Boshko Jakshiç-[i]
Ka kohë që amerikanët nuk përgatiten për zgjedhjen e presidentit në një atmosferë kaq të ngrysur dhe të shënjuar nga lufta e madhe dhe frika për të ardhmen e vendit. Triumfi bindës i Donalad Trampit në Ajova paralajmëron kurorëzimin e tij si kandidat republikan dhe duel të përsëritur me Xhozef Bajdinin në muajin nëntor të këtij viti. Do të jetë një duel kandidatësh pleq jopopullorë, gjë që është një shqetësim më shumë i vendit për shkak të matastazave të ndasive të brendshme që kërcënojnë themelet e vlerave të eksperimentit demokratik amerikan dhe në debatin e përditshëm, madje ka edhe kërcënime me luftë civile, me ndryshimin se tani nuk do të jenë veriu dhe jugu, por gomari dhe elefanti, përkatësisht maskotat e demokratëve dhe republikanëve.
Amerika po rreshtohet sipas vijës Mazhino që e ka vizatuar Trampi gjatë mandatit katërvjeçar që shënohej nga përbuzja ndaj Kongresit, fyerja e rivalëve, injorimi i ligjeve, shpallja si “armiq të popullit” e gazetarëve kritikë ndaj tij.
Kokusi në Ajova, i pari në serinë që do të përcaktojnë kandidatët, u duk më shumë si lexim e Ungjillit se dha mesazhe politik. “Zoti ka thënë se më duhet një njeri i vullnetshëm për të ngritur para agimit, të rregullojë këtë vend, të punojë tërë ditën, të hajë darkë dhe pastaj të shkojë në dhomën Ovale ku të qëndrojë deri pas mesnate… Zoti krijoi Trampin”, thirri narratori, duke recituar repertoarin më të dashur të ish presidentit: se është viktimë e “mashtrimit”, “gjueti shtrigash”, “gënjeshtra”, “akuza të rreme”. “gjykime të rreme” të gjykatësve që janë “kafshë”, “zgjedhje të manipuluara”, “akuza të manipuluara”. Trampi ka formuar tashmë një ushtri, që është një e katërta e popullsisë, e cila beson thellë se “patrioti i vërtetë amerikan ndoshta do të duhet të mbështetet te dhuna për të shpëtuar vendin”.
Rivalët e Trampit përshkruhen si “budallenj”, “të korruptuar” “të paaaftë”, “marksistë”, “komunistë” “fashistë”, “turmë”, “globalistë” dhe “nxitës lufte”, të cilët Amerikën e çuan “shumë afër luftës së tretë botërore”. Retorika prej artilerie paralajmëron luftë pa kompromis dhe pa doreza gjatë së cilës Trampi do të shkojë gjithnjë e më shumë djathtas duke paralajëmruar se do të shkatërrojë në mënyrë hakmarrëse normat demokratike nëse merr një mandat të dytë.
Ndjekësit e tij duket se kanë qejf kur ai kërcënon. Kësisoj të hënën i fshiu rivalët. Mori më shumë se Ron Desantisi dhe Niki Hejli sëbashku. Guvernatori i Floridës, dikur i konsideruar si sfidues serioz i Trampit, pësoi një goditje shokuese dhe është ngushëllim i vogël për të që doli në vendin e dytë. Ish ambasadorja e ShBA-ve në OKB ishte e treta në mënyrë zhgënjyese megjithëse shpreson në kokusin pasardhës në Nju Hempshir, ku para vetes do të ketë zgjedhës të matur dhe që mendojnë më shumë.
Anketat tregojnë se Hejli e pakompromis do të fitonte pastër kundër Bajdenit, por Trampi bën gjithçka ta poshtërojë megjithëse, gjithnjë sipas anketave, nuk është shumë më popullor se ka qënë para katër viteve. “Nëse Trampi do të përkujdesej për vendin me gjysmën e asaj që përkujdeset për veten, do të duhej të kishte dalë nga gara dhe do të lejonte ngritjen e kometës Helji”, shkruan fejtonistja e “Uashington Postit”, Ketlin Parker. “Por ai më më shumë dëshirë do të asgjësojë cilindo që i gjendet në rrugë sesa t’a lëshojë egon e tij në dorë të turmës që guxon ende të kërkojë të vërtetën”.
Inflacioni është në rënie, papunësia është kthyer në nivelin e para pandemisë, largimet nga puna janë tejet të vogla, por rivalët e Trampit në një masë të madhe ishin jokonsekuentë rreth problemeve të tjera kryesore: emigracioni, ndihma për Ukrainën dhe siguria sociale. Thjesht nuk ditën, ose nuk patën kurajo, ta thoni qartë se çfarë do të thotë të jesh republikan në Amerikën e ditëve të sotme. Njeriu i cili më parë ka pas kërcënuar se do të deportojë miliona emigrantë ilegalë, ua kaloi përsëri teksa me gjuhën e inkuizicionit pohonte se emigrantët po “helmojnë gjakun” e vendit. Luajti edhe me kartën e Ukrainës. Tha se nëse do të zgjidhej për “24 orë” do ta ndalonte luftën duke e kërcënuar Vladimir Putinin me rritjen e ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën, ndërsa Volodimir Zelenskin me heqjen e ndihmës – në mënyrë që t’i detyronte të lidhnin paqen. Por shumë veta i besojnë një taktike të tillë jokonsistente.
Republikanët janë zgjedhës të Trampit, por zgjedhësit konservatorë duhet se e adhurojnë retorikën e tij toksike. I’u ofrua atyre alternativa e demagogut narcisoid, por ata zgjodhën Trampin. Mesazhi i Desantisit për të ruajtur “flakën e shenjtë të lirisë” nuk depërtoi deri te veshët e tyre. As fjalët e Hejlit se meritojnë “Amerikën pa dramë, Amerikën e cila do të ishte më e mirë se në rastin kur do të kishte një dyshe tetëdhjetë vjeçarësh që garojnë për president”.
Zgjedhësit, kryesisht fermerë dhe blegtorë, nuk u lëkundën as nga temperaturat e akullta të Ajovës. Nuk u pengon atyre që i përzgjedhuri i tyre është në një pozitë të paparë dhe bën fushatë në një kohë që përballet me 91 akuza penale për vepra të kryera qëkur ishte kandidat në vitin 2016, si president 2016-2020 e më vonë si ish president. Mbi të gjitha për shkak të përgjegjësisë të lidhur me rrëmujat e papara më parë para Kaptol Hill-it të cilat i shkaktuan në muajin janar të vitit 2021 simpatizantët e Trampit duke pohuar se zgjedhjet u janë vjedhur. Edhe sot, dy të tretat e atyre që morën pjesë në kokusin e Ajovës, beson se fitorja e Bajdenit ndaj Trampit ka qënë jolegale.
Problemet e tij Trampi arriti t’i shndërojë në adute të tij. Asgjësoi shumë konsensuse të vjetra republikane duke mos krijuar të rinj. Sezoni ndoshta vendoset që në start, por gara zgjedhore për nominim është e panjohur sa edhe rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Rusi në muajin mars.
Demokratët frikësohen se mos administrata e dytë Tramp do ta shpjerë Amerikën në kaos, do të kufizojë të drejtat kushtetuese dhe do të asgjësojë legjitimitetin e zgjedhjeve. Për këtë një prej mesazheve të fushatës së Bajdenit është mbrojtja e demokracisë. Zgjedhësve amerikanë u rekomandohet të kenë vetëm një përzedhje legjitime: Bajdenin. Megjithëse nuk tingëllon tejet demokratike, sepse nga të gjithë ata që nuk janë dakord me politikën e presidentit aktual kërkohet që të mos e shfaqin mosdakordësinë e tytre, mesazhi në shumë anë është i saktë: “Votoni për mua ose për humbjen e demokracisë” është sllogani i Shtëpisë së Bardhë, i cili para pak kohësh zgjedhjet e përcaktoi se konflikt i demokracisë kundër diktaturës. Gjithçka tjetër është më pak e vlefshme nëse një prej kandidatëve dëshiron të ruajë demokracinë ndërsa tjetri ta asgjësojë atë, është formulimi që tregon se gjithsesi demokracia është plagosur.
A do t’i ndjekin këto rekomandime të Bajdenit zgjedhësit dhe do t’i harrojnë të gjitha çështjet e tjera që i mundojnë në jetën e përditëshme? Ndoshta jo, krahas rrezikut që ta lejojnë Trampin të vazhdojë të udhëheqë vendin me stilin e tij autoritar i cili jo vetëm që e ka ndarë ashpër Amerikën por ka shkatërruar dinjitetin ndërkombëtar dhe ka prishur marrëdhëniet me aleatët më të afërt.
Trampi kurrë nuk e ka fshehur ambicien për kontroll sa më të madh të shtetit, për kërkesat e tij për luajalitet janë legjendare. Ka bërë qartë me dije se nuk i interesojnë as e vërteta dhe as ata që i kundërvihen atij. Ai edhe sot e kësaj dite mendon se janë gënjeshtarë të gjithë ata që nuk mbështesin gënjeshtrën e tij më të madhe: se zgjedhjet në vitin 2020 janë vjedhur. Jeton të vërtetën e tij dhe këtë pret edhe nga të tjerët në vendin e tij i cili është i ndarë madje edhe rreth asaj se çfarë është e domethënia e së vërtetës.
Xorxh Orvelli në romanin e tij “1984” shkruante: “Nëse të gjithë e pranojnë gënjeshtrën që imponon partia – sepse të gjithë shënimet tregojnë të njëjtën gjë – atëherë e gënjeshtërta kalon në histori dhe bëhet e vërtetë. Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën”.
Kështu kanë lindur edhe “faktet alternative” të famshme për Trampin e dërguar nga Zoti.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/594950/Pogledi/Jevandelje-po-Trampu