Vllado Vurushiç-Jutarnji List[i]
Kaloi edhe një ditë në vargun e ditëve “D” të Serbisë në këtë vitin e fundit. Në Novi Sad u zhvillua përsëri një miting mbresëlënës, në të cilin u mblodhën 150 mijë njerëz, në përkujtimin e të vdekurve nga rënia e tarracës në stacionin e trenit të Novi Sadit, ose më mirë të themi edhe një ngjarje antivuçiç, pas së cilës mund të themi – ja edhe një, kushedi e sata në radhë, gozhdë në arkivolin e regjimit të Aleksandër Vuçiçit, por përsëri gjithçka mbetet siç ka qënë, domethënë ai vazhdon të qëndrojë në shalë. Sadoqë ajo i është shtrembëruar. Serbia po ndryshon dhe studentët sjellin vrull të ri, shansin që Serbia të tërhiqet nga tereni i rrëshqitshëm, por është shfaqur edhe frika se po hyhet në një ritual dhe rutinë e cila mund t’a lëkundë këtë shpresë dhe hov.
Momentalisht Serbia është një vakuum politik dhe shoqëror. Në një situatë shumë të rëndë, studentët janë dritë në fund të tunelit, por duhet të jenë të qartë në mesazhet e tyre, të tregojnë se ofrojnë një alternativë të këtij regjimi përbindësh dhe politike që e përfaqëson Vuçiçi. Studentët, për keshedi të satën herë, treguan se janë energjia e re dhe shpresa e Serbisë, por me shumë “por”, përshembull përkrah tyre në Novi Sad ishin edhe “veteranët e luftës”, e kësisoj shtrohet pyetja – kush janë ata dhe për çfarë dhe me cilin kanë luftuar? Për Jugosllavinë? A mos do të shohim përsëri një pamje të njëjtë të protestave. Për sa kohë do të shfaqen “performanca” të tilla, shëtitje dhe ecje në këmbë nga – deri në, tubime në vendbanime të ndryshme, hyje entuziaste nëpër qytete dhe pritje emocionale nga ana e qytetarëve, organizim tubimesh bashkimi?
Sa kohë mund të zgjasë kjo energji. E cila ekziston dhe është më se evidente. Kur nisën protestat studentore, Vuçiçi kërcënohej dhe të gjithë prisnin që t’i vinte fundi. Kjo është pamje shfaqet që prej një viti në Serbi. Do të ishte dëm i madh sikur shpresa që sollën studentët të venitej, sepse kjo vetëm do t’i zgjaste jetën politike Vuçiçit megjithëse ai aktualisht merr frymë me mushkëri artificiale. Por, edhe kur vjen puna te studentët ekzistojnë shumë dyshime. Largimi i Vuçiçit nuk shihet në horizont, megjithëse ai është duke rënë prej kohësh, si në atë barcoletën e vjetër, kur një njeriu i thanë nëse i mbijetoi rënies, e ai u tha “Nuk e di, akoma jam duke rënë!”. Për më tepër nuk dihet sa do të vazhdojë kështu.
Çfarë duan në të vërtetë studentët?
Dhe sa studentët, por edhe opinioni publik serb, kanë ende fuqi apo ata po presin që regjimi të shembet vetë. Vuçiçi vërtetë është në renie të lirë, por ende nuk e ka arritur fundin. Përveç atij moral, por këtë e ka humbur prej kohësh. Shumë gjëra janë cfilitur dhe përsëritur, por kjo nuk ka efekt. Deri kur dhe me ç’qëllim? Kjo është luftë për cfilitje. Saga e protestave gjithsesi vazhdon: edhe përkundër faktit se ky është edhe një dështim i radhës i Vuçiçit, problemi është se një gjë e tillë mund të bëhet njëfarë perpetuum mobile, pa fund dhe pa anë, ose gjithsesi mund të shkojë në atë finishin e padëshiruar të dhunshëm. Përshtypja është se e tërë Serbia, ose sëpaku shumica e saj, është kundër Vuçiit, por ai gjithsesi arrin të mbahet disi. Studentët protestojnë, Vuçiçin e fyejnë në ndeshje sporti, madje edhe mes kerberëve të tij mediatikë po ndodh njëfarë rirreshtimi dhe rimarrje pozicionesh, tubimet e simpatizantëve të paguar – “cacit” – janë tashmë një shëmtim për arësyen e shëndoshë.
Nga Brukseli vinë gjithnjë e më shpesh rezoluta të vendosura mbi gjendjen në Serbi, të cilat tregojnë se Vuyçiçi nuk e ka më atë “mbrojtjen europiane”, por ende nuk shihet se kur dhe si mund të largohet ai nga pushteti. Të krijohet përshtypja se Serbia është në njëfarë kohe shtesë të dhënë nga gjyqtari, por nuk dihet akoma sa do të zgjasë. Studentët revoltën e tyre, të cilën në nisje nuk e përcaktuan kështu (megjithëse ajo që në fillim ishte e tillë) e ngritën në nivel direkt politik. Kanë vënë kërkesa politike – kërkojnë zgjedhje dhe duan t’i kundërvihen vetë Vuçiçit pa opozitën, e cila megjithëse ajo është pa dhëmbë dhe gjatë tërë kësaj kohe nuk arriti të imponohej dhe as të artikulohej. Por, përsërisim, studentët kanë borxh të japin disa përgjigje nga të cilat, me sa duket, largohen.
Neve, as një vit pas nisjes se protestave, ose më shumë se gjysëm viti qëkur revoltën e ngritën në nivelin e kërkesave politike, nuk e dimë se çfarë mendojnë në BE (në protesta mund të gjesh flamuj palestinezë dhe ata rusë, por të BE-së kurrsesi), në një vit protesta numuri i atyre që janë për BE-në nuk është rritur, ai vazhdon të jetë në nivelin 40 përqind mbështetje, madje edhe më pak. Nuk e dimë se çfarë mendojnë për sanksionet kundër Rusisë, mbi politikën e “botës serbe”, mbi Kosovën (anketimet tregojnë se këtu nuk ka ndonjëfarë politike qënësisht ndryshe), mbi Malin e Zi, Republikën Srpska, cili është qëndrimi i tyre mbi operacionin “Olluja” dhe ndërhyrjen e NATO-s (shumë i ngjashmë me atë të regjimit) dhe për shumë gjëra të tjera, të cilat përbëjnë ballafaqimin me të shkuarën e mishëruar në regjimin e Vuçiçit dhe bëjnë të shtroheet pyetja nëse janë ata për ndryshime të një politike të tillë, apo janë vetëm për zëvendësimin e Vuçiçit të urryer, si simbol i sistemit nepotiko-(gjysëm)kriminal. Kjo duhet zgjidhur dhe ndryshuar njëkohësisht, nuk mund të thuhet – tani për tani vetëm të rrëzojmë Vuçiçin dhe klikën e tij korruptivo-klienteliste, të vendosim shtetin e së drejtës, të gjitha duhet të shkojnë bashkë, dhe jo nëpër rrugat e Beogradit të dëgjojmë se përkrahësit e Vuçiçit t’u thërrasin studnetëve “ustashë”, dhe ata atyre “shiptari”. Studentët duhet të jenë të qartë dhe të vendosur. Vuçiçi është gjithsesi një dukuri anormale dhe e padenjë, por a është e mjaftueshme të hiqet ai, dhe të mos ndryshohet gjithçka që ai përfaqëson dhe politika e tij e prishur e cila tremb rajonin.
Shtrohet edhe pyetja sa hov dhe entuziazëm ka ende në lëvizjen studentore, sidomos atëherë kur me të vërtetë do të presin zgjedhjet, për të cilat Vuçiçi thotë se do të jenë në nëntor apo në dhjetor të vitit 2026, e deri atëherë, si puna e asaj shprehjes, kush të rrojë le t’a shohë.
Regjimi i ka humbur busullën
Megjithëse, kujtojmë që, edhe në rastin e Nicolae Çausheskut gjithçka u rrokullis për disa minuta (natyrisht, gjërat kishin marrë tatëpjetën, por gjithçka u zgjidh në dy ditë). Regjimi i Vuçiçit e ka humbur busullën dhe, pikërisht, e vetmja gjë e mirë (gjë që mund të kushtojë shtrenjtë) është se po i bën gropën vetes me sjelljen e tij të çmendur dhe ngritjen e nivelit të represionit. Mënyra sesi regjimi këmbëngul t’a paraqesë rënies e tarracës (megjithëse disa ditë pas shembjes së saj vetë Vuçiçi tha se “gjithçka është rikonstruktuar, vetëm ajo jo”) “është e denjë” për proceset e montuara të kohës staliniste – disa njerëz dëshiron t’i tregojë si terroristë të cilët e kanë shembur qëllimisht tarracën në fjalë. Psikopatologji e plotë e një regjimi i cili nuk frenohet para asgjëje, si në rastin e Misha Baçullovit, të cilin në mënyrë të tmerrshme duan t’a akuzojnë si “mendja kriminale” e cila qëndron pas rënies së tarracës, më pas e akzuojnë se ka dashur të helmojë veten, por jo shumë në mënyrë që të jetojë, që më pas të akuzojë Vuçiçin. Konstruksione të këtilla ka pas ideuar makineria më e tmerrshme e Stalinit, Nikollaj Jezhovi-Andrej Vishinski, ndërsa tani, me sa duket, është bërë edhe praktinë e regjimit të Vuçiçit, të cilin, gjoja, e drejton kriminali i luftës Vojisllav Shesheli, për të cilin në Beograd thonë se është këshilltari kryesor i Vuçiçit dhe “mastermind” gjëmues i tij. Regjimi po mbërrin në fundin e tij, por ende mbahet. Drama vazhdon, të gjithë supozojnë, dhe drejt kësaj po shkohet, se gjithçka do të përfundojë me rënien e Vuçiit, por askush nuk e di se në cilin akt dhe nuk guxon të parashikojë se në ç’mënyrë – përmbysje e dhunshme e padëshiruar apo me rrugë ligjore – nëpërmjet zgjedhjeve. Kujtojmë se në muajin gusht, kur u sulmua selia e partisë në pushtet, PPS-së, kur policia nuk i zgjodhi mjetet për të larë hesapet me protestuesit, hamendësohej se Serbia është buzë luftës civile, ndërsa zgjedhjet janë të paparashikueshme, dhe, me sa e njohin Vuçiçin ai me siguri nuk do të lëshojë rruigë për t’i njohur nëse i humbet.
Përfundimisht anketat tregojnë rezultate shumë të ndryshme – se sikur Lista studentore (nëse në zgjedhje nuk merr pjesë opozita, gjë që është gjithashtu njëra nga gjërat që do të shkundte skenën politike në Serbi), fiton me 10 përqind dallim, por nga ana tjetër, regjimi pohon se fitorja e Vuçiçit është e sigurtë, dhe kjo me më shumë se 55 përiand të votave. Pra një situata disi e ndërlikuar dhe pyetja që imponohet është se çfarë mund të ndodhë gjatë këtij viti deri në zgjehdje, dhe nëse deri atëherë gjithçka do të zgjidhet, për më tepër nëse janë në gjendje palët rivale të mbeten në të njëjtët pozicione dhe me të njëjtën energji.
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/srbija-ima-sanse-da-se-izvuce-iz-gliba-ali-vucic-jos-nije-na-dnu-beogradom-kruzi-prica-o-pravom-apos-mastermindu-apos-rezima-15638690?cx_linkref=jl_home_g1
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA




























































