Prof. Dr. Fadil MALOKU,
Sociolog
Nëse etika mund të përkufizohet si një lloj mënyre e studimit dhe e vlerësimit të sjelljeve njerëzore në dritën e parimeve morale, atëherë morali padyshim që mund të përkufizohet si një normë, rregull apo edhe parim i paravendosur nga ana e ndonjë shoqërie e komuniteti, që është pranuar pikërisht nga kjo shoqëri e komunitet. Në anën tjetër, sociologjikisht, etika mund të shquhet e identifikohet edhe si formë e superstrukturës ideore, si arti, kultura, morali, filozofia e religjioni. Ajo kryesisht trajton diskurset mbi të mirën dhe të keqen, si edhe, do të thoja, çështjen e subjektivizimit të njërës apo tjetrës kategori.
Pra, ku është kufiri dhe a ka ndonjë kufi social midis këtyre kategorive sociologjike? Në varësi prej kulturave, traditave dhe kushteve qytetërimore, ato merrnin edhe konotacione e prirje nga më të ndryshmet morale e sociale. Edhe në kohën tonë, ato kanë marrë dimensionet dhe specifikat e veta të kohës në të cilën manifestohen.
Aludimi im këtu është te periudha e tranzicionit. Tani, zakonisht në periudhën e tranzicionit, kur kalohet nga një ekonomi e kontrolluar në ekonomi të lirë, është e qartë që, përveç superstrukturës ekonomike dhe asaj ideore, të pësojë edhe ajo juridiko-politike. Themi kështu edhe për shkakun se aty ku targetohen sjelljet në politikë, targetohen në veçanti edhe raportet që “mbahen si produkte” ekskluzive nëpër partitë politike.
Detyrimisht, si pasojë e këtij procesi dhe zhvillimi tejet interesant e dinamik, është e kuptueshme dhe e logjikshme që të identifikohen edhe ca tipe specifike të etikave sociale. Ndër këto tipe të etikës (si shkencë mbi moralin), që unë mendoj se i ka “testuar me sukses” për këto dy dekada të instalimit të demokracisë, skena politike kosovare janë:
1. Etika NDËRGJEGJËSUESE, ka të bëjë më shumë me pasojat sesa shkaqet e vendimmarrjes. Logjika dhe intenca e kësaj etike na thotë se vendimet gjithnjë merren në përputhje me kalkulimet e matura që mund t’i shkaktojnë pasojat.
2. Etika NËNSHTRUESE, që ndryshe mund të emërtohet edhe si poltrone e vasale. Objekti i shtrirjes së këtij tipi, shumë prezent në skenat tona politike shqiptare, pothuajse në shumicën e rasteve edhe si ofertë politike, po edhe si tendencë sociale, ka të bëjë më shumë me krijimin e poltronëve apo vasalëve “oborrtarë” brenda partisë, sesa me krijimin e ndjenjës së inferioritetit ndaj miqve apo faktorëve ndërkombëtarë.
3. Etika KONFORMISTE, i adresohet më shumë pozicionimeve të atilla politike, ku tipi i politikanit injorant e mediokër, për të mbijetuar në ambiente armiqësie e konkurrence jolojale, në vend të parimeve morale, pastaj normave dhe rregullave të dobishme sociale në skenën politike, “aktivizon” dhe kultivon kryesisht sjellje dhe veprime të atilla që, në shumicën e rasteve, bien ndesh edhe me bindjet e tij personale. Por, që atij këto sjellje i shërbejnë vetëm si mjete mbijetese dhe qëndrese politike.
4. Etika e INTERESIT, kalkulimi më i thjeshtë i këtij tipi është: “Ti mua lekët, unë ty shërbimin”. Zakonisht, në periudha konsolidimi institucional, ky lloj etike “shumëzohet” pa kontroll. Akti dhe fakti që kësaj faze emancipuese i mungojnë mekanizmat e kontrollit politik dhe atij social, e rrit dukshëm shkallën e probabilitetit të shfaqjes dhe manifestimit të tij në jetën e përditshme.
5. Etika KLANORE, në kulturën dhe etnopsikologjinë tonë sociale, e sidomos në atë politike, për këto dy dekada përvoje në ndërtimin e demokracisë, është dëshmuar se, përveç që nuk njeh kufi ideologjik, nuk njeh as kufi partiak, e as kufij politikë. Ky gjykim më së miri mund të ilustrohet me përvojat e “bashkëpunimit” të të gjitha koalicioneve të ndodhura midis partive politike kosovare. Ku u dëshmuan më të fuqishme klanet mbipartiake sesa organet formale të partive të mëdha politike.
6. Etika IDEOLOGJIKO-PARTIAKE, formalisht është dhe ka mbetur vetëm një sintagmë, do të thoja, më shumë folklorike sesa funksionale. Shkaku i vetëm i folklorizmit të tillë nuk qëndron edhe aq në parime, norma e standarde partiake, sesa në dilemat dhe (pa)përcaktimet ideologjike. Kjo etikë, që zakonisht, kur dëshirohet të kamuflohet një veprim apo gjest diplomatik, merret si një lloj “mbulese” formale, sa për të krijuar një “alibi” kontraverse dhe dezorientuese. “Alibi”, kjo që vlen si për kundërshtarët politikë, ashtu edhe për faktorët dhe miqtë ndërkombëtarë. Ndërkaq, ky tip etike, si mekanizëm mbrojtës, pothuajse gjithnjë kamuflimin ideologjik e përdor më shumë si pretekst sesa si shkas për të thithur beneficione dhe donacione të ndryshme.
7. Etika e BINDJES, si diskurs publik, e obligon një politikan të ndërgjegjshëm që vendimet e veta t’i sjellë jo në bazë të parimit dhe obligimit të interesit praktik e pragmatik, por në bazë të përshtypjes dhe parimeve të drejtësisë. Ky tip etike vlen më së shumti për mobilizimin e masave të gjera për tema e agjenda kruciale politike e institucionale. Mirëpo, më së miri efektet e këtij tipi “testohen” kur kërcënohen, bie fjala, interesat kombëtare e shtetërore të vendit, por edhe kur vërtetohet se ato interesa shantazhohen politikisht apo ekonomikisht.
© 2026 Argumentum






















































