Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi një mbledhje të dielën për të diskutuar sulmin e ShBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Rusia, Kina dhe Pakistani i propozuan Këshillit të miratojë një rezolutë për armëpushimin e menjëhershëm dhe pa kushte në Lindjen e Mesme.
“Bombardimi i objekteve bërthamore iraniane nga ShBA-ja shënon një kthesë të rrezikshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. “Ne duhet të veprojmë menjëherë me vendosmëri për të ndaluar luftimet, duke rifilluar negociatat serioze e të vazhdueshme për programin bërthamor të Iranit”.
Bota po pret përgjigjen e Teheranit, pasi presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se ShBA-ja kishte “shkatërruar” objektet kryesore bërthamore të Iranit. Ky është veprimi më i madh ushtarak perëndimor kundër Republikës Islamike që nga revolucioni i saj në vitin 1979.
Nuk është e qartë se kur mund të votojë Këshilli i Sigurimit për projektrezolutën. Rusia, Kina dhe Pakistani u kanë kërkuar vendeve anëtare të Këshillit të paraqesin mendimet e tyre deri të hënën në mbrëmje. Për t’u miratuar, rezoluta duhet të marrë të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga ShBA-ja, Franca, Britania, Rusia dhe Kina./cgtn