror dhe mundësive të reja për rininë.
- BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ndajnë të njëjtat sfida për sa i përket sigurisë dhe për këtë kërkon angazhim dhe bashkëpunim rajonal.
- Vëmendje të veçantë ndaj parandalimit dhe luftës ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit.
- Rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
- Veprime të vendosura kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kultivimit të drogës, trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe kontrabandës.
- Bashkëpunim për të përballuar sfidat e emigracionit.
- Përparësi siguria energjitike bashkë me diversitetin e burimeve të linjave.
- BE mirëpret kontributin dhe bashkëpunimin e Ballkanit Perëndimor për të ecur drejt një rreshtimi të plotë përkrah pozicioneve të BE-së në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë.
- BE shpreh gatishmërinë për të rigjallëruar dialogun politik mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
- Shtetet e Ballkanit Perëndimor bien dakord me pikat e mësipërme.