Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda priti në një takim zyrtar, Ministër-Këshilltar i Ambasadës Kineze në Shqipëri, z. Huang Xuehu. Fokusi i këtij takimi, i cili u zhvillua në ambientet e DPPSh-së, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të strukturave qendrore, ishte ndërtim i urave të reja të bashkëpunimit bilateral, nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët dhe krijimit të pikës së kontaktit të Policisë kineze, në Policinë e Shtetit.
Gjatë takimit u diskutua mundësia për nënshkrimin e një marrëveshjeje zyrtare për bashkëpunim dhe krijimin e një pike të përhershme kontakti të Policisë kineze pranë Policisë së Shtetit shqiptar, e cila do të lehtësojë komunikimin dhe koordinimin në kohë reale për çështje me interes të ndërsjellë.
Të dy përfaqësuesit, z. Proda dhe z. Huang, u shprehën të një mendimi se forcimi i këtij bashkëpunimi është kyç për të parandaluar dhe goditur krimin e organizuar ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, emigracionit të paligjshëm dhe krimeve kibernetike.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe lufta kundër shfrytëzimit për prostitucion, një fenomen që ka përfshirë edhe shtetase kineze të rekrutuara në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Drejtori Proda nënvizoi angazhimin e Policisë së Shtetit jo vetëm për ndjekjen penale të autorëve, por edhe për ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjes për viktimat, në bashkëpunim me ambasadën kineze dhe institucionet përkatëse.
Ministër-Këshilltari Huang vlerësoi punën e deritanishme të Policisë shqiptare dhe theksoi gatishmërinë e agjencive ligjzbatuese kineze për të intensifikuar bashkëpunimin, përmes shkëmbimit të informacionit, trajnimeve të p ërbashkëta dhe operacioneve të koordinuara në fushat me interes të përbashkët.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit policor ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, në funksion të forcimit të sigurisë kombëtare dhe rajonale.
/Argumentum.al