Dr. Jorgji KOTE| ARGUMENTUM
Mjeshtër i Madh në Diplomaci
Ndonëse kontaktet e para midis tyre janë vendosur qysh në vitin 1919-1920, lidhjet e vërteta dypalëshe SHBA – Azerbajxhan filluan më 28 Shkurt 1991, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe çeljen e ambasadave në Uashington dhe në Baku. Në vitet 90 u miratua korniza e tyre ligjore me 80 marrëveshje bazë, ku spikatin Marrëveshja për Tregtinë, ajo për Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve dhe krijimi i Komitetit Strategjik të Ekonomisë më 2007.
SHBA-të mbështetën ”Kontratën e Shekullit” të nënshkruar më 20 Shtator 1994, me projektet e infrastrukturës energjitike, si naftësjellësi Baku-Tbilisi-Ceyhan dhe Korridori Jugor i Gazit, të cilat kanë shtuar ndjeshëm burimet e naftës/gazit nga Deti Kaspik në tregjet globale energjitike, përfshirë Ballkanin dhe vendin tonë.
Përparime ka edhe në fusha të tjera. Kështu, gjatë viteve 1993 – 2020 kanë studiuar në SHBA 6000 studentë azerë dhe 1.000 të tjerë vijojnë studimet. Ndërkohë, sidomos te rinia azere janë futur natyrshëm gjuha angleze, xhazi, muzika dhe Coca Cola, simbole të kulturës dhe mënyrës amerikane të jetesës.
Ky historik i pasur dypalësh është formuar dhe kushtëzuar nga tematika të nxehta gjeopolitike dhe veçanërisht: energjitika, siguria, lufta kundër terrorizmit, nxitja e investimeve, konkurrenca rajonale me Rusinë, afërsia gjeografike me Iranin dhe Izraelin, qëndrimet miqësore me Perëndimin dhe organizatat ndërkombëtare.
Por, për shkak të disa vështirësive të mëdha, kjo nuk ka qenë e lehtë për Bakunë.
Vështirësia e parë u krijua pas miratimit në vitin 1992 nga Kongresi amerikan i “Aktit të Mbështetjes së Lirisë” dhe sidomos “Seksionit 907” tij, i cili ndaloi ndihmat për Azerbajxhanin për shkak gjoja të bllokadës së tij ndaj Armenisë, për të cilin bëri lobim të fuqishëm Komuniteti Armen në SHBA.
Ky ndalim i padrejtë e bëri Azerbajxhanin shtetin e vetëm post-sovjetik që nuk merrte ndihma të drejtpërdrejta nga SHBA-të për lehtësimin e procesit të stabilizimit të tij politik dhe ekonomik pas shpalljes së pavarësisë së tij.
Ndërkohë, në vitin 1994, me mbështetjen politike dhe ushtarake të disa fuqive në rajon dhe jashtë tij, Armenia arriti të pushtonte 20 për qind të territorit të Azerbajxhanit.
Megjithë pezullimin e tij në vitin 2001, falë mbështetjes azere për SHBA-të në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, Seksioni 907 është ende në fuqi; por së fundi, politika amerikane ka kërkuar shfuqizimin e tij, sepse është jo relevant, jo efektiv, dhe nuk i përshtatet marrëdhënieve të reja cilësore SHBA-Azerbajxhan; për pasojë ai ligj është kthyer në pengesë serioze ligjore për marrëdhëniet me SHBA-të.
Vështirësia e dytë madhore u krijua nga Administrata e ish Presidentit Biden dhe sërish nën ndikimin e lobeve të fuqishme armene në SHBA. Për dështimet dhe vonesat që ajo ka shkaktuar, veçanërisht në realizimin dhe zbatimin e procesit të paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, shumë ekspertë dhe opinionistë të njohur, si Farhad Mammadov, Drejtor i Qendrës Studimore të Kaukazit të Jugut, janë tejet kritikë sidomos ndaj Sekretarit të Shtetit Blinken.
Për pasojë, në mungesë të Uashingtonit, pas Luftës patriotike fitimtare 44 ditore ( 27 Shtator – 9 Nëntor 2020), kur Azerbaixhani çliroi territoret e pushtuara nga Armenia, rolin kryesor ndërmjetësues midis tij dhe Armenisë e luajti Moska.
Po ashtu, trysnia e lobeve armene në Amerikë, e cila ndikoi edhe për miratimin e Seksionit 907dhe tensionimi i mëtejshëm i gjendjes me Rusinë pas agresionit të saj kundër Ukrainës i bënë edhe më të paqarta qëndrimet amerikane. Blinken mbeti deri në fund në favor të kontrollit rus mbi korridorin Lachin, çka kufizonte mundësitë azere për rivendosjen e të drejtave të tij të ligjshme.
SHBA-të “u rifutën në lojë” me pëlqimin e Bakusë vetëm në Qershor 2021, duke ndërmjetësuar procesin e lirimit të shumë armenëve të burgosur për shkelje të ligjeve azere. Gjithashtu, SHBA-të u angazhuan në hartimin e Traktatit të Paqes; edhe bisedimet e Kryediplomatëve Azerë dhe Armenë u zhvilluan në Uashington.
Padyshim që ngjarja më e madhe dhe e shumëpritur për Azerbajxhanin dhe rajonin ishte rikthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Qysh në fillim ai mbështeti hapjen dhe forcimin e dialogut, duke shfaqur qartësi dhe vendosmëri më të madhe strategjike se paraardhësi i tij Biden, nëpërmjet diplomacisë së forcës dhe predispozicionit shumë më të madh për bashkëpunim me Bakunë dhe Jerevanin.
Për rrjedhojë, gjërat filluan të ndryshojnë me shpejtësi, me dinamika të reja amerikane në mbështetje të Azerbajxhanit; duke filluar me zbatimin e objektivave kryesore të luftës 44 ditore, të cilat ishin vonuar për vite, çka çoi në edhe në normalizimin e marrëdhënieve dhe rritjen e frymës së mirëkuptimit me Armeninë.
Për të ardhur te momenti kulminant politik i marrëdhënieve Azero-Amerikane, vizita e Presidentit Ilham Aliyev në Uashington më 7 Gusht 2025 dhe takimi me Presidentin Trump. Dhe veçanërisht të nesërmen, më 8 Gusht, kur u nënshkruan dy dokumenta me rëndësi historike: Memorandumi i Mirëkuptimit për krijimin e një Grupi Strategjik Pune për zhvillimin e “ Kartës së Partneritetit Strategjik” midis SHBA-ve dhe Azerbaixhanit; dhe në përfundim të Samitit tripalësh, në prani të Presidentit Trump, Presidentit Aliyev dhe Kryeministrit Nikol Pashinyan Deklarata e Përbashkët mbi Procesin e Paqes midis Azerbaixhanit dhe Armenisë.
Kjo Marrëveshje historike shënoi ngritjen e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel Strategjik. Dhe kjo jo thjesht si slogan apo shenjë e dëshirës së mirë, por me synimin madhor që të mos përsëriten më ngjarjet dhe pësimet e të kaluarës dhe për të kapërcyer sfidat serioze dypalëshe, rajonale dhe më gjerë.
Këtu vlen të theksohet se si SHBA-të dhe Azerbajxhani kanë interesa dhe avantazhe të mëdha në këtë Partneritet strategjik, të cilat përmenden më poshtë.
Për Uashingtonin, rëndësia strategjike e Azerbajxhanit është e madhe dhe e shumëfishtë, duke filluar nga pozicioni i tij i favorshëm dhe unikal gjeografik, si i vetmi vend që kufizohet me Rusinë dhe Iranin. Azerbajxhani disponon disa nyje të pazëvendësueshme korridoresh transporti veri – jug dhe lindje – perendim që lidhin Europën Qëndrore/Perendimore me Azinë Qëndrore, Lindore dhe Jugore.
Avantazh i madh strategjik për SHBA-të është se ato do të kenë të drejtën ekskluzive për 99 vite të zhvillimit të “Rruga Trump për Paqe dhe Begati Ndërkombëtare” ( TRIPP) që lidh Azerbajxhanin me enklavën Nakhchivan, si pjesë e rrugëve tregtare që lidhin Kinën me Azinë Qëndrore dhe Turqinë. Në takimin me Ministrin e Jashtëm armen Mirzoyan më 14 Janar në Uashington, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se “TRIPP do të shërbejë si model për gjithë botën”.
Veç sa sipër, SHBA-të tani i kanë zyrtarizuar marrëdhëniet me Azinë Qëndrore dhe për rrjedhojë, rrugët më të aksesueshme për atje do të kalojnë në Kaukazin Jugor; mirëpo aty është sërish Azerbaixhani me rolin e tij kyç në gjithë rajonin.
Më tej, Azerbaixhani është anëtar aktiv i Organizatës së Shteteve Turke; kjo e fundit pas Samitit SHBA – Azi Qendrore është bërë një nga platformat më të besueshme rajonale, duke bashkuar partnerët dhe aleatët dhe këtu sërish objektivat e saj linjëzohen me ato të SHBA-ve.
Aktualisht, Azerbajxhani po riformaton rolin e tij në Lindjen e Mesme, ku pozitat dhe qasjet e tij strategjike përkojnë me ato të SHBA-ve. Në këtë kontekst, as SHBA-ve dhe as Azerbajxhanit nuk u intereson tensionimi i marrëdhënieve Izrael – Turqi – Siri, ku Bakuja ka luajtur rol të rëndësishëm edhe me ndërmjetësimet e saj.
Gjithashtu, tradicionalisht, Azerbajxhani ka qenë aleat i aleatëve të SHBA-ve -Turqisë, Izraelit dhe disa vendeve europiane. Kështu, Turqia e mbështeti fuqimisht Azerbaixhanin në Luftën 44 ditore; ndërsa Izraeli blen 40 për qind të naftës nga Azerbajxhani. Pas agresionit rus kundër Ukrainës ka marrë rëndësi jetike edhe bashkëpunimi energjitik azer me BE-në. Kësisoj, edhe pse sot SHBA janë më pragmatikë, faktori “ miku i miqve tanë” nuk i ka humbur vlerat e tij jetike.
Avantazhi i fundit por jo më pak i rëndësishëm për SHBA-të lidhet me kontributin azer në Nismën e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe mbështetjen për operacionet e tij ushtarake në Irak, në Afganistan, në Bosnie dhe në Kosovë me trupa paqeruajtëse, me furnizime me karburant të avionave luftarakë, etj.
Nisur nga sa sipër, në rastin e një riangazhimi të mundshëm të SHBA-ve në Afganistan, Azerbajxhani mund të ndihmojë dhe të ndikojë me kontributin e tij në operacionet ushtarake të SHBA-ve. Falë Rrjetit Verior të Shpërndarjes me rrugë, korridore transporti, porte dhe aeroporte, ai i siguron SHBA-ve dhe NATO-s hyrje/daljen në Afganistan, ku Bakuja ka edhe ambasadë në Kabul.
Lidhur me interesat strategjike të Azerbajxhanit nga Marrëveshja e Paqes dhe partneriteti strategjik me SHBA-të, më poshtë përmendim pesë aspekte madhore:
Së pari, Azerbajxhani ka siguruar njohjen zyrtare të territoreve të rimarra, duke e detyruar Armeninë të pranojë një marrëveshje përfundimtare, nga e cila nuk mund të tërhiqet pa pasojë të rënda.
Së dyti, Bakuja i jep përparësi formatit dypalësh kundrejt anëtarësimit në blloqe ushtarake, ekonomike dhe tregtare, ndaj për ta SHBA-të paraqesin epërsi strategjike; sidomos nisur nga interesi i tyre i madh për ujdira tregtare, ku nafta dhe gazi azer çmohen veçanërisht dhe ku SHBA-të kanë investuar shuma kolosale.
Së treti, në Kaukazin e Jugut po përvijohet një realitet i ri gjeopolitik, ku Azerbajxhani është shfaqur si partner rajonal i besueshëm i SHBA-ve në udhëkryqet kritike unike botërore. Pikërisht falë pozitës së tij gjeografike, Zbigniev Brzezinski e konsideron Azerbajxhanin “ nyja gjeopolitike kyç e Kaukazit ”.
Së katërti, Presidenti Trump po heq dorë nga politika e jashtme me motive ideologjike dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të tjera, përfshirë demokracinë, tejet problematike në të kaluarën në marrëdhëniet e tyre; kjo krijon një bazë solide për kapërcimin e pengesave dhe zgjerimin e lidhjeve dypalëshe.
Dhe së pesti, bashkëpunimi në fushat e teknologjisë, IA-së, logjistikës, menaxhimit të aseteve dhe investimeve përfaqësojnë vlera dhe interesa të rëndësishme për Azerbajxhanin, ku bashkëpunimi strategjik me SHBA-të paraqet vlera të mëdha.
Ndërkohë, ky partneritet strategjik përfshin edhe disa sfida dhe rreziqe. Këtu spikat veprimtaria e lobeve armene në SHBA, të cilat do të mundohen “t’i venë shkopinj nën rrota” partneritetit strategjik amerikano-azer. Rreziqe tjera janë nisma si “Akti i Paqes” dhe mesazhe të tjera me karakter fetar që jepen në podcastet e gazetarit amerikan Tucker Carlson. Veprime të tilla janë në dëm të Azerbajxhanit, Armenisë, realizimit të procesit të paqes dhe interesave amerikane në Kaukazin e Jugut.
Rreziku tjetër jo më i vogël vjen nga Rusia, e cila, e dobësuar nga lufta në Ukrainë si dhe zhvillimet dinamike të favorshme për SHBA-të dhe Azerbajxhanin mund të bashkëpunojë me Iranin, kundërshtues i projektit TRIPP, edhe pse rregjimi i tij është në pozita mjerane, për të penguar paqen në rajon; duke filluar nga ndërtimi i Korridorit të Paqes Trump, me provokime grindjesh dhe përplasjesh në rajon.
Gjithsesi, mendohet se interesat e përbashkëta strategjike Amerikano-Azere janë shumë më të mëdha se rreziqet. Ca më tepër kur në vend të interesave të diasporës armene, tani SHBA-të po mbështetin interesat e tyre strategjike në rajon, ku Azerbajxhani vazhdon të japë prova si aktor dhe faktor jetik që mbështet SHBA-të.
© 2026 Argumentum



























































