Ish-ambasadori Gëzim Podgorica analizon sfidat e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në një intervistë ekskluzive për Argumentum.al
Rajoni i Ballkanit Perëndimor po hyn në një fazë të re sfidash politike dhe gjeostrategjike, ku rivalitetet e vjetra, tranzicionet e brendshme dhe presionet ndërkombëtare po përcaktojnë ritmin e zhvillimeve. Kosova përballet me një “dimër institucional” të zgjatur, të ndërtuar mbi ngërçe politike, tensione me opozitën dhe sfida në raportet me partnerët perëndimorë. Mali i Zi gjendet nën frymën e një polarizimi të thellë midis orientimit euro-atlantik dhe ndikimeve serbe e ruse, ndërsa Maqedonia e Veriut vuan pasojat e nacionalizmit në rritje dhe bllokadave të integrimit evropian.
Në këtë atmosferë të ndërlikuar rajonale, Ambasadori Gëzim Podgorica, njohës i politikës rajonale, diplomat dhe analist me përvojë të gjatë, ofron një panoramë të detajuar mbi zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballen këto tre vende. Në intervistën e tij për Argumentum.al, ai analizon shanset e forcave politike në Kosovë, rolin e Listës Serbe dhe dinamikat e ndërhyrjeve nga Beogradi, flet për rreziqet që kërcënojnë funksionimin institucional në Mal të Zi dhe ndikimin e fuqishëm të Kishës Ortodokse Serbe; si edhe vlerëson mënyrën se si retorika nacionaliste në Maqedoninë e Veriut dhe tensionet me Bullgarinë e Greqinë e mbajnë vendin larg BE-së.
“Dimri institucional në Kosovë, i cili vazhdon që pas 9 shkurtit, ka shumë gjasa të zgjasë, pasi dy kampet, të përplasura mes tyre, kanë mungesë të theksuar të konsensusit politik. Partia fituese e zgjedhjeve, VV, ka tentuar të krijojë kanale komunikimi, por partitë opozitare e kanë kthyer në kauzë luftën kundër Kurtit, duke u larguar nga platforma elektorale dhe qeverisëse që duhet të ishin baza e veprimit të një subjekti politik,” thotë z. Podgorica në lidhje me ngërçin qeverisës në Kosovë.
I pyetur për Malin e Zi, Z. Podgorica tha se thellimi i fërkimeve politike midis forcave properëndimore dhe atyre proruse e proserbe ka ngadalësuar procesin e reformave dhe ka vështirësuar integrimin euro-atlantik të vendit.
Ndërsa në lidhje me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, Z. Podgorica vë në dukje se mjedisi politik dominohet nga retorika nacionaliste, të cilën VMRO-DPMNE e ka forcuar si gjatë fushatave elektorale, ashtu edhe pas marrjes së pushtetit, duke vështirësuar bashkëjetesën midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Aleatët shqiptarë, si BDI, shpesh kanë mbështetur më shumë folklorin politik sesa nismat institucionale për të forcuar të drejtat e tyre, duke i hapur kështu mundësi VMRO-së për të theksuar tezat nacionaliste. Sipas tij, kjo retorikë vazhdon të pengojë marrëdhëniet ndëretnike dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, pasi marrëdhëniet harmonike ndëretnike mbeten një parakusht i patjetërsueshëm për integrimin në strukturat e BE-së.
Në këtë intervistë, ndër të tjera, z. Podgorica nënvizon se stabiliteti rajonal mbetet i brishtë, por i orientuar fuqishëm nga aspiratat perëndimore. Ai thekson se vetëm institucionet funksionale, lidershipi politik i përgjegjshëm dhe distancimi nga narrativat nacionaliste mund t’i hapin rrugën rajonit drejt konsensusit të brendshëm dhe integrimit euro-atlantik.
Intervistoi: Marjana Doda
Kryeredaktore
-Kosova po kalon një periudhë të tensionuar politike dhe institucionalisht të paqëndrueshme. Zoti Podgorica, cilat janë shanset reale që Vetëvendosje të fitojë përsëri zgjedhjet dhe a mund të formojë një qeveri të qëndrueshme pa koalicion?
Dimri institucional në Kosovë që mbizotëron që pas 9 shkurtit, ka shumë gjasa të vazhdojë gjatë, për arsye se dy kampet, të barikaduara përballë njeri- tjetrit , kanë një mungesë të theksuar të gjetjes së konsensusit politik. Partia fituese e zgjedhjeve, VV ka tentuar të krijojë koridore komunikimi, por partitë opozitare kanë kthyer në kauzë luftën kundër Kurtit, duke iu larguar platformave elektorale e qeverisëse që duhet të ishin në thelb të sjelljes së një subjekti politik.
VV ka përballë një arsenal goditjesh që lidhen me raporte të ftohta me komunitetin ndërkombëtar, e cila krahas një sërë faktorësh, ka ardhur edhe nga mungesa e një finesse diplomatike nga ana e zotit Kurti. Por në në planin e bilancit qeverisës, VV ka legjitimitetin të artikulojë me zë të lartë dhe pa asnjë mundësi kontestimi se ka realizuar më shumë se asnjë qeveri tjetër: Mbrojtjen e interesave sovrane të Kosovës por edhe të lidershipit politik drejtues , vendosjen e qytetarit në qendër duke hequr privilegjet e fituara nga një pakicë që u bë sunduese në Kosovë ,luftën e pakompromis kundër korrupsionit me tentakula në sferat më të larta si dhe ruajtjen e integritetit territorial e kthyer sovranitetin në Veri të vendit. Pavarësisht kostos shpesh të padrejtë që ka paguar qeveria Kurti për këto arritje, gjykoj se mbeten sinorë orientues për votuesit jo vetëm besnikë të këtij subjekti, por edhe për elektoratin që gjykon me ftohtësi. Ne Veri ku grupet paramilitare kishin terren të lirë, sot ndjehet pesha dhe forca e ligjit, prania e shtetit të Kosovës, kur në qeverisjet e mëparshme, ishte krijuar një status quo që sa vinte e rrezikonte integritetin territorial , por edhe paqen sociale. Ama djemtë e “mirë “ qeverisës merrnin lëvdata se nuk po trazonin ujërat dhe nuk po I sillnin kokëçarje kancelarive që në ndonjë rast e konsideronin të kryer misionin me Kosovën. Albin Kurti doli nga kjo hulli, kërkoi dhe zbatoi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel ,Ohër e gjetkë me praninë ndërkombëtare dhe mori vendime të guximëshme pa tejkaluar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Këto prishën “ rehatinë “ e disa koridoreve diplomatike dhe ai u vu shpesh herë e padrejtësisht në qendër të kritikave.
Sot kjo përbën një tezë ku mbështet opozita në Kosovë dhe ku shpreson të fitojë zgjedhjet, pa ndërtuar një alternativë bindëse qeverisëse, që të krijojë një ritëm të ri dhe bum ekonomik.
Në se do të kishte vullnet e pragmatizëm politik dhe interesi i qytetarëve të Kosovës do të ishte prioritar në thelbin e tij, mundësitë për koalicion të qëndrueshëm midis Vetvendosjes dhe LDK-së ishin, por edhe mbeten. Të dy subjektet kanë një shtrirje kapilare pothuaj në të gjithë Kosovën, me programe që konvergojnë dhe komunikim politik të mirëkuptuar përpara se VV të vinte në qeveri. Ndërkohë PDK dhe AAK kanë një shtrirje më të fragmentuar, me përqëndrim në disa zona të veçanta dhe thirren sot akoma në hipotekën e luftës, ndërkohë që paslufta dhe pushteti i ka komprometuar jo pak.
Tashmë, për arsye të një pushteti të humbur më shumë se të një qeverisje që jep garanci, tre partitë opozitare,kanë konotacion të njëjtë kundër VV dhe ndasi të thella në mënyrën se si mund të qeverisin sëbashku.
Ato më shumë se çdo gjë i ka bërë bashkë armiqësia e shfrenuar ndaj Kurtit, më shumë se bashkëpunimi dhe besnikëria ndaj njeri- tjetrit. Një koalicion pa ngjyrë i partive opozitare, vështirë se do i rezistonte kohës. Dy dekada pushtet të këtyre partive në kohë të ndryshme me njera-tjetrën, kanë treguar se në asnjë rast nuk arritën të çojnë një mandat deri në fund, ndryshe nga qeveria aktuale që e mbylli të plotë mandatin e saj.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk mendoj se do të sjellin surpriza të mëdha, do të kemi një rreshtim të njëjtë me diferenca shumë të vogla të partive opozitare dhe me pikpyetje të konsiderueshme për AAK- në në se do e kalojë pragun elektoral, pasi Nisma ka shanse në kufi vetëm minimalë.
-Sa mund të ndikojë rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore në stabilitetin lokal dhe marrëdhëniet ndërmjet komunitetit serb dhe institucioneve të Kosovës?
Rikthimi i Listës Serbe u realizua nepërmjet votimeve dhe ky rikthim është i arsyeshëm , i çertifikuar nga zgjedhjet lokale të zhvilluara pak kohë më parë. Lista serbe nuk mund të përjashtohet si subjekt politik nga zgjedhjet, persona të ndryshëm të implikuar në veprimtari të kundraligjëshme, normalisht që duhen identifikuar dhe penguar të kenë mandat. Ajo që ka ndodhur më parë me këtë subjekt, i cili dirigjohet nga Beogradi dhe bëhet pengesë për një bashkëjetesë normale do të ndodhë përsëri dhe shenjat e para janë dhënë këto ditë, pasi menjëherë sapo kryetarët e rinj të komunave morën detyrën kanë nisur nga provokimet institucionale. Anashakalimi i institucioneve legjitime të Kosovës, do ta tensionojë përsëri situatën, por në se qeveria do të tregohet e palëkundur për të ruajtur të arriturat e deritanishme, do te ngushtohen hapësirat për destabilitet. Nga tokë e “askujt” tani ka institucione ku qytetarët marrin shërbimin normal si në çdo pjesë tjetër të Kosovës. Qeverisja aktuale ka përballuar sfida të mëdha për të arritur deri këtu, ka patur moskuptime dhe interpretime për ruajtjen e status quo-së, gjë që nuk është pranuar. Ka patur e vazhdon të ketë edhe kritika jashtë kufijve të Kosovës, por ajo që është themelore është fakti se qeverisja nuk ka tejkaluar asgjë përpos atyre që duhet të bëjë një shtet duke ushtruar sovranitetin e tij, duke respektuar marrëveshjet e duke vënë qytetarët në rend të parë. Shantazhet mund të kenë qënë të forta, por edhe qëndrueshmëria e zbatimi i ligjit kanë qënë më të fortë.
–“Çfarë mendimi keni për qasjen e Albin Kurtit ndaj integrimit të veriut dhe Mitrovicës – a do të çojë kjo në një normalizim të qëndrueshëm apo thjesht në forcimin e autoritetit të shtetit?”
Normalizimi në Veriun e Mitrovicës vazhdon e do të mbetet i brishtë. Kjo jo për hir të mosfunksionalitetit të institucioneve qëndore dhe përpjekjes për të koordinuar me faktorët lokalë, por nga mungesa e theksuar e të zgjedhurve në këtë zonë , për të njohur institucionet e për të funksionuar në kohezion. Strategjia e tensionit e inspiruar në mënyrë të vazhdueshme nga Beogradi zyrtar do të vijojë të jetë prezente dhe kjo nuk përjashtohet të krijojë situata që rrisin temperaturën politike , po edhe sociale në zonë. Tentativat për të ndërhyrë në jetën politike të Kosovës nga ana e Serbisë janë një konstante e përherëshme, që kur gjen “ushtarët e bindur” vepron me intensitet dhe tërhiqet e ankohet në kancelaritë perëndimore me zë deri në qiell, kur shikon se po instalohet demokracia e ligjit dhe implementohen marrëveshje që vetë I ka pranuar dhe është tërhequr më pas . Përsëri do të ketë përpjekje për të realizuar zgjedhje apo referendume të Serbisë brenda teritorit të Kosovës, por tashmë Kosova është një hap përpara: me kosto në planin ndërkombëtar, por i ka ndaluar. Kosova nuk ka tejkaluar asgjë në veprimin e saj politik e ligjor lidhur me atë çfarë është nënshkruar në prani të faktorit ndërkombëtar. Ajo që s’ka pranuar Kosova, është shtyrja e tejskajshme e afateve , jashtë konsenseve të arritura si :ndryshimi I targave,menaxhimi I integruar I kufijve, paisja me mjetet e identifikimit të RK, mbledhjen e taksave doganore dhe të TVSH, e implementimit të plotë të ligjit, e ruajtjes së tërësisë territoriale, duke mos lëshuar copa të vendit, për hir të një stabiliteti që nuk çonte askund. Përparimet e marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë nuk kanë avancuar jo si përgjegjësi e palës kosovare, por si divijim kohorent nga pala serbe. Megjithatë, ndërkombëtarisht ëshë penalizuar Kosova, ndërkohë që vijon përkëdhelja për Serbinë.
–Si e vlerësoni funksionimin institucional të Malit të Zi dhe ndikimin që kanë fuqitë e jashtme, si Rusia dhe Serbia, mbi kursin euro-atlantik të vendit?
Pas një ecje të shpejtë drejt integrimit europian dhe hapjes së kapitujve të anëtarësimit, më përpara dhe më ritëm më të shpejtë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, tashmë procesi në Malin e Zi ka pësuar një ngadalsim. Në vizitën e saj në tetor të këtij viti në Podgoricë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e konsideroj ambicioz planin e Malit të Zi për të mbyllur gjithë kapitujt e negociatave me BE-në në vitin 2026, me objektiv për t’u bërë shteti I 28 anetar në fillim të 2028. Duke lexuar situatën politike e sociale që është sot prezente në Mal të Zi, ajo nënvizoi si kusht për arritjen e këtij synimi që vendi: “duhet të mbetet I fokusuar në objektiv dhe I bashkuar “. Vitet e fundit janë thelluar fërkimet politike midis forcave properëndimore dhe atyre proruse dhe proserbe, që janë investuar në te gjitha planet të jenë pjesë e pushtetit. Vëmendjen e debatit publik dhe atij politik e kanë marrë : çështjet e identitetit kombëtar dhe ato fetar, duke anashkaluar ato që kanë të bëjnë më interesat shtetërore dhe të së ardhmes së vendit. Pas daljes nga skena të Gjukanoviçit, i cili krahas mëkateve, kishte meritën e orientimit properëndimor dhe pavarësimit të vendit të tij, kakofonia politike edhe si rezultat I përplasjes së faktorëve perëndimorë me ato lindor është rritur, duke mjegulluar shpesh herë të ardhmen. Partneriteti i Malit të Zi me strukturat euroatlantike dhe qasja drejt e një shteti ndonëse të vogël me vokacion të ndryshëm nga trungu ku u shkëput, bëri që mbështetja perëndimore të vinte në rritje. Ardhja në pushtet e një qeverisjeje të re ka bërë që segmente të ndryshme të qeverisjes të jenë të afeksionuar me Serbinë , por edhe me Rusinë. Kjo jo vetëm ka ngadalsuar procesin e reformave, por edhe ka ulur mbështetjen që vende të ndryshme europiane kishin për vendin e vogël ballkanik. Artikulimet që bën sot kryeministri Milojko Spajiç kanë theks perëndimor dhe me veprimet e kohëve të fundit përcaktimet janë për integrimin e vendit në BE, por segmente të ndryshme brenda koalcionit, e kanë vishtirësuar këtë rrugë. Qasja e opinionit publik është e tillë që mbështet integrimet europiane dhe arritja e një objektivi të tillë, do t’i zbuste fërkimet që sot janë midis grupeve të caktuara, kryesisht me orientim e baza etnike. Mali i Zi, edhe pse vendi më i vogël, më pak i populluar dhe me më shumë sfida në kohezionin e brendshëm politik, ka përfituar nga një qasje më konsistente dhe teknike në negociata.Por kushtet e vëna sëfundi dhe udhërrëfyesi I vendosur nga Kreu I Komisionit Evropian, ja kanë kondicionuar shpejtësinë në arritjen e objektivit Podgoricës zyrtare.
-Po rolin e Kishës Ortodokse Serbe në këtë vend, e shihni si aktor politik apo thjesht fetar?
Roli i Kishës Serbe ka vetëm petkun fetar. Ai është mirëfilli politik dhe ka përcaktuar ndjeshëm zhvillimet politike në vitet e fundit në Malin e Zi. Duke shfrytëzuar ndjeshmërinë religjoze të popullsisë , kisha ka luajtur e vazhdon të luajë një rol të ndjeshëm të orientimit qeverisës, duke u u investuar shpesh edhe drejtëpërdrejtë për t’I dhënë përcaktim lindor. Ky është një handikap negativ që pengon para se gjithash kohezionin midis etniteve , por ka ndikim të lexueshëm në politikën publike aktuale. Në regjistrimin e popullsisë në vitin 2023, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ishte një zë i fuqishëm në thirrjet ndaj qytetarëve për t’u identifikuar si serbë dhe besimtarë të Kishës e që flasin serbisht. Ndikimi i tij dhe faktorëve të tjerë në këtë drejtim solli një rritje të popullsisë serbe me 4 % , krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, çfarë është e vështirë për t’u arsyetuar si normale. Kjo ndërhyrje ka si objektiv për të krijuar një raport të ri të midis dy etniteteve më të mëdha :malazezë dhe serbë, duke synuar rritjen e peshës specifike të këtij të fundit në raportet me pushtetin. Konfrontimi I nxehtë midis forcave politike properëndimore me strukturat që janë të orientuara me Beogradin , më domethënës ishte në vitin 2019, ku mosmarrëveshjet rreth Kishës Orodokse Serbe (KOS) çuan në një përshkallzim të ri të tensioneve që kishin nisur që nga viti 2010.Miratimi I ligjit për lirinë e fesë që parashikonte kthimin e manastireve dhe kishave të përdorur nga KOS në pronësi të shtetit, nxiti një valë të fuqishme rezistence dhe krjoi shtratin humbës për DPS në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, por edhe ato parlamentare e presidenciale të vitit 2023. Kasta e politikanëve të korruptuar u largua nga pushteti, për t’ia lënë vendin një brezi politikanësh që shpresohej të ishin me ide dhe koncepte të reja properëndimorë, por që ishin të pamjfatueshëm për të diktuar reformat dhe udhëhequr vendin me shpejtësi drejt integrimeve europiane. Forcat radikale proserbe arritën të krijonin strukturat e bllokun e tyre, edhe si rezultat I ndikimit të Kishës dhe janë sot pjesë e segmenteve të caktuara të pushtetit. Konkretisht, kryetari I parlamentit të Malit të Zi është Andrija Mandiç, ish lideri I Frontit Demokratik pro-rus.
-Një tjetër vend me rëndësi në rajon është Maqedonia e Veriut, e cila duket se vitin e fundit ka rikthyer reminishenca të së kaluarës. A mendoni se konsolidimi i pushtetit nga VMRO-DPMNE ndikon në marrëdhëniet ndëretnike dhe në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian?
Mjedisi politik në Maqëdoni, në mënyrë konsistente e të theksuar gjatë fushatave elektorale, dominohet nga tezat nacionaliste. Partia që më së shumti ka menaxhuar më mirë këtë tezë është VMRO-DPMNE, e cila retorikën nacionaliste ka ardhur duke e forcuar dhe rezultatatet kanë qënë positive në planin elektoral për këtë subjekt. VMRO retorikëm ka ardhur gjithnjë duke e agravuar në fushatë, por edhe pas fitores që I siguruan qëndrueshmëri qeverisjeje. Duke kundërshtuar ndryshimet e kufijve komunalë dhe ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, partia që dominon skenën sot në Maqedoni, goditi nën brez edhe aleatët e vet të koalcionit VLEN . Përtej kësaj , tregoi se ajo nuk e kishte nacionalzmin vetëm një urë drejt fitores së zgjedhjeve, por edhe psikologji sundimi, duke shmangur nevojën për një bashkëjetesë normale midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Në zgjedhjet lokale, me mbështetjen e disa kandidaturave shqiptare në zonat ku ata janë shumicë, u përpoq të retushonte qëndrimin e vet radikal e konfrontues.
Aleati shqiptarë në disa qeveri, BDI u mbështet në të gjithë trajektoren e vet më shumë në një folklor politik dhe teza me ngjyrime nacionaliste, se sa nismat institucionale e kushtetuese për të rrënjosur të drejtat e këtij etniteti në Republikën e Maqedonisë. Vërtet shqiptarët arritën të kishin përfaqësues të tyrin , kryetarin e parlamentit, por të mos harrojmë se një gjë e tillë ishte arritur që në fillim të viteve 90-të.Duke u marrë më shumë me retorikë, BDI I krijoj vetë shtegun e dëshëruar VMRO -së që të theksonte tezat nacionaliste. Ajo vazhdon të mbetet e ashpër në këtë pikë, gjë që do të sjellë kosto për të dalë nga situata bllokuese në të cilën ndodhet vendi , për të ecur drejt Bashkimit Evropian . Marëdhëniet ndëretnike mbeten një referencë e patjetërsueshme për të krijuar një frymë mirëkuptuese me strukturat dhe institucionit e BE-se, drejt një relaksimi të situatës.
-Maqedonia e Veriut ka bërë disa përparime të dukshme drejt integrimit evropian, por pse vendi vazhdon të ngecë në këtë rrugë? Cilat janë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që e pengojnë këtë proces?
Në procesin drejt Bashkimit Evropian kërkohet jo thjesht plotësimi I disa “detyrave” për të cilat burokratët evropianë kanë tagër për t’I lënë të zgjidhen. Ka edhe Por, që është shumë e rëndësishme : Bindja dhe konsensusi me të gjitha vendet anëtare si dhe marëdhëniet e relaksuara etnike. Të dyja këto kanë ngecje serioze. Me ardhjen në pushtet VMRO ka bojkotuar, herë në mënyrë të heshtur, herë edhe zyrtarisht marrëveshjet e arritura me Athinën, Sofjen po edhe Brukselin, duke I cilësuar të dëmshme për kombin maqedonas. Përplasjet me Bullgarinë megjithë ndërhyrjet e komunitetit ndërkombëtar, nuk kanë mundur të tejkalohen dhe mbeten aty , si një pamundësi për t’I avancuar proceset, si pasojë e vetos bullgare, së cilës pavarësisht se nuk është artikuluar me zë të lartë, I bashkëngjitet në varësi të rrethanave edhe vetoja greke.
Siç thashë edhe më lart, problemet etnike mbeten të padefinuara, pavarësisht se faktori shqiptar megjithë rezervat që ka për politikën ditore të lidershipit maqedonas, është treguar konstruktiv për të mbështetur rrugëtimin e Maqedonisë drejt strukturave integruese, pa u bërë në asnjë rast, faktor bllokues. Ky qëndrim I shqiptarëve ka qënë koherent dhe I dëshmuar për vite me radhe, duke sakrifikuar edhe nga vetja.
-Z. Podgorica, nga tre vendet – Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, cili është më i ekspozuari ndaj destabilizimit politik dhe ndërhyrjeve të jashtme?
Të tre vendet, sipas një trajektoreje të ndryshueshme edhe në varësi të zhvillimeve, mbeten të ekspozuara ndaj destabilizimit politik dhe ndërhyrjeve të jashtme. Maqedonia e Veriut në momentin e tanishëm ka stabilitet politik, ka një qeverisje që nuk tronditet nga numrat dhe përgjithësisht të strukturuar.
Kosova endet në atë që përcaktova: në dimrin e vet politik pa qeveri të konfirmuar nga legjislativi, por me institucione ligjzbatuese që kanë marrë profilin e tyre dhe kanë forcuar integritetin. Ndërhyrjet ndaj Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kryesisht ruso-serbe kanë intenstitetin e tyre koherent e me strategji të qartë destabilizuese, por për shumë faktorë ato mbeten të pafuqishme për të ndryshuar qasjen e këtyre vendeve drejt integrimeve.
Më I ekspozuar mbetet Mali I Zi, pasi strukturat qeverisëse janë pjesë të një koalicioni laraman, ku ballafaqohen rrymat perëndimore me ato lindore.
-Zoti Ambasador, si përfundim, cilat janë masat më të rëndësishme që vendet e rajonit mund të marrin për të ruajtur stabilitetin politik, konsensusin institucional dhe përparimin drejt integrimit euro-atlantik?
Këto janë receta të vështira për t’u dhënë dhe besoj janë në tagrin e një diplomati të lartë Brukselit apo Uashingonit. Nuk e kam një spaletë të tillë mbi supet e mia. Modestisht do sugjeroja që mbi të gjitha duhet ruajtur prirja në shumicë e popullsisë së këtyre vendeve që kanë si orientim dhe shpresë integrimin europian. Kjo arrihet duke forcuar konsensusin qeverisës dhe duke demokratizuar atë, duke iu larguar sa më shumë frymës nacionaliste, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, dhe duke penguar përmes riciklimesh pushteti autoritarizmin e drejtuesve. Masat në kuptimin principial të konceptit janë specifike ndaj sejcilit vend, por ajo që është e përbashkët mendoj se është ruajtja e standartave të vërteta demokratike në të gjithë jetën e këtyre vendeve. Ka shumë retorikë në këtë drejtim dhe fasadë, dhe pak thelb, çfarë dëmton seriozisht qeverisjen dhe perspektivën. Ajo që vazhdon t’u mungojë këtyre vendeve është konsensusi institucional, pasi mazhorancat kanë qënë të brishta në një pjesë të konsiderueshme të kohës përgjatë dekadave të fundit, dhe ekspozimi ndaj brishtësisë së pushtetit, ka krijuar gjithnjë tensione. Maqedonia e Veriut është më e konsoliduar së fundi, ashtu siç ishte Kosova në mandatin Kurti, por jo gjithnjë ka qënë kjo tabllo. Përplasjet kanë konsumuar shumë energji politike dhe kohë për të gjetur konsensuset, ku është dashur edhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për t’u arritur. Një vetëdijisim në përgjegjësinë institucionale të lidershipit politik, do t’I shmangte parplasjet e panevojëshme, ose të tejkalueshme lehtë. Sa më shumë maturim demokratik tek klasa politike, aq më e lehtë do jete rruga drejt BE-së për këto vende
***
*Gëzim Podgorica është analist i çështjeve të rajonit, me përvojë të gjatë në diplomaci dhe media. Ai ishte diplomati i parë shqiptar që hapi zyrën e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën në vitin 2000. Ka drejtuar disa media të rëndësishme, si Radio Shkodra, Shkodra Channel, Radio Tirana, ATSH, si edhe Akademinë Radiotelevizive të RTSH. Ka shërbyer si president i rrjeteve rajonale të agjencive të lajmeve (ABNA dhe AMAN), si dhe ka qenë anëtar e kryetar bordesh në revista të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe kontribuon si analist në media të ndryshme në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
© 2025 Argumentum




























































