Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po hyn në një fazë të re, ndërsa Otava ka zgjedhur të mos pranojë një marrëveshje që, sipas kryeministrit kanadez Mark Carney, nuk i shërben interesave të vendit. Në një fjalim drejtuar kanadezëve, Carney e bëri të qartë se Kanadaja nuk do të negociojë sovranitetin e saj dhe nuk do të pranojë një marrëveshje “me çdo çmim”.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se Kanadaja është tërhequr nga një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara që, sipas tij, ishte e padrejtë dhe ekonomikisht e pafavorshme. Përballë tarifave amerikane dhe ndryshimit të marrëdhënies ekonomike me Uashingtonin, Carney thotë se Kanadaja ka zgjedhur një kurs tjetër: forcimin e vendit brenda dhe diversifikimin e marrëdhënieve tregtare jashtë tij.
Në një deklaratë drejtuar kanadezëve, kryeministri Mark Carney tha se Kanadaja nuk mund të kontrollojë “stuhinë që po fryn nga Uashingtoni”, por mund të përcaktojë vetë kursin e saj duke ndërtuar një Kanada më të fortë në vend dhe duke diversifikuar marrëdhëniet tregtare në botë.
“Ne jemi zotër në shtëpinë tonë dhe partneri i zgjedhur jashtë saj”, tha Carney, duke vendosur këtë parim në qendër të përgjigjes së qeverisë së tij ndaj përshkallëzimit të tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, për pjesën më të madhe të historisë së saj, Kanadaja kishte mundur të mbështetej në kushte të favorshme tregtare: një marrëdhënie të qëndrueshme me SHBA-në, qasje gjithnjë e më të hapur në tregun amerikan dhe rregulla që të dyja vendet i kuptonin dhe i respektonin.
Por, sipas Carney, këto kushte kanë ndryshuar.
Ai tha se qeveria kanadeze e kishte kuptuar që herët se Amerika po ndryshonte dhe se periudha e integrimit gjithnjë e më të madh ekonomik mes dy vendeve kishte përfunduar. Sipas tij, SHBA-ja kishte nisur të transformonte marrëdhëniet e saj tregtare, duke vendosur tarifa edhe ndaj aleatëve të saj më të afërt dhe duke e përdorur integrimin ekonomik si instrument presioni.
Megjithatë, Kanadaja, tha Carney, kishte vazhduar të negocionte me durim dhe këmbëngulje, me synimin për të arritur një marrëveshje të drejtë.
“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë të sigurojmë marrëveshjen më të mirë për kanadezët, kurrë një marrëveshje me çdo çmim apo në çdo afat kohor”, deklaroi ai.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”
Carney tha se negociatat e fundit kishin bërë përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme, e cila do t’i jepte Kanadasë kushte të forta në sektorët strategjikë dhe më shumë siguri për të ardhmen e marrëdhënieve tregtare.
Por, sipas tij, në ditët e fundit SHBA-ja paraqiti kushte të reja që ishin “joekonomike, të padrejta” dhe që cenonin përfitimet neto për Kanadanë.
“Me pak fjalë, ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, tha Carney.
Pikërisht për këtë arsye, ai deklaroi se kishte pezulluar negociatat tregtare dhe kishte urdhëruar kthimin e ekipit kanadez të negociatorëve në Ottawa.
Carney tha se Kanadaja nuk mund të pranonte atë që SHBA-ja kishte ofruar dhe nuk do të jepte atë që Uashingtoni kishte kërkuar.
Sipas tij, gjatë vitit të fundit SHBA-ja kishte vendosur një seri tarifash që Kanadaja i konsideron në kundërshtim me detyrimet ekzistuese të marrëveshjes tregtare mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës.
Arsyetimet amerikane, tha Carney, kishin ndryshuar vazhdimisht: nga fentanyli te taksat mbi kompanitë amerikane të teknologjisë, certifikimi i avionëve amerikanë, tarifat e një ure të ndërtuar dhe paguar nga Kanadaja, politika kanadeze e qumështit, shitja e alkoolit amerikan, një reklamë televizive që citonte Ronald Reaganin dhe madje tymi i zjarreve kanadeze.
Kanadaja nuk e pranon argumentin për deficitin tregtar
Një tjetër argument i përdorur nga SHBA-ja, sipas Carney, ka qenë deficiti tregtar amerikan me Kanadanë.
Por kryeministri kanadez e kundërshtoi këtë argument duke thënë se deficiti amerikan në mallra ekziston në një masë të madhe sepse SHBA-ja blen sasi të mëdha energjie nga Kanadaja.
Kanadaja, tha ai, furnizon 99 për qind të importeve amerikane të gazit natyror, 85 për qind të importeve të energjisë elektrike dhe 60 për qind të importeve të naftës bruto.
Ndërkohë, nëse llogariten edhe shërbimet – nga financat te argëtimi – bilanci i përgjithshëm tregtar tregon, sipas Carney, një suficit të vazhdueshëm amerikan.
Për kryeministrin kanadez, thelbi i tregtisë nuk është fitimi i njërit në dëm të tjetrit.
“Tregtia ka të bëjë me ndërtimin e forcës së përbashkët”, tha ai, duke argumentuar se marrëdhënia tregtare duhet të sjellë përfitime për të dyja vendet.
Ai solli si shembull tregun amerikan të automobilave. Kanadaja, sipas tij, është blerësi më i madh i makinave amerikane dhe blen më shumë automjete të prodhuara në SHBA sesa Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kina së bashku.
Kanadaja është gjithashtu blerësi më i madh për 26 shtete amerikane dhe ndër tre blerësit kryesorë për 45 shtete.
Vetëm vitin e kaluar, amerikanët shitën pothuajse 600 miliardë dollarë mallra dhe shërbime në Kanada, tha Carney.
Përgjigjja e Kanadasë: tarifa dollar për dollar
Carney njoftoi se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave të reja amerikane me tarifa “dollar për dollar”, me synimin për të mbrojtur punëtorët, fermerët, familjet dhe bizneset kanadeze.
Masat do të përqendrohen në sektorë si çeliku, produktet e qumështit, pajisjet, makineritë bujqësore, celuloza dhe letra, si dhe elektronika.
Kryeministri tha se kjo do të jetë një përgjigje e fokusuar për të mbrojtur industritë kanadeze dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të konkurrojnë me produktet amerikane në tregun kanadez.
Ai pranoi se masa do të ketë një kosto.
“Ne e ndërmarrim këtë hap me ngurrim”, tha Carney, duke pranuar se tarifat mund të rrisin kostot dhe të ulin zgjedhjet për konsumatorët kanadezë.
Por, sipas tij, refuzimi i një marrëveshjeje të keqe dhe mbrojtja e interesave të Kanadasë janë në interesin afatgjatë të vendit.
“Ndërtimi brenda vendit dhe diversifikimi jashtë nuk janë Plani B”
Pjesa më e rëndësishme e strategjisë së shpallur nga Carney është ajo që ai e quan forcim të Kanadasë brenda vendit dhe diversifikim të tregtisë jashtë saj.
“Ndërtimi në vend dhe diversifikimi i tregtisë jashtë vendit nuk janë Plani B. Kanë qenë Plani ynë A që nga fillimi”, deklaroi ai.
Carney tha se Kanadaja po investon në infrastrukturë të madhe, porte, miniera dhe korridore energjetike. Sipas tij, 27 iniciativa kombëtare për ndërtimin e vendit përfaqësojnë tashmë 500 miliardë dollarë investime të reja private.
Qeveria po ndërton gjithashtu banesa të përballueshme, infrastrukturë lokale, spitale, qendra komunitare dhe transport publik.
Një tjetër objektiv është dyfishimi i kapacitetit të rrjetit elektrik deri në vitin 2050.
“Kontrolli i energjisë sonë do të thotë kontrolli i fatit tonë”, tha Carney.
Ai përmendi gjithashtu projektin e madh të energjisë së pastër në Kanada, të cilin e krahasoi me ndërtimin e një “James Bay” të dytë dhe që, sipas tij, do të prodhojë mjaftueshëm energji të pastër për të furnizuar çdo automjet në Kanada.
Energjia, mbrojtja dhe teknologjia
Strategjia e Carney nuk kufizohet te tregtia.
Ai tha se Kanadaja po ndërton ekonominë e saj duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, me investime të mëdha në mbrojtje, zgjerimin e kantierëve detarë, zhvillimin e industrisë së hapësirës ajrore dhe rritjen e kapaciteteve kibernetike.
Ai e përshkroi Kanadanë si një fuqi energjetike që synon të shfrytëzojë potencialin e saj në energjinë bërthamore, LNG, burimet e rinovueshme dhe naftën e gazin me karbon të ulët.
Për Carney, këto nuk janë thjesht masa për të përballuar krizën aktuale me SHBA-në. Janë pjesë e së ardhmes së vendit.
Kanadaja kërkon tregje të reja
Një tjetër shtyllë e strategjisë është hapja ndaj tregjeve të tjera.
Carney tha se Kanadaja ka nënshkruar më shumë se 20 marrëveshje tregtare dhe sigurie gjatë vitit të fundit, në pesë kontinente.
Sipas tij, bizneset kanadeze tashmë kanë qasje pa tarifa në tregje që përfshijnë 1.5 miliardë konsumatorë.
Në gjashtë muajt e ardhshëm, Kanadaja synon ta dyfishojë këtë numër përmes marrëveshjeve të reja tregtare, nga ASEAN-i te India.
Në vjeshtë, tha Carney, Kanadaja do të nisë diskutimet me Bashkimin Evropian për një partneritet shumë më të thellë ekonomik dhe të sigurisë.
“Kanadaja po ndërton një akses të pashembullt në tregje sepse është e besueshme, sepse është e qëndrueshme dhe sepse ka atë që bota kërkon”, tha ai.
“Ne po ndërtojmë një ekonomi kanadeze”
Carney e lidhi diversifikimin e jashtëm edhe me forcimin e tregut të brendshëm.
Sipas tij, gjatë vitit të fundit Kanadaja ka hequr barrierat federale ndaj tregtisë së brendshme dhe po punon me provincat e territoret për të eliminuar pengesat që kanë ndarë ekonominë kanadeze për breza.
Qeveria synon ta bëjë më të lehtë për kanadezët të blejnë produkte kanadeze, të punësojnë kanadezë dhe të ndërtojnë në Kanada.
Në të njëjtën kohë, Carney tha se norma e taksës për investimet e reja në biznes është ulur në 13 për qind dhe se qeveria po përshpejton miratimet dhe investimet së bashku me sektorin privat.
“Ne jemi më të fortë tani”
Në pjesën e fundit të fjalimit, Carney u përqendrua te reagimi i shoqërisë kanadeze.
Ai tha se tarifat amerikane synojnë të dëmtojnë dhe të përçajnë Kanadanë, por sipas tij, ato kanë prodhuar efektin e kundërt.
Kanadezët, tha ai, po blejnë më shumë produkte kanadeze, po zgjedhin bizneset vendase dhe po tregojnë solidaritet me ekonominë e tyre.
Qeveria, ndërkohë, ka vendosur 25 miliardë dollarë për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset e dëmtuara nga tarifat amerikane, për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme, për të rritur produktivitetin dhe për të forcuar zinxhirët e furnizimit.
Carney tha se Kanadaja është sot më e bashkuar, më e vendosur dhe më ambicioze se kur filloi lufta tregtare me SHBA-në.
Ai theksoi gjithashtu pozitën fiskale të vendit, rritjen ekonomike, rritjen e eksporteve jashtë SHBA-së dhe nivelin e investimeve të huaja.
© 2026 Argumentum
























































