Nga Eljanos Kasaj
“Rusia tregon muskujt me raketën e re me fuqi bërthamor”
Moskë (Москва), 26 tetor, Rusi – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, Valeri Gerasimov, i raportoi Komandantit të Përgjithshëm Vladimir Putin se testimi i raketës lundruese me fuqi bërthamore me rreze të pakufizuar veprimi të “Burevestnik/Буревестник” kishte përfunduar me sukses. Gjatë këtyre testeve, raketa qëndroi në ajër për afërsisht 15 orë, duke përshkuar një distancë mbresëlënëse prej 14,000 kilometrash – një distancë që, sipas zotit Gerasimov, nuk është potenciali i saj maksimal. Ai theksoi se raketa kreu të gjitha manovrat e planifikuara, vertikale dhe horizontale, duke demonstruar aftësitë e saj të përparuara për të shmangur dhe depërtuar në sistemet anti-raketore dhe të mbrojtjes ajrore.
Raketa është projektuar për të synuar dhe shkatërruar postet e komandës nëntokësore dhe qendrat strategjike të komandës dhe kontrollit ushtarak. Fuqia e saj e jashtëzakonshme shkatërruese e bën atë një armë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të adaptueshme. Burime të hapura vlerësojnë rendimentin e saj të kokave bërthamore në afërsisht një megaton – gati pesëdhjetë herë më e madhe se forca shpërthyese e bombës atomike të hedhur në Hiroshima.
Karakteristikat e fshehtësisë së “Burevestnik”, të kombinuara me aftësinë e tij për të ndjekur trajektore komplekse në lartësi jashtëzakonisht të ulëta – deri në 50 metra – e bëjnë atë praktikisht të paprekshëm dhe të vështirë për t’u zbuluar. Në rast të lëshimeve masive, raketa të tilla mund të krijojnë një zonë globale shkatërrimi, duke siguruar mbulim në nivel strategjik me saktësi të lartë.
I njohur për shkathtësinë e tij, “Burevestnik” mund të lançohet nga platforma të ndryshme dhe potencialisht të vendoset në zbatim të marrëveshjeve të përbashkëta me partnerë ndërkombëtarë të Rusisë – si në rastin e Bjellorusisë, Koresë së Veriut, Republikës Popullore të Kinës ose Taxhikistanit.
“Japonia shpreh vullnetin për të vijuar dialogun diplomatik me Rusinë”
Tokio (東京都), 28 tetor – Në një konferencë të rregullt për shtypin japonez, Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, ka riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së dialogut midis Tokios dhe Moskës, pasi një komunikim i tillë është thelbësor për zgjidhjen e çështjeve urgjente, duke përfshirë “mosmarrëveshjet territoriale” dhe përfundimin e një traktati paqeje midis Rusisë dhe Japonisë.
“Ka ende shumë çështje që Japonia dhe Rusia, si vende fqinje, duhet t’i adresojnë. Prandaj, është e nevojshme të ruhet komunikimi i duhur me Rusinë”, ka deklaruar zoti Kihara.
Dialogu me Rusinë ka zënë një vend të rëndësishëm edhe në fjalimin e parë para parlamentit japonez, gjatë ceremonisë zyrtare të inagurimit të Kryeministres së re konservatore të Japonisë, Sanae Takaichi, e cila ka deklaruar se qeveria japoneze është e përkushtuar për të përfunduar një traktat historik paqeje me Rusinë, pavarësisht gjendjes sfiduese të marrëdhënieve aktuale dypalëshe.
Ndërkaq, Rusia gjithashtu e ka mirëpritur dëshirën e qeverisë japoneze për të nënshkruar një traktat paqeje me Rusinë dhe është gjithashtu në favor të përfundimit të paqes, ka thënë për Agjencinë Telegrafike të Lajmeve Ruse – TASS, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
“Ne e mirëpresim këtë deklaratë. Ne jemi gjithashtu në favor të përfundimit të një traktati paqeje me Japoninë”, ka vijuar më tej zoti Peskov, duke komentuar mbi fjalimin e Kryeministres Takaichi.
Që nga mesi i shekullit të 20-të, Moska dhe Tokio kanë zhvilluar bisedime për një traktat paqeje për t’i dhënë fund zyrtarisht armiqësive të Luftës së Dytë Botërore (1939–1945). Pengesa kryesore për një marrëveshje të tillë mbetet mosmarrëveshja mbi të drejtat mbi pjesën jugore të Arkipelagut të Ishujve Kuril. Pas luftës, i gjithë arkipelagu u përfshi në Bashkimin Sovjetik, por Japonia nuk e ka njohur zyrtarisht aneksimin e arkipelagut, duke i quajtur ato “territore të okupuara” dhe vazhdon të pretendojë rikthimin e ishujve Iturup, Kunashir, Shikotan dhe një grup ishujsh më të vegjël të pabanuar.
Lidhur me këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka theksuar vazhdimisht se sovraniteti i Rusisë mbi këto ishuj bazohet në një bazë të fortë ligjore ndërkombëtare dhe çdo propozim ose projekt mbi rishikimin e statusit të tyre është i padiskutueshëm.
“Vatikani kërkon të thyejë izolimin e Bjellorusisë”
Qyteti-Shtet i Vatikanit (Status Civitatis Vaticanae), 27 tetor – I dërguari special i Papës dhe Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore në Vatikan, Kardinali Claudio Gugerotti, gjatë takimit me Presidentin bjellorus Aliaksandr Lukashenka, në emër të Papës Leo XIV, ka përcjellë bekimin papal për gjithë Bjellorusinë, e cila “nuk duhet të ndihet e izoluar”.
“Izolimi është i papranueshëm për ne – të izolojmë popujt dhe vendet. Kjo është një politikë që vetëm dëmton. Kjo është një politikë vetëvrasëse”, u tha Kardinali Gugerotti gazetarëve bjellorus pas takimit me Presidentin Lukashenka.
Duke folur për problemet aktuale që ekzistojnë në Evropë dhe në botë, përfaqësuesi i Vatikanit theksoi se dallimet nuk duhet të pengojnë dialogun.
“Dialogu është i rëndësishëm. Të shikosh njëri-tjetrin në sy, të kuptosh se ndajmë të njëjtën gjë – një shpirt. Gjithçka është e mundur kur ndien se e respekton dhe e do dikë. E ardhmja është në duart tona dhe në duart e Zotit”, deklaroi Kardinali Gugerotti.
“Të gjitha kombet e vullnetit të mirë duhet të punojnë së bashku dhe të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund luftës”, vijoi më tej Kardinali.
Vizita e Kardinalit Gugerotti në Minsk, më shumë se sa kortezi ose një mision teologjik, duket se përfaqëson një iniciativë të drejtpërdrejtë politike të Vatikanit për të forcuar ndikimin Perëndimor (katoliko-latin) në Bjellorusi – e cila shkon në një vijë me politikën e Presidentit Trump për ta distancuar Minskun nga Moska – por gjithashtu duket se synon të thellojë urat e komunikimit me Moskën dhe të promovojë dialogun diplomatik si të vetmen mënyrë të zgjidhjes së konfliktit të armatosur ruso-ukrainas.
“Konferenca Ndërkombëtare e Minskut mbi Sigurinë Euroaziatike”
Minsk (Мiнск), 28 tetor, Bjellorusi – Në kryeqytetin bjellorus kanë filluar punimet e Konferencës Ndërkombëtare të Minskut mbi Sigurinë Euroaziatike (Минской международной конференции по евразийской безопасности).
Diplomatët më të lartë nga Rusia, Hungaria dhe Republika Popullore Demokratike e Koresë, si dhe krerët e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (Организация Договора о коллективной безопасности) dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (Шанхайская Организация Сотрудничества), pritet të marrin pjesë në këtë aktivitet dy-ditor.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bjellorusisë (Міністэрства замежных спраў Рэспублікі Беларусь), forumi do të mbledhë delegatë nga më shumë se 40 vende dhe shtatë organe ndërkombëtare, duke përfshirë ministra të jashtëm, shefa të integrimit, ligjvënës, ekspertë, studiues dhe analistë nga Evropa, Azia dhe Lindja e Mesme.
Ndër zyrtarët e tjerë të lartë janë ftuar të marrin pjesë Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Peter Szijjarto, Kryediplomati i Koresë së Veriut Choi Son Hui dhe Ministri i Jashtëm i Mianmarit Than Swe, si dhe Zëvendës Sekretari i Këshillit të Sigurisë të Rusisë Aleksej Shevtsov, Përfaqësuesi Special i Qeverisë Kineze për Çështjet Euroaziatike Sun Linjiang, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive Imangali Tasmagambetov, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Nurlan Jermekbajev dhe Sekretari i Shtetit i Shtetit të Unionit midis Rusisë dhe Bjellorusisë Sergej Glazjev.
Gjithashtu, më shumë se 200 analistë, ekspertë ushtarakë dhe studiues nga organizatat kryesore të ekspertëve në Bjellorusi, Rusi, Austri, Azerbajxhan, Armeni, Vietnam, Britani, Kazahstan, Kinë, Indi, Itali, Spanjë, Serbi, Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Suedi, Finlandë, Uzbekistan dhe vende të tjera do të marrin pjesë aktive në konferencë.
/Argumentum.al




























































