Presidenti rus Putin më 13 nëntor shkoi në Ishujt Kuril (të njohur në Japoni si Katër Ishujt Veriorë) dhe vizitoi një fabrikë për përpunimin e produkteve të detit në Ishullin Iturup (i njohur në Japoni si Ishulli Etorofu).
Ditën kur Putin mbërriti në ishull, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Medvedev, tha se Ishujt Kuril “ishin, janë dhe do të jenë gjithmonë tokë ruse” dhe çdokush që nuk e kupton këtë do të përballet me pasoja të tmerrshme”. Zv/Ministri i Jashtëm rus, Grushko, gjithashtu theksoi se protestat diplomatike nga Japonia nuk do të sjellin asnjë rezultat dhe toka ruse do të mbetet gjithmonë tokë ruse.
Studiuesi rus i gjeopolitikës, Lukyanov tha se Putin nuk kishte vizituar Ishujt Kuril për mbi 20 vjet, sepse nuk donte të “shkaktonte reagime të panevojshme emocionale tek Tokio”. Tani, duke pasur parasysh sfondin ku Japonia ndjek Perëndimin për të ushtruar presion ndaj Rusisë, Moska “nuk ka ndërmend të marrë parasysh ndjenjat e palës japoneze”, dhe vizita të tilla mund të jenë më të shpeshta në të ardhmen.
Studiuesi politik, Litus tha se vizita e Putinit nuk është thjesht një vizitë pune, por një “sinjal gjeopolitik i menduar mirë”, dhe mesazhi kryesor është se statusi i Ishujve Kuril nuk është i negociueshëm.
Qarqet e ndryshme në Rusi mendojnë se kjo vizitë e Putinit tregoi jo vetëm përpjekjet e Rusisë për të forcuar sovranitetin dhe për t’u fokusuar tek jetesa e qytetarëve, por edhe një përgjigje e hapur ndaj Japonisë, e cila e ka renditur Rusinë si kërcënim kryesor dhe ndjek presionin e Perëndimit,-cgtn



























































