Zekerijah Smajiç-geopolitika.news[i]
“Epoka e pafajësisë”, pra, ka marrë fund edhe në aspektin retorik. Ishte një periudhë gjatë së cilës BE-ja e mbështeti për dekada prosperitetin e saj mbi energjinë e lirë ruse, tregun kinez dhe ombrellën e sigurisë amerikane. Të gjitha këto shtylla janë shembur papritur. Dhe jo vetëm kaq. Para syve të UvdL-së dhe liderëve europianë shfaqet një hendek i thellë mes homo-brusseliensis (burokrati që vepron me logjikën e dekarbonizimit të Europës nga viti 2030 deri më 2050) dhe qytetarit të zakonshëm europian, i cili shqetësohet për ardhjen galopante të robotëve në vendin e tij të punës, për çmimet marramendëse të banesave apo për koston e energjisë, që pothuajse dy të tretat e europianëve nuk mund ta përballojnë pa subvencione.
“I dehuri” më në fund u ngrit! Këmbët i dridhen ende, por shikimin e ka rifituar! Dhe e kuptoi se si përfundoi në hendek për shkak të veseve të veta.
Pra, ndonëse gjithmonë ka qenë e ditur se gjeopolitika nuk e toleron përgjumjen dhe inercinë vasale, Bashkimi Europian (BE), si një xhuxh gjeopolitik që nga themelimi i tij, vetëm së fundmi ka arritur të zgjohet nga një gjumë i thellë njëzetvjeçar, si dhe nga një dehje po aq e gjatë me vlerat liberalo-demokratike dhe “arritjet civilizuese”.
Ajo u kthjellua vetëm nga Groenlanda e ngrirë, megjithëse para kësaj kishte skena të panumërta të tjera kthjelluese në të gjithë botën që zhduken para syve të kujtdo që donte të shihte skena të tilla: nga rënia e Murit të Berlinit, rënia e Bashkimit Sovjetik, rënia e Jugosllavisë, përmes shkatërrimit brutal të Irakut (aleatët perëndimorë të udhëhequr nga SHBA-të dhe Britania, atëherë anëtare e BE-së), Pranvera Arabe që synonte zhdukjen e rrënjëve të qytetërimit në Egjipt, Siri, Libi (të gjitha të ashtuquajturat revolucione me ngjyra të drejtuara nga aleatët perëndimorë të cilët më vonë, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të NATO-s, i fragmentuan të gjitha këto vende në sferat e tyre të interesit (të naftës).
Pastaj erdhi agresioni rus kundër Ukrainës, gjenocidi izraelito-amerikan në Rripin e Gazës, demonstrimi i paparë i ‘kodit të vlerave’ hegjemonike mbi Venezuelën… Këto janë vetëm disa nga ngjarjet nga fundi i viteve 1980 deri në fillim të vitit 2026, në të cilat Bashkimi Evropian (në mënyrë aktive ose përmes mosveprimit të habitshëm) mori pjesë.
Shok pas shoku
Që nga fillimi i këtij viti, pllakat tektonike të pushtetit kanë nisur të lëvizin shumë më shpejt sesa burokracia në Bruksel arrin të shkruajë njoftime për shtyp, procesverbale dhe direktiva. Realizmi gjeoekonomik dhe “ëndrrat e gjelbra” europiane kanë filluar të përplasen me shpejtësinë e dritës, ndërsa korrelacioni mes rritjes së çmimeve të energjisë dhe forcimit të së djathtës radikale në shtetet kyçe anëtare të BE-së, për shembull, është bërë aq i dukshëm saqë qarqet ekspertësh në administratën mastodonte të Pallatit Berlaymont në Bruksel kanë nisur të dyshojnë se autoriteti më i lartë ekzekutiv i BE-së është realisht i paaftë të njohë si gjerësinë ashtu edhe thellësinë e lëkundjeve tektonike në skakierën globale.
Tronditja që përjetuan liderët europianë në Davos gjatë Forumit Ekonomik Botëror të 55-të “mbi të ardhmen e botës” (21–23 janar) nuk u shkaktua nga vetë fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump, sepse tashmë dihej (për ata që donin ta dinin) se ai jo vetëm që nuk ka simpati për aleatët e tij europianë, por as mëshirë për aleatët në përgjithësi. Po ashtu, ishte e njohur edhe pikëpamja e tij dashamirëse se “Europa nuk është më ajo që ka qenë dikur” dhe se prej kohësh “nuk po ecën në drejtimin e duhur”.
Nëse liderët europianë dhe krerët e institucioneve europiane deri në Davosin e këtij viti nuk e kishin marrë vesh se cilët do të ishin prioritetet e administratës Trump në mandatin e tij të dytë, mund të kujtoheshin për Konferencën e sigurisë në Mynih të marsit të vitit të kaluar, kur zëvendëspresidenti i Trumpit JD Vence i “shokoi” i pari me deklaratën se “kërcënimi më i madh i Europës nuk janë rusët apo kinezët, por kërcënimi asaj i vjen nga brenda nëpërmjet humbjes së vlerave europiane dhe tëhuajsimit të elitave nga populli”. I porositi gjithashtu se “demokracia europiane nuk duhet të ketë frikë nga zëri i qytetarëve madje edhe atëherë kur ky zë kërkon ndryshime befaseuse”. Akuzoi qeveritë europianoperëndimore se “mbytin lirinë e fjalës në mënyrë që t’u mbyllin gojën atyre që nuk mendojnë njëlloj me ta dhe këndvështrimeve politike mbi realitetin gjeopolitik”. U tërhoqi vëmendjen për mossuksesin “në kontrollin e kufinjve dhe rrymave të emigracionit”, dhe i këshilloi “për më shumë sovranitet në siguri nëpërmjet ndërmarrjes së përgjegjësive më të mëdha për forcimin e sigurisë së antarëve të saj”. Pra, u foli për një botë me një realitet plotësisht të ri vlerash!
Megjithëse shumë analistë të pavarur dhe liderë të rrallë europianolindorë një rrëfim të tilla amerikan për Europën dhe BE-në e vlerësuan objektiv dhe thirrje qëllimmirë për eleminimin e ritualit të jetës në gënjeshtër, në shumicën e kryeqyteteve europianoperëndimore vlerësimet e Vencit u përjetuan si “tejet konfrontuese”, duke shkaktuar, në përputhje me këtë, edhe reaksione shumë të ashpra të Brukselit, Berlinit, Parisit… Askush nga liderët euroianë, me përjashtim të kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe atij sllovak Robert Fico atëbotë nuk e kuptuan se ky fjalim i Vencit ishte pikërisht një këmbanë alarmi për ndërprerjen e qartë amerikane, të ndërgjegjshme dhe të pakthyeshme, të marrëdhënieve transatlantike siç kishin qënë në vitin 1945. Ishte ky një moment kyç për zgjimin përfundimtar të Europës nga hibernimi i thellë, tejet i gjatë gjeoekonomik dhe gjeopolitik . Ishte, por atëherë nuk u shfrytëzua.
Nga Mynihu deri në Davos
Për shkak të liderve europianë qartësisht të paaftë; për shkak të rënies ekonomike të Unionit; të politikës migratore e cila Europën e shndërroi në një kamp global refugjatësh; edhe për shkak të shumë gjërave për të cilat do të bëhet fjalë në fund të këtij teksti, Europa, sikurse u shpreh këtyre ditëve Donald Trumpi këto ditë në Davos “është bërë pjesë e botës që po rrënohet para syve tanë”, ndërsa Amerika e tij e cila “u bë përsëri çudi ekonomike… dhe motori i vetëm i ekonomisë botërore…” (?) Retorikën e tij keqdashëse dhe poshtëruese mbi BE-në dhe “lidershipin” (udhëheqjen) e saj, Trumpi shumë shpejt në Davos e vërtetoi pjesërisht edhe duke refuzuar takimet tradicionale bilaterale me udhëheqësit kryesorë europianë përfshirë edhe presidentin e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Për hir të së vërtetës, edhe disa prej tyre patën në Davos njëfarë distance kritike ndaj presidentit amerikan për shkak të fyerjeve vërtetë të pavend për llogari të tyre. Disa prej tyre (Macroni dhe Merzi) refuzuan ftesën për t’iu bashkuar Bordit të paqes tejet kontravers. Madje disa prej tyre (Macroni dhe UvdL) u larguan nga Davosi para ardhjes së Trumpit në Zvicër. Është normale që syrit të mprehtë të Trumpit një gjë e tillë nuk kishte si t’i shpëtonte e kësisoj gjatë fjalimit vërejti në mënyrë sarkastike se “disa kanë më shumë dëshirë të shohin rënien e tyre nga dritarja sesa të qëndrojnë në tryezën ku shkruhet e ardhmja”.
Ishte e pritshme që privilegjin për takim kokë më kokë me Trumpin në Davos, ndër të rrallët, ta kishte edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe “i birësuari” dhe “sufleri” i tij europian Mark Rutte, me të cilin, sikurse pohuan më pas të dyja palët, bisedoi ekskluzivisht mbi Groenlandën. Pas takimit në të cilin u arrit “kuadri i marrëveshjes së ardhshme” mbi këtë ishull Arktik, lideri amerikan tha se kjo do të jetë “marrëveshje e shkëlqyer për ShBA-të dhe të gjithë antarët e Aleancës”, sepse gjoja përfshin bashkëpunimin në të gjithë fushat – që nga ndërtimi i “kupolës së artë” antiraketore dhe deri te shfrytëzimi i mineraleve kritike. Mbeti edhe më tej në qëndrimin hegjemonist se “Groenlanda duhet të jetë amerikane” (në mënyrë që gjoja të mos jetë as ruse dhe as kineze?), por në rrugën e saj deri te synimi në Arktik “Amerika nuk do të përdorë forcën ushtarake”. Përveç heqjes dorë nga forca ushtarake, Trumpi, gjatë bisedimit me Rutten, hoqi dorë edhe nga kërcënimet e mëparshme për tarifa doganore shtesë (të cilat tani janë 15%) për të gjitha mallrat nga tetë vende europianoperëndimore të cilat i’u kundërvinë planeve pushtuese të Groenlandës. Me tërheqjen e “frenave të dorës” me doganat, shoku në Bruksel gjithsesi nuk u shërua.
“Rubikoni“ europian është kapëcyer, kthim prapa nuk ka
Direkt nga Davosi, liderët europianë (ata që nuk kishin larguar që më përpara) u turrën në “Sheshin Robert Schuman” të Brukselit, ndërsa në udhëtimin nga Zvicra në Belgjikë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u ndal shkurtimisht në Strasburgun francez ku Parlamenti Europian me një shumicë të ngushtë pezulloi procesin e ratifikimit të marrëveshjes tregtare të verës me Donalda Trumpin të nënshkruar me 27 korrik në pronën e tij skoceze të golfit. Një ditë më parë Parlamenti Eurpian dyshoi edhe te marrëveshja e saponënshkruar me antarët amerikanojugorë të Mercosur-it, dhe i’a dërgoi Gjykatës Europiane për të vlerësuar bazën e tij juridike, gjë të cilën e kemi parashikuar (publikuar edhe në portalin tonë: https://www.argumentum.al/arktiku-lindja-e-mesme-e-re-dhe-be-ja-si-nje-menu-nga-e-cila-tre-gjigante-te-uritur-marrin-aq-sa-u-nevojitet/).
Për të gjitha këto nga pak, tubimi i jashtëzakonshëm pesëorësh i krerëve europianë në Bruksel të enjten kaloi me hutim, në heshtje, pothuajse konspirativisht, në gjendje shoku për shumicën e të pranishmëve. Njëkohësisht samiti kaloi në një ton prej fitimtari për ata krerë europianë të cilat janë esëlluar kaherë dhe të cilët kishin bërë më kot thirrje për zgjimin e Europës që në ditën e parë të mandatit të parë të presidentes aktuale të Komisionit Europian.
Pa vendime të mëdha dhe konfrontime dramatike, samiti i jashtëzakonshëm i krerëve europianë përfundoi me konkluzionin unik se “Rubikoni” europian më në fund është kapërcyer! Me emocione për rendin e vendosur pas Luftës ë Dytë Botërore, ai përfundoi! Bashkimi Europian do të duhet që brenda natës të rritet, dhe pa kthyer kokën prapa në të vjetrën, duhet të mësojë të veprojë në realpolitikisht dhe në mënyrë të pavarur- i vetëdijshëm se hegjemonia ekzistuese transatlantike po shkrihet, ndërsa beteja e vërtetë për caktimin e sferave të ndikimit sapo ka nisur!
Por, a mund të pohohet me siguri: “Alea iacta est“- domethënë zaret janë hedhur? A janë vërtetë të vetëdijshëm liderët europianoperëndimorë se lumi i Cezarit, Rubikoni, është kapërcyer atëherë kur është bërë hapi i parë nga i cili është e pamundur të kthehesh prapa pa ballafaqim me pasoja dramatike?
Marr lirinë këtu të pohoj me ndërgjegje: nëse krerët europioanoperëndimorë, ose shumica e tyre, do të vazhdojnë edhe më tej të besojnë në të pavërtetat shekullore anglosaksone sipas të cilave kërcënimi më i madh për Europën është Rusia Cariste, Republika Sovjetike Ruse, Republika Federative Socialiste Sovjetike –RFSS, Federata e Republikave Socialiste Sovjetike – FRSS, e deri ta Federata Rusë e tanishme (RF) me në krye sot “famëkeqin” president Vladimir Putin – në këtë rast “zaret janë hedhur” në humnerë dhe nuk ka asgjë nga përmbysja fatsjellëse. Vetëm atëherë kur liderët europianë të kuptojnë se armiqtë e Bashkimit Europian janë interesat imperialiste dhe dehja në verbërinë gjeopolitike – atëherë ekzistojnë shanse për rimëkëmbjen gjeoekonomike dhe autonominë e saj gjeopolitike në një të ardhme që është duke lindur.
“Shpirti i dialogut” apo “Shpirti i vampirit”
Përveç të pavërtetave pesëqind vjeçare anglosaksone mbi “vlerat perëndimore” si masë e gjithçkaje ekzistuese, ka shumë rëndësi që krerët europianë të pushojnë së gënjyeri edhe vetveten.
Përshembull: Forumi Ekonomik Botëror në Davos, qëkur e pati themeluar në muajin janar të vitit 1971 inxhinjeri gjermano-zviceran, ekonomist dhe doktor shkencash i shumfishtë Klaus Schwab si “Forumi Menaxherial Europian” – mbahet në truallin e Europës. Gjithashtu, qysh në fillim, kur ideja e tij ishte promovimi i teknikave amerikane të drejtimit në kompanitë europiane dhe nxitja e bashkëpunimit mes bizneseve, qeverive dhe shoqërisë civile, e deri tani në këtë sesionin e tij të 55-të të tij, përherë në Davos kanë qënë dominuese “syzet” amerikane nëpërmjet të cilave shihej e ardhmja e Europës dhe botës. Pra, Europa, gjithmonë, në vend të foltores ishte në dëgjimore. Pesëdhjetë e pesë vite Europa tundi kokën si dëgjuese e urtë, dhe shtynte përpara objektiva në kujtim të kohëve përrallore. Në favor të këtij pohimi, ju lutem, shihni vetëm titullin e Forumit të sivjetshëm: “Fryma e Dialogut” (anglisht- A Spirit of Dialogue)!? Në përpunimin e këtij titullimi fokusi ishte te “hapja dhe bashkëpunimi si mjete kryesore për zgjidhjen e sfidave globale në kohët e pasigurisë së thellë dhe dinamizmit teknologjik…” “Pikat kryesore të Forumit ishin ‘bashkëpunimi në botën e ndarë; strategjitë për ezistencë ekonomike dhe rritje në mesin e ngatërrimeve në tregun global; investimi te njerëzit dhe zhvillimi i aftësive profesionale të adoptuara me transformimin digjital; zbatimi i përgjegjshëm i inovacioneve me fokus të veçantë në zhvillimin etik të inteligjencës artificiale (AI), kompjuterat kuantikë dhe bioteknologjisë; ndërtimi i begatisë brenda kufinjve planetarë nëpërmjet qëndrueshmërisë rritjes së gjelbër dhe ndryshimeve klimatike..” A mund të ketë tema më të dëshiruara dhe të formuluara më bukur?
Por, tema kaq të rëndësishme dhe bukur tingëlluese – realiteti i përditshëm, gjeoekonomia e proteksionizmit dhe gjeopolitika e “tigrave” të uritur e shndërruan në përqeshje cinike të së ardhmes. Mbi këto tema vitale për botën globale, në opinionin publik europian dhe botëror, nuk u transmetua pothuajse asgjë. Këto tema vitale as liderve botërorë dhe as mediave nuk i’u dukën të rëndësishme në raport me retorikën e ashpërsuar mbi Groenlandën dhe retorikën amerikane, të ashpërsuar përsër në adresë të aleatëve tradicionalë.
Nga iluzionizmi te realizmi gjeopolitik
Duke u bërë (së fundmi) i vetëdijshëm për ëndrrat iluzioniste të një doktrine liberal-demokratike globaliste si një njësi matëse për gjithë njerëzimin, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen (të cilën presidenti amerikan gjithashtu nuk dëshironte ta takonte në Davos), arriti në përfundimin se “historia po fillon të shkruhet në një gjuhë tjetër nga më parë”. Dhe se ajo nuk shkruhet vetëm nga aktorët tradicionalë globalë të Perëndimit.
“Me emocionet (lexo: ndaj aleatit tradicionalisht më të fortë Atlantik!?) është mbaruar! Rruga jonë duhet të çojë drejt një Europe të pavarësisë, sigurisë të garantuar dhe sovranitetit ekonomik”, deklaroi UvdL nga podiumi në Davos. Duke folur për tarifat shtesë të shpallura dhe të tërhequra ndaj disa anëtarëve të Bashkimit, ajo shtoi se, nëse administrata Trump ruan një qëndrim të tillë, përgjigjja evropiane do të jetë “e shpejtë, vendimtare dhe proporcionale”.
“Epoka e pafajësisë”, pra, ka marrë fund edhe në aspektin retorik. Ishte një periudhë gjatë së cilës BE-ja e mbështeti prosperitetin e saj për dekada mbi energjinë e lirë ruse, tregun kinez dhe ombrellën e sigurisë amerikane. Të gjitha këto shtylla janë shembur papritur. Dhe jo vetëm kaq. Para syve të UvdL-së dhe liderëve europianë shfaqet një hendek i thellë mes homo-brusseliensis (burokrati që vepron me logjikën e dekarbonizimit të Europës nga viti 2030 deri më 2050) dhe qytetarit të zakonshëm europian, i cili shqetësohet për ardhjen galopante të robotëve në vendin e tij të punës, për çmimet marramendëse të banesave apo për koston e energjisë, që pothuajse dy të tretat e europianëve nuk mund ta përballojnë pa subvencione.
Një ristrukturim i përgjithshëm i eksperimentit europian ka bërë të domosdoshme veprimin! Sa më shpejt të vijë “fundi i një fikcioni të këndshëm” (Kryeministri kanadez Mark Carney në Davos), aq më të mëdha do të jenë shanset për projektin gjeoekonomik të Rilindjes, i cili arriti të standardizojë kurbaturën e kastravecëve, por dështoi në daljen e paralajmëruar prej kohësh nga feudalizmi digjital dhe krijimin e një identiteti të përbashkët europian që të përballonte tronditjet serioze gjeopolitike dhe gjeoekonomike.
[i] https://www.geopolitika.news/analize kraj-starog-saveznistva-i-ere-nevinosti-eu-a-europski-rubikon-je-prijeden-povratka-nema/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA





























































