Hassan Haidar Diab – Večernji list*
Ali Larijani bën pjesë në brezin e veteranëve revolucionarë të cilët i kuptojnë themelet ideologjike të regjimit, por edhe limitet ekonomike dhe shoqërore të izolimit afatgjatë.
Të gjithë sot pyesin se kush do ta trashëgojë udhëheqësin e lartë shumëvjeçar, ajatollah Ali Khamenei. Republika Islamike e Iranit kurrë nuk ka funksionuar tërësisht përmes mekanizmave formalë të pushtetit; stabilitetin e saj për dekada e kanë ruajtur operativë politikë të aftë të lidhen me klerin, aparatin e sigurisë dhe institucionet shtetërore në momente krize. Mes tyre sot spikat Ali Larijani (67 vjeç), të cilin ajatollah Khamenei e ka emëruar si një nga figurat kyçe për drejtimin e shtetit në rast të një skenari eliminimi nga SHBA-të ose Izraeli.
Ali Larijani është strateg shumëvjeçar i regjimit, të cilin në Teheran gjithnjë e më shpesh e përshkruajnë si drejtuesin e heshtur të proceseve politike. Ndërsa opinioni publik ndërkombëtar ka orientuar vëmendjen te presidentët, komandantët e Gardës Revolucionare ose programet bërthamore, dinamika reale e politikës iraniane zhvillohet larg reflektorëve, brenda qarqeve të mbyllura të besimit. Larijani i përket brezit të politikanëve të formuar pas Revolucionit Islamik – mjaftueshëm i besueshëm për të gëzuar besimin e sistemit, por njëkohësisht mjaftueshëm pragmatist për të kuptuar kufijtë ekonomikë dhe gjeopolitikë të konfrontimit afatgjatë me Perëndimin.
Në Teheranin politik, Larijani sot shfaqet si figurë për të cilën flitet me kujdes, pothuajse me përshpëritje – jo si një njeri që kërkon pushtetin, por si një njeri të cilit pushteti i drejtohet në kohë krize. Në Iran, fuqia politike rrallë u përket atyre që janë më të zëshmit dhe më të dukshmit. Ajo u përket atyre që i kuptojnë mekanizmat e shtetit nga brenda dhe që gëzojnë njëkohësisht besimin e aparatit të sigurisë, të klerit dhe të elitave politike. Pikërisht për këtë arsye, një numër gjithnjë e më i madh analistësh iranianë mendojnë se Larijani është bërë një nga figurat kyçe në momentin kur vendi po hyn në një epokë kalimi historik të pushtetit.
Ali Larijani ka lindur në vitin 1957 në Najaf, qyteti i shenjtë shiit në Irak, në një familje të lidhur thellë me establishmentin fetar. Ai i përket brezit të revolucionarëve që nuk u formuan në demonstrata rrugësh, por në institucione. Babai i tij ishte ajatollah i njohur, ndërsa familja Larijani për dekada ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm ndikimi politik dhe juridik. Vëllezërit e tij kanë drejtuar gjykata, struktura parlamentare dhe akademike të shtetit, duke krijuar një nga rrjetet më me ndikim brenda sistemit iranian.
Megjithatë, Ali Larijani nuk ka qenë përfaqësues tipik i elitës klerikale. Në vend të një karriere teologjike, ai studioi matematikë dhe filozofi, duke u doktoruar krahas studimit intensiv të mendimit politik perëndimor, përfshirë Kantin dhe Hegelin – diçka e rrallë në mesin e zyrtarëve të lartë iranianë.
Kjo prapavijë intelektuale modeloi stilin e tij politik: racional, të ftohtë dhe strategjik. Ndërsa shumë politikanë pas revolucionit e ndërtuan legjitimitetin përmes ashpërsisë ideologjike ose entuziazmit revolucionar, Larijani ndërtoi reputacionin si administrator i sistemit – njeri i aftë të drejtojë institucione të ndërlikuara pa krijuar konflikte të hapura.
Ngritja e tij e parë e madhe erdhi gjatë viteve ’90, kur mori drejtimin e Radiotelevizionit shtetëror IRIB, një nga levat më të rëndësishme të kontrollit politik në vend. Drejtimi i aparatit mediatik i mundësoi të kuptonte thellë se si ndërtohet stabiliteti politik – jo vetëm përmes represionit të dukshëm, por përmes kontrollit të narrativave dhe balancimit të qendrave të ndryshme të pushtetit.
Më pas mori postin e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u bë negociatori kryesor bërthamor i Iranit. Në këtë rol, Perëndimi e njohu seriozisht për herë të parë. Ndryshe nga retoricienët revolucionarë, ai vepronte si strateg i ftohtë që kupton logjikën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kufizimet e pozitës iraniane. Edhe pse negociatat nuk dhanë gjithmonë rezultate konkrete, në qarqet diplomatike la përshtypjen e një politikani me të cilin mund të bisedohet pa teatralitet ideologjik.
Rëndësia e tij politike u konsolidua gjatë mandatit dymbëdhjetëvjeçar në krye të parlamentit (2008–2020). Kjo periudhë përfshiu sanksione, protesta të brendshme, luftëra rajonale dhe bisedime për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Larijani e mbështeti këtë marrëveshje dhe bashkëpunoi me presidentin e moderuar Hassan Rouhani, por pa humbur kurrë besimin e ajatollah Khameneit – një ekuilibër pothuajse i pamundur në politikën iraniane.
Kjo aftësi balancuese shpjegon pse Larijani nuk është perceptuar si kërcënim për sistemin. Konservatorizmi i tij nuk është revolucionar, por institucional – i orientuar drejt ruajtjes së shtetit përmes përshtatjes me rrethanat. Kur në vitin 2021 iu refuzua kandidimi për zgjedhjet presidenciale dhe rryma e fortë e sigurisë mbështeti presidentin Ebrahim Raisi, i cili më vonë vdiq në një rrëzim helikopteri, shumë menduan se po përfundonte epoka e konservatorëve pragmatistë.
Megjithatë, realiteti gjeopolitik ndryshoi shpejt prioritetet. Luftërat rajonale, rritja e tensioneve me Izraelin, presioni ekonomik i sanksioneve, pakënaqësia sociale dhe mbi të gjitha çështja e trashëgimisë pas Khameneit të moshuar dhe të dobësuar, krijuan nevojën për politikanë të aftë të administrojnë tranzicionin. Në këto momente, sistemi iranian tradicionalisht mbështetet te figurat e besueshme, jo te maksimalistët ideologjikë. Larijani u rikthye gradualisht në strukturat këshilluese pranë udhëheqjes së lartë – pa titull formal, por me ndikim në rritje.
Fuqia e tij aktuale buron nga aftësia për të komunikuar me të gjithë aktorët kryesorë të sistemit: kleri e konsideron revolucionar besnik; Garda Revolucionare e sheh si politikan që kupton interesat e sigurisë së shtetit; teknokratët e perceptojnë si administrator racional në sfidat ekonomike; ndërsa diplomatët e huaj njohin tek ai një bashkëbisedues të aftë për dialog strategjik. Pak politikanë në Iran gëzojnë një shkallë të tillë pranueshmërie ndërmjet qendrave të ndryshme të pushtetit.
Çështja më e rëndësishme që qëndron sot pezull mbi Iranin është trashëgimia e udhëheqësit të lartë. Konflikti potencial mes Gardës Revolucionare, klerit dhe fraksioneve politike përbën rrezikun më të madh të brendshëm për Republikën Islamike. Në këtë kontekst, Larijani përshkruhet gjithnjë e më shpesh si arkitekti i mundshëm i periudhës kalimtare – një figurë që mund të marrë një funksion të lartë, por edhe të kontrollojë procesin dhe të parandalojë përplasjet për dominim politik.
Sepse Irani nuk është një shtet klasik autoritar, por një sistem i ndërlikuar institucionesh dhe rrjetesh paralele. Pushteti i vërtetë shpesh u përket atyre që sigurojnë vazhdimësi ndërmjet strukturave të ndryshme. Larijani i përket brezit të revolucionarëve veteranë që kuptojnë themelet ideologjike të regjimit, por edhe kufijtë ekonomikë dhe shoqërorë të izolimit afatgjatë. Instinkti i tij politik mbështetet në ruajtjen e sistemit përmes përshtatjes së kontrolluar, jo përmes ndryshimeve të befasishme. Roli i tij nuk është revolucionar, por stabilizues – dhe për Iranin në një periudhë tranzicioni, kjo mund të jetë më e nevojshmja.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA



























































