Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje SHBA-së të rrisë mbështetjen për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke kërkuar që Kievi të pajiset me një pjesë të rezervave amerikane të raketave interceptuese “Patriot”. Kërkesa vjen në një kohë kur Ukraina përballet me intensifikimin e sulmeve ajrore ruse dhe me një mungesë të theksuar të raketave për mbrojtjen kundërajrore, ndërsa edhe rezervat amerikane janë reduktuar ndjeshëm. Sipas Zelenskyt, sigurimi i vetëm 5% të raketave amerikane PAC-3 do të ishte i mjaftueshëm për të ndihmuar Ukrainën të përballojë sulmet ruse gjatë dimrit dhe të mbrojë jetët dhe infrastrukturën kritike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i shesin Ukrainës 5% të rezervës së tyre të raketave interceptuese për sistemet “Patriot” duke argumentuar se kjo do ta ndihmonte vendin të përballonte sulmet ajrore ruse gjatë dimrit.
“Nëse amerikanët na shesin 5% raketa interceptuese “PAC-3” dhe asgjë tjetër, ne do ta përballojmë dimrin dhe do të shpëtojmë jetë”, shkroi Zelensky në Telegram.
Sipas tij, deri tani Ukrainës i është vënë në dispozicion vetëm rreth 1% e kësaj rezerve amerikane.
Presidenti Zelensky tha se nëse SHBA-ja do t’i jepte Ukrainës 10% të rezervave, forcat ukrainase do të ishin në gjendje të asgjësonin raketat balistike ruse.
Presidenti ukrainas ka paralajmëruar vazhdimisht se vendi i tij po përballet me vështirësi në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa.
Sipas Zelenskyt, Ukraina këtë vit ka dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese sesa kishte në vitin 2025.
Ndërkohë, Rusia ka rritur prodhimin e raketave balistike. Moska po shfrytëzon dobësimin e mbrojtjes ajrore ukrainase për të shtuar përdorimin e këtyre raketave.
Kërkesa vjen në një moment kur rezervat amerikane të raketave “Patriot” janë reduktuar ndjeshëm.
Ekspertë të “Center for Strategic and International Studies” (CSIS) vlerësuan në fund të korrikut se SHBA-ja kishte rreth 800 raketa interceptuese në rezervë, nga afërsisht 3 100 para fillimit të luftës në Iran në shkurt.
Sipas vlerësimeve të tyre, Ukraina ka marrë rreth 600 raketa interceptuese.
Pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në fund të korrikut, Zelensky ka shprehur gjithashtu shpresën që Ukraina të marrë një licencë për prodhimin e raketave “Patriot” në territorin e saj. Trump, megjithatë, ka treguar kujdes, duke theksuar se transferimi i një teknologjie të tillë është një çështje komplekse.
/Argumentum.al






















































