Dr. Redion LULI*
Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit. Rëndësia e tyre qëndron jo vetëm në zgjedhjen e 145 deputetëve të parlamentit të ri njëdhomësh, por në faktin se ky është procesi i parë elektoral që teston në praktikë funksionimin e arkitekturës së re politike. Në këtë kuptim, zgjedhjet mund të konsiderohen si një test i legjitimitetit elektoral dhe i kapacitetit institucional të reformës kushtetuese.
Një tregues i rëndësishëm është pjesëmarrja prej 74,08%. Pothuajse tre të katërtat e elektoratit të regjistruar morën pjesë në votim, çka i jep procesit një bazë të konsiderueshme të pjesëmarrjes qytetare. Kjo është veçanërisht domethënëse për një parlament të ri, sepse legjitimiteti i tij politik do të varet jo vetëm nga mënyra e shpërndarjes së mandateve, por edhe nga niveli i përfshirjes së elektoratit në krijimin e tij.
Megjithatë, elementi më i rëndësishëm politik është shpërndarja e votave. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, Adilet ka marrë 71,17%, Аuyl 6,26%, Respublica 5,56%, Ak Zhol 5,21% dhe Partia Social-Demokrate Mbarëkombëtare 5,11%. Partia Popullore e Kazakistanit ka marrë 3,11%, ndërsa Baitaq 1,07%, duke mbetur nën pragun 5%.
Kjo prodhon një konfigurim politik shumë të qartë: një forcë dominuese dhe një grup më të vogël forcash parlamentare. Pra, pluralizmi ekziston në nivelin e përfaqësimit, por diferenca ndërmjet forcës së parë dhe pjesës tjetër të spektrit është jashtëzakonisht e madhe. Nga pikëpamja e shkencave politike, kjo nënkupton se Kurultai i parë pritet të karakterizohet më shumë nga stabiliteti dhe koherenca e shumicës sesa nga konkurrenca e fortë ndërmjet blloqeve parlamentare.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është fakti se pesë nga shtatë partitë pjesëmarrëse kaluan pragun elektoral prej 5%, gjithmonë duke iu referuar rezultateve paraprake. Kjo tregon se sistemi nuk prodhoi një monopol formal parlamentar, përkundrazi, krijoi një spektër të kufizuar, por të diversifikuar të përfaqësimit politik. Megjithatë, pesë partitë nuk janë të barabarta në peshën e tyre politike, pasi Adilet deri më tani ka marrë më shumë se shtatëdhjetë për qind të votave.
Prandaj, sfida kryesore e Kurultait nuk do të jetë formimi i një shumice funksionale, e cila duket se është siguruar që në rezultatet paraprake, por shndërrimi i kësaj shumice në një institucion efektiv të kontrollit parlamentar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një sistem njëdhomësh, ku parlamenti përqendron funksionet legjislative dhe ku mekanizmat e kontrollit institucional, puna e komisioneve dhe hapësira për debat parlamentar marrin rëndësi të veçantë.
Në këtë aspekt, zgjedhjet e djeshme nuk shënojnë domosdoshmërisht një ndryshim të kursit politik të Kazakistanit, por më tepër konsolidimin e një modeli të ri institucional. Rezultati i paraprak i partisë Adilet krijon premisa për vazhdimësi politike për një marrëdhënie relativisht të qëndrueshme ndërmjet Presidentit, shumicës parlamentare dhe Qeverisë. Në të njëjtën kohë, pesë partitë e përfaqësuara në Kurultai do të kenë mundësinë të përcaktojnë nëse pluralizmi elektoral do të shndërrohet edhe në pluralizëm efektiv të debatit dhe të vendimmarrjes.

Rezultati paraprak i 23 gushtit mund të interpretohet si një kombinim i legjitimitetit të lartë përmes pjesëmarrjes, dominimit të qartë të një force politike dhe ruajtjes së një niveli të kufizuar të pluralizmit parlamentar. Tani testi real i reformës nuk është më vetë organizimi i zgjedhjeve, por mënyra se si Kurultai do ta përdorë mandatin e marrë: sa autonom do të jetë në raport me ekzekutivin, sa efektiv do të jetë kontrolli mbi Qeverinë dhe në çfarë mase partitë e tjera do të funksionojnë si aktorë realë të procesit legjislativ.
Kjo është arsyeja pse 23 gushti duhet parë si fillimi i fazës së re institucionale të Kazakistanit, dhe jo si përfundimi i reformës politike.
Si vëzhgues ndërkombëtar i zgjedhjeve parlamentare për Kurultain në Kazakistan, gjatë procesit të votimit pata mundësinë të vëzhgoj nga afër organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor në qendrat zgjedhore të vizituara. Ajo që vura re në mënyrë të veçantë ishte rregullsia e procesit dhe organizimi i mirë i punës nga komisionet zgjedhore.
Në tërësi, procesi zgjedhor u karakterizua nga një organizim i mirë teknik, respektimi i procedurave dhe një nivel i kënaqshëm transparence. Natyrisht, vlerësimi i plotë i zgjedhjeve kërkon të merret në konsideratë i gjithë cikli elektoral, përfshirë numërimin e votave, përpunimin dhe certifikimin e rezultateve. Megjithatë, bazuar në vëzhgimin tim të drejtpërdrejtë gjatë ditës së votimit, mund të them se procesi në qendrat që vizitova u zhvillua në mënyrë të rregullt, të qetë dhe profesionale, duke dëshmuar një nivel të mirë të përgatitjes institucionale dhe administrimit teknik të zgjedhjeve.
Nga këndvështrimi im si vëzhgues ne zgjedhjet në fjalë, një proces zgjedhor i administruar mirë është një sinjal pozitiv për partnerët e huaj: tregon se Kazakistani po konsolidon institucionet e reja dhe është i gatshëm të zhvillojë marrëdhënie më të hapura dhe më të besueshme me Evropën, SHBA-në, Kinën, Rusinë dhe vendet e tjera. Por hapja reale do të varet nga ajo që ndodh pas zgjedhjeve: sa gjithëpërfshirës do të jetë Kurultai, sa hapësirë do të ketë për debat politik dhe sa efektivisht do të funksionojnë institucionet e reja. Pra, 23 gushti mund të jetë një pikënisje e rëndësishme për një Kazakistan më të hapur ndërkombëtarisht, por besueshmëria duhet të ndërtohet përmes praktikës institucionale në vijim.
*Dr. Redion Luli
Ekspert i pavarur nga Shqipëria. Ka ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve parlamentare për Kurultain në Republikën e Kazakistanit, më 23 gusht 2026, në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar.
© 2026 Argumentum





























































