Nga Rejdi Koçiu
Rëndësia e kanaleve diplomatike të komunikimit është e padiskutueshme për sa kohë situatat gjeopolitike nëpër botë po ndryshojnë me shpejtësi, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Kanalet diplomatike janë ato të cilat vendosin urat e bashkëpunimit mes shteteve në fusha të ndryshme, si ekonomia, politikat e jashtme, aleancat, partneritetet apo dhe strategjitë e përbashkëta. Sot më shumë se kurrë ky komunikim duhet të jetë sa më fluid, i drejtpërdrejtë dhe gjithpërfshirës, duke marrë në konsideratë faktin që po spekulohet për vendosjen e një rendi të ri botëror.
Europa është mbërthyer në ngërcin e ndrojtjes për të krijuar ose rihapur kanalet diplomatike të komunikimit, kjo dhe për shkak të situatës në Ukrainë. Presidenti Macron duket se ka marrë përsipër të jetë lider i Bashkimit Europian në fushën diplomatike duke u kthyer në një valvul shpëtimi për diplomacinë europiane.
Paradigma europiane që Rusia dhe presidenti Putin janë armik i unionit, e futi BE-në në një rreth vicioz ku liderët europianë diskutonin kohë pas kohe për masat që duhet të ndërmerrnin kundrejt federatës ruse. Këto masa u kthyen në bumerang ekonomik me pasoja të rënda, qoftë në rrafshin energjitik, bujqësor apo infrastrukturor. Rritja e cmimit të gazit, çelikut dhe grurit prishën shumë balanca ekonomike në Europë, pa harruar paketat e njëpasnjëshme të ndihmave kundrejt Ukrainës. Rritja e këtyre çmimeve e gjeti Europën të papërgatitur sepse nuk kishte kanale diplomatike alternative për të amortizuar kostot oportune të këtij bumerangu.
Macron si një njohës i shkëlqyer i diplomacisë, vendosi që të thyejë akullin diplomatik me disa nga superfuqitë globale si Rusia dhe Kina, që deri në ato momente ishin tabu për Bashkimin Europian. Takimi me Vladimir Putin në Moskë në shkurt të vitit 2022 për nga simbolikat e përdorura ishte shumë domethënës.
Në kontekstin historik, boshti transnacional Paris-Moskë është një lidhje e kahershme mes tyre, të cilat i bashkon feja e përbashkët dhe fakti te qënit të dy shtetet ish monarki. Thënë këtë, përtej mosmarrveshjeve BE-Rusi (disa syresh pa dëshirën e Francës), sërish boshti i vjetër i rigjeti pikat e bashkimit. Simbolika e tavolinës së gjatë tregoi që ka një rrugë të gjatë përpara se të arrihet një marrëveshje. Ama e ka një rrugë! Askush nga liderët e atëhërshem dhe të tanishëm nuk guxoi ta ndërmerrte atë rrugë. Lënia jashtë e Bashkimit Europian në bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, komunikimet Trump-Putin apo dhe kanalet e reja diplomatike ndërmjet dy superfuqive, e shtynë Macron që të riaktivizonte boshtin e vjetër të mbuluar nga pluhuri i harresës. Shumë liderë europianë e panë si herezi takimin Macron-Putin pasi Rusia po bënte një luftë të padrejtë dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë dhe nuk duhej të kishin marrdhënie diplomatike dhe as komunikim me aparatin rus. Madje disa ambasadorë guximtarë, të udhëhequr nga politikat majtiste neo liberale të shteteve të tyre, në shenjë proteste në fjalimin e Sergey Lavrov më 1 mars 2022, u ngritën dhe refuzuan të merrnin pjesë. Ky turravrap për t’i treguar besnikëri SHBA-ve dhe veçanërisht administratës Biden, u venit kur vetë presidenti Trump vendosi të takohej tête-à-tête me presidentin Putin për të zgjidhur ngërçin e luftës në Ukrainë. Kjo tregoi një tjetër dobësi të Europës që për një cështje që është brenda kufijve europianë, kërkoi ndihmë ndërkontinentale për ta zgjidhur atë. Pa harruar në asnjë moment faktin që ishte Federata Ruse ajo që i dha fund terrorit nazist që kishte gjunjëzuar Europën, pa marrë asgjë në këmbim.
Një fakt që ngre shumë pikëpyetje është që si ka mundësi që dy “armiq të përbetuar” që nga Lufta e Ftohtë dhe e shumë proxy wars të krijuara prej tyre, arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të ulen në tryezë bisedimesh dhe Europa e konsideron tabu përfshirjen në agjenden e saj krijimin e kanaleve të komunikimit me Rusinë?
Presidenti Macron duke mos patur një përgjigje të kësaj pyetje dhe duke parë mënjanimin që po i bëhëj Europës nga zhvillimet gjeopolitike aktuale, mori guximin dhe u ul në një tryezë me Vladimir Putin, për t’i treguar që është i gatshëm të diskutojë me të, qoftë dhe në emër te BE-së nëse ajo do e mandatonte për diçka të tillë. Ky takim krijon një lehtësi për t’u përballur dhe për t’u konformuar sa më mirë me rendin e ri botëror, sido që të jetë ai.
Takimi me Putin mesa duket ishte sua sponte pasi nuk gjeti përkrahjen e homologëve europiane. Kjo të shtyn drejt abstragimit që ky riaktivizim i boshtit apo takimi ne vetvete të përmbajë disa qëllime okulte. Një ndër to është frika e Francës kundrejt fuqizimit ushtarak të Gjermanisë në dekadën e fundit. Sipas të dhënave të Global Banking & Finance Review dhe Bundesfinanzministerium, të dhënat e shpenzimeve ekonomike gjermane për ushtrinë kanë pësuar rritje të ndjeshme. Në vitin 2025 buxheti i Gjermanisë për ushtrinë ishte 86 miliard euro. Planifikimi buxhetor për ushtrinë për vitin 2026 është 108 miliard euro ndërsa planet buxhetore afatmesme deri ne vitin 2029 do të jenë: 125 miliard euro do të shpenzohen në vitin 2027, 136 miliard euro pritet të shpenzohen ne vitin 2028 dhe në vitin 2029 pritet të shpenzohet një shifër rekord prej 162 miliard eurosh. Me fjalë të thjeshta, Gjermania në harkun kohor të 5 viteve planifikon të shpenzojë rreth 617 miliard euro që do të thotë rreth 3.5% e PBB. Në pamje të parë ky fakt nuk ka përse ta shqetësojë Francën por parë në aspektin historik, në të dyja luftrat botërore protagonizmi i Gjermanisë ka qënë absolut. Franca, me gjithë fuqinë e saj, arriti t’i rezistonte vetëm 6 javë ushtrisë gjermane të asaj kohe. Me të drejtë Macron duke parë lëvizjet e reja gjeostrategjike, forcimin e ushtrisë gjermane dhe dobësimin e unionit, i shfaqen fantazmat e të kaluarës dhe ex -ante kërkon të ketë një aleat të besueshëm në rast të ndonjë përsëritje të të kaluarës. Tryezat diplomatike nuk janë vetëm për të treguar muskujt por kryesisht janë për të lidhur aleanca që mund t’i paraprijnë ndonjë ‘’lajthitjeje kolektive’’ në të ardhmen. Macron është një mjeshtër kur vjen puna tek ndërtimi i profilaksive. Vizioni i tij për të ardhmen është shume me i mprehtë se të disa liderve të tjere kokëfortë si Starmer, von der Leyen apo dhe Mertz.
Përveç vizionit politik, Macron ka shpalosur dhe vizionin e tij në fushën e ekonomisë dhe tregjeve globale. Takimi me presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, në kulmin e luftës së tarifave tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe vendeve që bëjnë tregti me Kinën, tregon dhe njëherë zgjuarsinë e presidentit francez. Emannuel Macron është i vetëdishëm që një marrveshje tregtare e mirëfilltë me Kinën do të acaronte marrdhëniet me presidentit amerikan. Në horizont janë vetëm dy mundësi reale. E para është që të presë te mbarojë mandatin e dytë Donald Trump dhe të shpresoje që J.D. Vance mos kandidojë e aq më pak të fitojë ose të përfitojë nga nisma e Kinës “Një brez një rrugë”. Belt and Road Initiative mund të jetë një mundësi e artë që të bëjë tregti me Kinën nëpërmjet korridoreve tokesore dhe detare, me anë të vendeve jashtë unionit. Kjo sigurisht që do i rrisë kostot e mallrave por do të jenë shumë herë më të vogla në krahasim me tarifat që do aplikonte administrata Trump në kuadër te kundërpërgjigjes së tregtisë me Kinën. Franca si vend kolonizator në Afrikë do te gjente shumë ura bashkëpunimi në fushën ekonomik me shtetin kinez per shkak se Kina ka rritur ndjeshëm investimet e saj në Afrikë.
Presidenti Macron ndryshe nga liderët e tjerë të BE-së që janë skeptikë në lidhjen dhe forcimin e marrdhënieve me “armiqtë imagjinarë” të imponuar nga “miqtë përtej oqeanit”, guxon dhe rezonon një vizion mbresëlënës në strategjitë afatmesme dhe afatgjata për vendin e tij. Ai pasi kuptoi që Bashkimi Europian nuk ka ndërmend të riformësojë dhe të rienergjizojë vetveten dhe të dalë nga mbruzja politike, ekonomike dhe sociale që e ka kapluar, vuri në jetë planet gjeostrategjike në të mirë të vendit të tij. Ai është nje lider sui generis, një amalgamë interesante e politikanit, diplomatit dhe kryesorja e lidershipit karizmatik guximtar.
Sot, Franca nën udhëheqjen e Emmanuel Macron-it po tregon se diplomacia nuk është thjesht ritual formal, por një mjet strategjik për të ruajtur stabilitetin dhe influencën në Europë dhe më gjerë. Macron ka theksuar sëfundmi se “duhet të flasim me Rusinë, edhe kur nuk jemi dakord, sepse bisedimi është e vetmja rrugë për të parandaluar konfliktet dhe për të menaxhuar krizat”. Ky është një leksion që duket se Emmanuel Macron e ka mësuar nga zhvillimet gjeopolitike, ku Europa u la jashtë tryezës së vendimeve strategjike përballë krizës në Ukrainë.
Në këtë kuadër, Franca po punon për të rihapur kanalet e komunikimit me Rusinë, jo për të relativizuar konfliktin në Ukrainë, por për të krijuar mundësi dialogu dhe stabiliteti në një Europë të fragmentuar dhe të ndikuar nga tensionet globale. Macron thekson se izolimi nuk prodhon siguri, vetëm duke folur, duke negociuar dhe duke ndërtuar ura diplomatike, mund të parandalohet eskalimi i krizave dhe të ruhet një pozicion i fortë për Francën dhe Bashkimin Europian.
Në këtë mënyrë, Franca dhe presidenti i saj po rigjallërojnë traditën historike të diplomacisë franceze, duke treguar se guximi dhe dialogu strategjik janë mjetet më të fuqishme për të ndërtuar siguri dhe për të mbrojtur interesat kombëtare dhe europiane, edhe në kohë të trazuar.
Franca e Pesë Republikave, e Luigjit te XIV, e Napoleon Bonaparte-s, e Charles de Gaulle, krenarisht i jep dhe një herë leksion Europës se si një lider vizionar duhet të veprojë ne situata delikate.
Liberté, Égalité, Fraternité
*Opinioni i shprehur në këtë artikull i përket autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht politikat editoriale të Argumentum.al.
© 2026 Argumentum





























































